E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faruk Sejdini: Luksemburgu u pergati keq

/* */

GAZETA "TELEGRAF" - Humbja 2-1 me Luksemburgun e vendit të fundit, e katërta në tetë ndeshje për eliminatoret e Euro 2012-s, ka leën një shije të keqe jo vetëm te drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, tifozëve, e veçanërisht te specialistët e futbollit. Gazeta “Telegraf” bisedoi me trajnerin e njohur, Faruk Sejdini, 61 vjeç.
Ish-teknikun legjendar të Dinamos (ka shpenzuar mbi 45 vjet të jetës së tij në klubin blu, nga viti 1966) e shqetëson shumë situata që po kalon ekipi përfaqësues, por edhe ajo që po kalon Dinamo, 18 herë kampione e Shqipërisë dhe 13 herë fituese e Kupës.  Sejdini shpjegon dhe dështimin e ekipit përfaqësues në Europë dhe jep vlerësimin e tij edhe pse trajnerët e huaj të Kombëtares sonë, nuk po arrijnë ta çojnë në stadin që të gjithë kanë pritur prej tyre. Faruk Sejdini ka një eksperiencë 14 vjeçare si lojtar dhe 30 vjeçare si trajner, duke drejtuar gjatë këtyre viteve me mijëra lojtarë dhe disa skuadra.  Sejdini ka qenë ish-ndihmësi i Astrit Hafizit me Kombëtaren, në periudhën 1997-1999.

Trajner Sejdini, një humbje e rëndë dhe e turpshme me Luksemburgun e vendit të fundit. Si do ta komentonit?
Ishte për të ardhur keq. Gjithsesi, unë do ta nisja nga deklaratat e bëra nga njërëz pranë Kombëtares. Humbja filloi më përpara se ajo të luhej, me deklarimet. Nuk mundet që një teknik, i cili është vazhdon të punojë, po ta kishte ndërprerë do të ishte normale, që pas ndeshjes me Francën, se ky ekip do të rinovohet 30-40%, kur tri ditë më pas na priste ndeshja me Luksemburgun.
E konsideroni një deklaratë të nxituar?
Po, ishta jo logjike dhe aspak profesionale. Ata lojtarë, të cilët kishin luajtur me Francën, do të iknin. Ky ishte një përkthimi i mesazhit të gabuar. Si mund të motivohet një lojtar, kur ai e di që të nesërmen do ta largojnë. Nëse do t’i referehoshim kohës para viteve 1990, atëherë thuhej se do të luaje “për Partinë, për Enverin”, kurse tani kanë mbaruar këto lloj motivimesh. Tani janë të ndërthuara ana sportive, fanella, karakteri i lojtarëve, por dhe paratë. Ka shembuj të mirë dhe të keq. Për mua kjo ishte zanafilla e fillimit të humbjes. Në sport, nëse bën deklarata duhet të shndërrosh në aksion.
Ju mendoni se dhe deklarata e presidentit të Federatës, Armando Duka është e nxituar?
Nuk do ta thoja këtë, pasi Duka është administrator dhe jo teknik. Është drejtues i futbollit, një dashamirës i tij, por hyn në sferën e profesionistëve. Personalisht, e kam me trajnerin, që të nesërmen nisi me deklarata rinovimesh. Rinovimi fillon kur mbaron aktiviteti.
Shqipëria luajti me tre sulmues, duke synuar të shënojë sa më shpejt dhe më shumë gola, por kjo nuk ndodhi?
Është e lehtë të bëhesh kritizer pas një ndeshjeje. Gjithsesi, sikur unë të isha në stol, nuk do të hidhja në fushë edhe Kapllanin, Salihin dhe Bogdanin. Karakteristikat e Kapllanit është të luajë si sulmues i vetëm, i mbështetur nga një mesfushë e fuqishme. Dy sulmuesit tanë luanin për një top, dhe kjo i komplikoi pak gjërat, pasi penguan njëri-tjetrin.
Portieri Samir Ujkani, ashtu si në ndeshjen me Francën në golin e Benzemasë, edhe në golin e dytë të Luksemburgut, nuk reagoi mirë, duke mos qenë i përqendruar. A është në gjendje psikologjike ai të luajë në nivele të larta?
Duke shprehur edhe respektin për Ujkanin, pasi çdo gjë e ka arritur me forcat veta dhe tani luan në Itali me një ekip të Serisë A (Novarës), por më duket se më të nuk u veprua në rrjedhën e natyrshme, për të ardhur në kohën e vet, pak më butë. Pararadhësi i tij, Arjan Beqaj, në gjithë karrierën e vet mund të ketë bërë shumë pak gabime. Është brenda logjikës.

