E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strati: E mposhta gjigandin, tani pres Gines-in e tretë

Katër shtatori është kthyer për të në një ditë të shënuar. 

ANILA MEMA

 Nuk ka ditëlindjen, as ndonjë përvjetor, fejese a martesë. Është dita më me fat për të, që e bën ta njohë e gjithë bota. Edhe nesër, si dy vitet e mëparshme, Saimir Strati artisti i njohur shqiptar, është në pritje të një Gines-i të tretë. Ishte i pari që shënoi rekordin për Gines, dy vite më parë me portretin e Leonardo Da Vinçit në gozhdë. E pasoi një vit më vonë, në po të njëjtën kohë e datë, duke shënuar Gines-in e dytë shqiptar për veprën “Kalë pa fre” realizuar me kunja dhëmbësh. E nesër në orën shtatë të mbrëmjes, pritet edhe Gines-i i tretë, për veprën më të madhe realizuar ndonjëherë “Mesdheu Mediterran”. Një vepër, me një sipërfaqe prej 97 metrash katrorë, është i ndërtuar i gjithi prej 300 mijë tapash shishe vere, të ngjitura me silikon gome. Mozaiku i radhës paraqet një djalë, që i bie kitarës dhe përmban të gjitha elementet simbolike mesdhetare. “Për këtë vepër kam ecur që në fillim me një strategji”, tregon Strati, i cili shton se e ka nisur punën që nga pjesët më të vështira të mozaikut. “Për të ndërtuar këtë vepër më është dashur të punoj me një skelë shtatë metër të lartë, e cila për mua nuk ishte përvojë e mirë dhe të them të drejtën është një nga lodhjet më të mëdha, të punoja në pjesët e sipërme të mozaikut. Kështu që më duhej që fillimisht të hiqja gjithë këto detaje anësore, të sipërme të mozaikut, të cilat tani janë të përfunduara”, rrëfen ai. Por është çliruar nga ankthi i lartësisë, dhe tani i ka mbetur vetëm pak pjesë nga fundi i mozaikut, që do të thotë pak punë edhe sot dhe nesër gjithçka është gati. “Tani ka gjëra teknike që duhen rregulluar dhe unë ditën e nesërme e pres me optimizëm, edhe pse i lodhur”, shprehet artisti i njohur, që e bëri Shqipërinë pjesë të rekordeve botërore dy vite më parë. “Të them të drejtën jam edhe i emocionuar, sepse kjo teknikë që kam përdorur në këtë mozaik nuk ka lidhje me dy rekordet e mëparshme. E vetmja lidhje është ai që i ka bërë, është Saimir Strati. Kisha frikë se ky gjigand, ky përbindësh, do më shkante nga duart, tentoi por nuk më shkau. Është gjithë ai dimension, por e kam mposhtur”, shton ai i gëzuar tashmë që ndodhet në momentet e fundit të realizimit të këtij mozaiku. Tregon se të enjten në mbrëmje, në orën 19:00 një nga përfaqësuesit e rekordeve botërore, do të jetë aty, në ambientet e jashtme të hotel “Sheraton” për të ndarë përfundimisht çdo të ndodhë me mozaikun. “Se si do të jetë unë nuk e di, se jam i përqendruar mbi këtë punë dhe nuk mendoj se çdo ndodhë më pas. Kështu le t’ia lëmë kohës, ndoshta mund të ketë dhe surpriza kushedi”, përfundon i qetë ai.

26 dite
i janë dashur për të përfunduar mozaikun e tretë, të cilin e nisi nga 8 gushti e deri nesër. I është dashur të punojë në ditë mbi 13 orë punë për të përfunduar mozaikun që pret Gines-in e tretë.

2 punimet
e mëparshme përkatësisht portreti në gozhdë i Leonardo Da Vinçit dhe kali në vrapim, ndërtuar me kunja dhëmbësh, me të cilat Strati ka hyrë në librin e rekordeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›