E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ndan regjistrimi

Shumë serbë të Kosovës janë në mëdyshje, por të tjerë kanë ndarë mendjen t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit që nis nesër. Kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrim, Rifat Blaku, thonë se janë kryer të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij procesi. Ata premtojnë se regjistrimi do të kryhet edhe në Veri. Nga Nebih Maxhuni më 31 mars 2011 në ora 09:45

Dragan Stanisavlevic do të pranonte të regjistrohej më 1 prill, kur pritet që kjo të bëhet nga autoritetet e Kosovës, nëse ky proces do të bëhej edhe nga Serbia.

Dragani nga Graçanica as që e ka ndërmend t`u përgjigjet thirrjeve të institucioneve të Kosovës, të cilët ftojnë serbët e Kosovë të jenë pjesë e këtij procesi.

Ky serb rreth të 50`tave thotë se do të pranonte të bëhej pjesë e tij bashkë me familjen e tij, vetëm nëse ky proces i regjistrimit të banesave dhe ekonomive familjare do të bëhej bashakarisht nga Qeveria e Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk i besoj kësaj qeverie (të Kosovës), pse të regjistrohemi?! Regjistrimin do duhej të bëhej nga Qeveria e Kosovës bashkë me atë të Serbisë”, thotë Dragani, i cili kishte ardhur në Komunën e Graçanicës për të kërkuar një kredi të butë për bujqësi.

Ai thotë se për këtë proces nuk i beson Qeverisë që udhëhiqet nga Hashim Thaçi, por tregon se ka pak besim në Behgjet Pacollin.

“Regjistrimi duhet të ndodhë se është mirë, por jo të bëhet vetëm nga kosovarët. Unë këtu vetëm Pacollit i besoj pak, por jo shumë”, thotë ky serb, që kryesisht merret me bujqësi, e që më parë thotë se ka punuar në KEK.

“Si të besoj në këto institucione, kur asnjë ndihmë nuk kam marrë. Qeveria e Serbisë m’i jep 190 euro si ndihmë sociale në muaj”, thotë serbi nga Kosova.

Por si Dragani nuk mendojnë edhe Stefan Sekollic dhe Ollga Markovic, po ashtu nga Gracanica.

Sekollic thotë se ai bashkë më familjen e tij, qysh në ditën kur zyrtarët për regjistrim të popullsisë do të trokasin në derën e tij, do ta kryejnë këtë punë.

Ai thotë se jeton këtu dhe se nuk dëshiron që të shkojë në ndonjë vend në Serbi për të jetuar.

“Do të pranoj të regjistrohem. Unë kam veturën në KS dhe kur shkoj rrallëherë në Serbi, më duhet të paguaj, sepse e kam veturën edhe në PR. Paguaj andej, paguaj këtu. Kështu që kam vendosur të jem vetëm këtu dhe do t`i përgjigjem çfarëdo ftese të institucioneve të Kosovës”, thotë ky serb.

Njëjtë mendon edhe banorja tjetër serbe e Graçanicës, Ollga Markovic.

Ajo thotë se do të veprojë njësoj sikur do të veprojnë shumica e banorëve të Kosovës.

“Çfarëdo të bëjnë shumica, do të bëjmë unë dhe familja ime. Natyrisht se do të regjistrohemi si familje në datën e përcaktuar”, thotë ajo.

E, kryetari i Komunës së Gracanicës, Bojan Stojanovic ka thënë se përkrah regjistrimin e popullsisë dhe ka ftuar banorët në Gracanicë që t`i përgjigjen këtij procesi.

“Komuna e Gracanicës qysh dje është e gatshme të fillojë këtë proces. Do të jetë edhe më frytdhënës procesi i regjistrimit sesa që disa mendojnë”, thotë ai për Express.

Thaçi fton qytetarët për regjistrim

Kryeministri Hashim Thaçi i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit të popullsisë, duke e konsideruar këtë proces, si më të rëndësishmin, nga koha kur është shpallur pavarësia e vendit.

Ai ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për të nisur ky proces, duke shtuar se personalisht ka qenë i angazhuar në përgatitjet për nisjen e këtij procesi, bashkë me drejtuesit e Ministrisë dhe komisionit përkatës.

“Në Kosovë nuk ka pasur një regjistrim të tillë qe 3 dekada dhe rrjedhimisht, nuk dihet se sa banorë jetojnë në këtë vend. Aktualisht nuk ka të dhëna të sakta as për ekonomitë familjare, e as për shkallën e arsimimit të qytetarëve të këtij vendi,” ka vlerësuar kryeministri Thaçi.

”Regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare është një proces shumë i rëndësishëm që ka reflektime në të gjitha çështjet strategjike të institucioneve të Kosovës. Regjistrimi i popullsisë do të mbikëqyret nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Ata janë në proces me këshillat dhe rekomandimet e tyre. Prandaj, procesi do të jetë me standardet e EUROSTAT-it”, tha Thaçi.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Qendror të Regjistrimit, Rifat Blaku thotë se janë bërë të gjitha parapërgatitjet dhe Komisioni është në vlugun e punëve përfundimtare, në mënyrë që të përmbushen të gjitha standardet e kërkuara nga Eurostati.

Ai po ashtu heq dilemat nëse regjistrimi në veri të vendit do të kryhet nga UNOPS-i duke theksuar qartë se regjistrimin e popullsisë në veri të vendit do ta bëjnë institucionet kompetente të Kosovës dhe jo UNOPS-i.

Sipas Blakut, regjistrimi do të fillojë më datën 1 prill dhe të gjitha rezultatet do të certifikohen vetëm nga institucionet kompetente të Kosovës.

Serbia insiston për UNOPS
Sekretari shtetëror i të ashtuquajturës Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic ka thënë të mërkurën se mund të sillet vendimi rreth shtyrjes për gjashtë muaj të regjistrimit në Kosovë, të paralajmëruar për 1 prill dhe se Serbia insiston që këtë regjistrim ta zbatojë Zyra për Shërbime Projektuese të Kombeve të Bashkuara (UNOPS).

“Gjashtë muaj është periudhë e gjatë dhe do të ishte rast për të provuar sinkronizimin e regjistrimit tonë dhe të shohim çfarë mund të bëhet në këtë drejtim të mbrojtjes nga instrumentalizimi dhe që të kemi rezultate në të cilat nuk do të dyshojmë apo të cilat nuk do të na sjellin në pozitë nënshtruese si komb”, ka thënë Ivanovic për televizionin publik serb.

Sipas Ivanovicit, për shtyrje të regjistrimit ka klimë politike dhe se për UNOPS-in, nëse merr ndonjë detyrë për regjistrim të popullsisë në tërë territorin e Kosovës, do të ishte detyrë serioze.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›