Mbrojtja ishte e tëra e rikrijuar, pasi mungoni Lorik Cana, Debatik Curri dhe Armend Dallku. A mos ndoshta, katërshja Vangjeli-Teli-Veliu-Agolli nuk funksionoi?
Në futbollin e sotëm, nuk mund të fajësosh vetëm mbrojtjen për pësimin e golave, pasi sot luan në grup, si në fazën ofensive ashtu dhe në atë mbrojtëse. Gjithsesi, mbrojtja pati mangësitë e saj dhe nuk funksionoi i lidhur normalisht edhe me mesfushën.  
Trajneri Kuzhe hodhi në një mesfushë të vjetër në moshë: Altin Lala 35 vjeç, Ervin Skela 34 vjeç dhe Klodian Duro 33 vjeç. A ka një shpjegim logjik për këtë preferencë?
Në të vërtetë nuk mund ta paragjykoj, se përse trajneri Kuzhe i vendosi ata në fushë, por unë besoj se ai ka llogaritur përvojën e tyre në raport me një kundërshtar pa shumë eksperiencë. Të mos harrojmë dhe faktin, se Lala bëri një ndeshje të madhe kundër Francës, ndërkohë që Ervin Skela është i vetmi që mund të krijojë. Në fitoren me Bjellorusinë, po këta lojtarë dhanë një kontribut të madh. Për tre muaj u vjetruan ata? Unë do ta konsideroja Skelën dhe Duron, jo si të vjetër, por të pastërvitur, dhe kjo mund të ndodhë edhe për një lojtar 23-vjeçar, që nuk stërvitet për disa muaj nuk ka çfarë të japë në fushë.
Gjithmonë thuhet se rregulli numër një në Kombëtare, është thirrja e lojtarëve më të mirë të momentit. Skela dhe Duro janë pa skuadër.
Në logjikën time nuk e pranoj, por si për çdo gjë ka rregulla. Por, ka dhe përjashtime. Dhjetë lojtarët e tjerë mund ta mbajnë në lojë një tjetër, që vrapo më pak, por nga ana tjetër është truri i ekipit. Unë besoj se ekipit tonë iu shkarkuan energjitë në ndeshjen me Francën, pasi bënë një pjesë të dytë të jashtëzakonshme.  
Humbja me Luksemburgun ishte e treta rresht. Përfundimisht e mbyllim edicionin në vendin e parafundit. Çfarë mund të presim nga ballafaqimet me Francën, në Paris dhe Rumaninë në Tiranë?
Shikoni, në Shqipëri duket se është krijuar një zakon, që në momentin që marrim një trajner të huaj, themi se ky do të kualifikohet. Merr trajnerin më të mirë në botë, Fergusoni, Murinjon apo Guardiolën, me këta lojtarë nuk mund të bëjë më shumë. Në Shqipëri, më shumë mund të japin vendasit, pasi e njohin më mirë mentalitetin.
Sa e ndjen presionin një trajner i huaj, në rastin tonë, Kuzheja?
Profesionalisht po, se kërkon suksesin. Nga pikëpamja e ndërhyrjeve, aspak, pasi ai është i pavarur. Megjithatë, trajneri i huaj është gjithmonë i supervëzhguar nga mediat.
Po,  për rinovimin e Kombëtares?
Kjo varet nga koncepti dhe projekti që ka një trajner.

