E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi D, humbasin“koka” dhe “bishti”, fitojnë aspirantët



Leonard Karaj

Franca është mundur nga Spanja, ndërsa Rumania nga Izraeli në fushat e tyre. Fitore për Bosnjën dhe Bjellorusinë, humbet Luksemburgu. Në grupin D, për kualifikimet e evropianit të 2012-ës humbasin “koka” dhe “bishti”, teksa fitojnë skuadrat e mesit. Kështu Franca dhe Rumania, të konsideruara si skuadrat më të forta në këtë grup kanë humbur ndeshjet e tyre, madje edhe në fushat e tyre. Franca është mundur nga Kampionët e Evropës, Spanja. Një gol i David Vilës dhe një i Serxhio Ramosit bënë që “gjelat” të dilnin kokulur nga stadiumi i tyre. Trajneri Rajmond Domenek provoi të gjitha kartat por pa mundur që të shënojë të paktën një gol në portën spanjolle. I njëjti rezultate dhe për rumunët në fushën e tyre. Skuadra e Razvan Luçeskut iu dorëzua izarelitëve, të cilët shënuan dy herë për çdo pjesë loje. Mesfushori sulmues i Liverpulit, 29-vjeçari Josi Benajoun shënoi në minutën e 45-të golin e parë për Izraelin dhe të 20-in personal me Kombëtaren e tij, ndërkohë që 40 minuta më pas, në të 85’, sulmuesi i Racing Genk në kampionatin belg, Barda dyfishoi shifrat për formacionin hebraik. Tjetër gjë për Bosnjë-Hercegovinës, e cila fitoi 2-1 kundër Ganës, në miqësoren ndërkombëtare të zhvilluar në “Olimpiskij Stadion” të Sarajevës. Mesfushori i Interit, Sulej Muntari me golin e tij të minutës së 22-të i dha avantazhin e përkohshëm Ganës. Pesë minuta përpara përfundimit të pjesës së parë, sulmuesi 25-vjeçar i Hofenheimit në Gjermani, Vedad Ibiseviç, shënoi golin e barazimit për Bosnjën. Vulën fitores ia vuri sulmuesi i talentuar i Olimpikut të Lionit në Francë, Miralem Pjaniç me golin e tij në minutën e 65-të. Fitore në transfertë për Bjellorusinë e cila mundi Armeninë, skuadër kjo më e dobët edhe se Shqipëria. Për bjellorusët shënuan Putilo, Hleb dhe Rodionov. Ndërsa ka humbur miqësoren e mbrëmjes së djeshme edhe skuadra më e dobët e grupit D, Luksemburgu. Megjithëse kaluan të parët në avantazh me Straser ata nuk mundën t’i bënin ballë Azerbajxhanit, i cili shënoi dy herë me Gylijev dhe Mamadov.

Miqësoret/Grupi D

Armeni-Bjellorusi 1-3
Shënues: Pachayan 59'/ Putilo 58’, Hleb 73’, Rodionov 86’
Bosnjë-Ganë 2-1
Shënues: Ibisevic 40', Pjanic 65'/ Muntari 22’
Luksemburg-Azerbajxhan 1-2
Shënues: Straser 33'/ Guliyev 27’, Mamadov 36’
Rumani-Izrael 0-2
Shënues: Benayoun 45’, Barda 84’ (p)
Francë-Spanjë 0-2
Shënues: David Villa 22’, Ramos 45’

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›