E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putin: Përshëndes samitin, BE s’mori vendime radikale

Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë bisedimet e partneritetit me Rusinë, si pasojë e krizës së Kaukazit dhe njohjes nga Moska të republikave separatiste të Gjeorgjisë. 

Franca, e cila mban presidencën e BE-së, ka kërkuar organizimin e samitit të jashtëzakonshëm që në fillim të shtatorit për të ndëshkuar Rusinë me aktet e saj, sipas tyre kundër ligjeve ndërkombëtare, duke kërkuar një vendim unanim të 27 vendeve anëtare. Sipas presidentit të Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, negociatat mbi marrëveshjen e planifikuar të partneritetit do të rinisin vetëm pasi Rusia të ketë tërhequr totalisht trupat nga Gjeorgjia. Presidenti francez, Nikola Sarkozi, i cili ishte edhe ndërmjetësi i arritjes së armëpushimit mes Moskës dhe Tblisit, tha se “Bashkimi Evropian dëshiron një partneritet të vërtetë me Rusinë, por për të ndërtuar një partneritet nevojiten dy palë. Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i hetojë rrethanat e kësaj krize në marrëdhëniet me Rusinë”. Vendet anëtare kanë kritikuar edhe qëndrimin e Gjeorgjisë në këtë krizë. Presidenti i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pottering,  tha se “shkallëzimi i krizës në Gjeorgji paraqet një kërcënim të madh për sigurinë në kontinentin evropian që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Edhe në qoftë se duhet të konstatojmë, se presidenti i Gjeorgjisë kreu një gabim të rëndë me veprimet e tij ushtarake kundër qytetit osetiano-jugor Tsinvali, sjellja e Rusisë nuk mund të përligjet kurrsesi”. Lëvizja e Bashkimit Evropian është mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Dana Perino, tha se samiti i jashtëzakonshëm i BE-së ka demonstruar se “Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë unike në qëndrimin e fuqishëm në mbështetje të rikonstruktimit, të integritetit territorial dhe të sovranitetit të Gjeorgjisë”. Ndërsa përfaqësuesi i Rusisë në BE, Vladimir Çizhov, ka komentuar se shtyrja e bisedimeve është një sinjal i papërshtatshëm politik, por shtoi se nuk donte ta dramatizonte atë. Ai u mjaftua me akuzat kundër Brukselit për standarde të dyfishta, pasi kur Kosova shpalli pavarësinë, sipas tij, nuk flitej për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë, gjë që po ndodh me Gjeorgjinë. Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin ka përshëndetur vendimet e samitit të BE-së. Putin tha se BE-ja është treguar e arsyeshme, pasi nuk mori asnjë vendim radikal dhe shtoi se Rusia është e gatshme për vazhdimin e dialogut me partnerët evropianë. Të hënën e ardhshme presidenti i Francës, Sarkozi, presidenti i K E, Barroso dhe kryediplomati i BE-së, Solana do të udhëtojnë drejt Moskës.

Shrëder: Putin, një demokrat i pastër si kristali
Ish-kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, ka kritikuar Perëndimin se po gabon rëndë në lidhje me konfliktin në Gjeorgji. Shrëder, i njohur për partneritetin e ngushtë me Rusinë, tha se Vladimir Putin është “një demokrat i pastër si kristali”. Sipas tij, në situatën e krijuar në Gjeorgji, paralajmërimi i Putinit ishte i drejtë për rrezikun e njohjes së sovranitetit të Kosovës. “Ky shembull (Kosova) tani shërben si model për të ashtuquajtura konflikte të ngrira. Dinamika negative dhe ndërkombëtare, e nisur pas vendimit për Kosovën, detyrimisht duhet të ndalet”, tha Shrëder në Berlin në një shfaqje bamirësie.

Miliband: Rusia do ketë pasoja për Gjeorgjinë
“Rusia do të ketë pasoja politike dhe ekonomike për shkak të ndërhyrjes ushtarake në Gjeorgji, ku realizoi një përfitim afatshkurtër”, tha shefi i diplomacisë britanike, Deivid Miliband. “Moska tani është më e izoluar dhe shumë më pak i besohet se para një muaji. Ajo shënoi një fitore afatshkurtër ushtarake, por me kalimin e kohës do t’i ndjejë humbjet ekonomike dhe politike. Nëse Rusia vërtetë dëshiron respekt dhe ndikim, ajo duhet ta ndryshojë kursin”, ka shkruar Miliband në gazetën “Irish Examiner”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›