SKEDA
Emër: Faruk Sejdini
Datëlindja: 07.02.1950, 61 vjeç
Lojtar: Dinamo (1966-1979)
Roli: Mbrojtës
Kampion si lojtar: 5 herë (1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977)
Fitues i Kupës: 3 herë (1971, 1974, 1978).  
Trajner: Dinamo (kampion 2001-2002), Shkumbini, Elbasani, Besa, Bylis.

Trajnerët, si karta rimbushëse
Trajnerët bëhen shpesh ‘koka turku’ të presidentëve, por ndonjëherë edhe si pasojë e prapaskenave të lojtarëve. Një ekip shpesh ndodh që ndërron tre trajnerë brenda një sezoni. A do të ndodhë dhe këtë sezon? Sejdini: “Besoj se pas 4-5 javëve të para do të nisin edhe shkarkimet, sidomos të ekipet që kanë investuar shumë para. Shprehja ime mw e famshme wshtw, trajnerwt janw bwrw si kartat rimbushwse tw telefonave, i pwrdor dhe i flak”.

EKIPET E
KRYEQYTETIT

TIRANA
“Çmoj shumë sakrificat e presidentit Refik Halili, por Tirana është si një gur i madh, që nuk mund ta lëvizë një njeri i vetëm. Duhen shumë”.

DINAMO
“Me vjen shumë keq me atë që ka ndodhur kohët e fundit me Dinamon. Është një klub legjendar, nuk mund ta shkatërrosh me një të rënë”.

KAMZA
“Më vjen shumë mirë, që dhe Kamza u bë pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Ka bërë përforcime më merkato, mund të shkaktojë supriza”.

PARTIZANI
“Një klub legjendar, që nuk e meriton të jetë në kategorinë më të ulët më të ulët të futbollit shqiptar. Shpresoj të ringjitet atje ku e meriton”

10 ndeshje me Kombëtaren

Faruk Sejdini, si lojtar ka qenë pjesë e përfaqësueses shqitpare (1972-1978), duke zhvilluar 10 ndeshje kundër, Finlandës (2), Rumanisë (2), Gjermanisë Lindore (2), Gjermanisë Perëndimore, Turqisë dhe Algjerisë. “Si lojtar i Kombëtares kam pasur trajnerë të ekipit Kombëtar kam pasur Loro Boriçin, Myslim Allën Ilia Shuken, Zyber Konçin. Me Shpresat kam pasur Skënder Dedjen”, - tha Sejdini.
 
Ndihmës i Astrit Hafizit

Faruk Sejdini ka qenë ndihmëstrajner i Kombëtares, në periudhën kur ajo drejtohenj nga Astrit Hafizi (17 ndeshje, 2 fitore, 4 barazime dhe 11 humbje) në periudhën 1997-1999 (Botërori 2008, Euro 2000), përpara se ky i fundit të pasohej në bankinë nga Mehdin Zhega. “Edhe trajnerët tanë kanë bërë ndeshje të mëdha. Dhe me ekipe të tilla si Gjermania, Belgjika, Polonia, kur këto kanë qenë në kulmet e tyre”. - thotë Sejdini.

14 trajnerët shqiptarë

Kombëtarja është drejtuar nga dhjetë trajnerë shqiptarë: Adem Karapici, Sllave Llambi, Ludovik Jakova, Loro Boriçi, Zyber Konçi, Myslim Alla, Ilia Shuke, Shyqyri Rreli, Agron Sulaj, Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Mehdin Zhega dhe deri te i fundit, Sulejman Demollari, i shkarkuar në prill të vitit 2002. Boriçi e ka drejtuar Kombëtaren në tri periudha të ndryshme.

Tetë trajnerët e huaj

Shqipëria ka pasur gjatë historisë së saj ka pasur tetë trajnrër të huaj. Serbi Ljubisha Broçiç e bëri Shqipërinë kampione të Ballkanit, 65 vjet më parë, në tetor të vitit 1946. Më aps drejtuan hungarezi Miklosh Vadash, rusi Nikolai Ljkushnikov, italiani Xhuzepe Dosena, gjermani Hans Peter Brigel, kroati Oto Bariç, holandezi Ari Han. I fundit është kroati Josip Kuzhe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›