Faruku e vrau
Nazim Bllaca e ka quajtur veten vrasës edhe para trupit gjykues. Ai ka pranuar se ka marrë pjesë në vrasjen e Sali Gashit më 15 qershor të vitit 1999, së bashku me Fahredin Gashin, gjithashtu i akuzuar për këtë vrasje. I veshur me jelek antiplumb dhe i ruajtur nga policë të EULEX-it, të mërkurën Bllaca për herë të parë pas 16 muajve, tregoi fill e për pe se si ka ndodhur ngjarja e 15 qershorit 1999 dhe pas saj. Prokurori Mauricio Salustro për shtatë orë ka pyetur Bllacën në detaje për veprimtarinë e tij që nga viti 1998 deri në vitin 2009.
Ai tregoi se ishte pjesëtar i UÇK-së që nga tetori i vitit 1998 e deri më 1999. Gjatë kësaj kohe, ai ishte plagosur dhe gjatë qëndrimit të tij në spitalin ushtarak të Krojmirit, ka treguar se është njohur me të akuzuarin Fahredin Gashi.
Bllaca pastaj ka rrëfyer se nga marsi i vitit 1999 është bërë anëtar i Zbulim-Kundër-Zbulimit (ZKZ) në kuadër të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” të UÇK-së dhe se ishte nën urdhra të Fahredin Gashit. Prokurori Salustro është ndalur më shumë te nata e 15 qershorit kur ka ndodhur vrasja e Sali Gashit, që Bllaca pretendon se është pjesëmarrës i atij krimi.
Dëshmitari i gjykatës ka rrëfyer në tërësi ngjarjen, e cila, sipas tij, me urdhër të Fahredin Gashit kanë shkuar në fshatin Varigovc në shtëpinë e Sali Gashit, ku edhe e kanë vrarë atë. Në pyetjen e prokurorit se cili ka shtënë mbi viktimën, Bllaca në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues të gjykatës ka thënë se Fahredin Gashi ka shtënë me një rafal automatiku në drejtim të Sali Gashit, derisa ishte i shtrirë në dysheme, ndërsa vetë e ka vëzhguar ngjarjen brenda dhomës.
Pas kësaj, Bllaca ka rrëfyer se bashkë me Fahredinin kanë shkuar këmbë në Davidovc të Shtimes dhe gjatë kësaj kohe e ka pyetur Gashin. ‘Pse me vra njerin, çka ka ba”’, riciton Bllaca veten. Ai më ka thënë: “Ky njeri ka ditë diçka dhe ti mos u ba merak se na mbron doktori (Fatmir Xhelili)”, citon Bllaca bisedën ndërmjet tij dhe Fahredin Gashit. Pas kësaj dëshmie, prokurori është fokusuar në letrën që Bllaca e ka dërguar për familjen e Sali Gashit, në të cilën i bëhen me dije autorët e vrasjes së familjarit të tyre.
Ai tregon se atë letër, dedikuar Afrim Gashit (djalit të viktimës) e ka shkruar vetë, por e ka autorizuar vëllanë e tij, Liman Bllacën dhe nipin Besnik Bllacën që ta dërgojnë letrën në vendin e duhur. Letra, sipas dëshmisë së Bllacës, është fshehur në një bllok në katin e dytë të shtëpisë së Gashëve që e kanë në Lipjan dhe se Afrimi e ka ditur për këtë nëpërmes një mesazhi telefonik që ia ka dërguar Liman Bllaca.
Gjatë kësaj kohe, Nazim Bllaca ka thënë se nuk gjendej në Kosovë me arsyetimin se nuk e ndjente veten të sigurt. Prokurori ka dashur sqarim nga dëshmitari pse në letër ai ka përmendur tre autorë të vrasjes së Gashit, e në deklaratat e tij para prokurorit publik ka thënë se ka qenë vetëm me Fahredin Gashin.
Këtë, sipas tij, e ka bërë sepse në atë kohë nuk ka ndjerë siguri për familjen që e kishte në Kosovë dhe se nuk dëshironte që të afrohej afër me familjen e viktimës dhe se nuk i besonte drejtësisë së Kosovës. Ai është rikthyer në Kosovë në maj të vitit 2009 dhe për të parën herë është takuar me familjen e Sali Gashit në qershor të këtij viti. Ai tregon se është takuar me dy vëllezërit e viktimës, Shefki dhe Sejdi Gashi në fshatin e tyre dhe u ka treguar se ai së bashku me Fahredin Gashin, e kanë vrarë Sali Gashin.
Këtë rrugëtim ai e ka bërë së bashku me të akuzuarin tjetër, Hysri Rama, me të cilin kanë lidhje miqësore. Qëllimi i kësaj vizite te familja Gashi, sipas dëshmitarit, ka qenë kërkim falja për krimin që është bërë më 1999. Bllaca tha se për të gjitha ato që i ka bërë dhe i ka deklaruar, i ka ditur Hysri Rama. Ky i fundit ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Bllacës duke e quajtur gënjeshtar. “Po rren ky majmun”, ka thënë Rama.
Dëshmitari shumë herë është përgjigjur në vetën e tretë, e jo në atë të parën. Në vërejtjen e gjyqtarit në lidhje me këtë, Bllaca u përgjigj “Kjo më ka mbetë se kështu jemi thirrë ndërmjet vete ne të grupit kriminal”. Dëshmia e Nazim Bllacës do të vazhdojë më 12, 13 dhe 14 prill.