E Diel, 1 Nëntor 2026

Fast-food–i, mania që na kanos disa lloje sëmundjesh

Të rinjtë, pre e fast-food manisë

Mjekët: Sëmundjet më të shumta vijnë nga ushqimet e shpejta dhe të thata

Mirëqenia e ka emrin obezitet, kështu cilësohet nga mjekët endokrinologë sëmundja e obezitetit. Sipas tyre, shifrat e personave të prekur nga kjo sëmundje po rriten nga dita në ditë dhe shkaqet sa vijnë e bëhen më të shumta. Ndërkohë që ata theksojnë se një ndër shkaqet kryesore është ushqimi, mënyra se si prodhohet ai, furnizimi, shpërndarja, tregtimi, reklamimi dhe konsumimi i tyre.

Fast-food-i, baras me obezitet

Ushqimi i shpejtë, në pak kohë dhe i lirë mbart me vete edhe sëmundjen e obezitetit. Kështu, tregu i lirë dhe reklamimi krijojnë preferenca të reja dietetike ushqimore të rinjve, sidomos në qytet. Ushqimet natyrale me produkte të freskëta, zarzavate, fruta, fibra, bukë të zezë, qumësht dhe produktet tradicionale të tij po lihen pas dore si “demode”. Në vend të tyre ushqimi i industrializuar, më shpesh i importuar, i gatshëm, gjysmë i gatshëm (Fast-food, Sandviç, Mac Donald, Doner, Coca-Cola, Fanta, çokollata, dhe pijet alkoolike të forta) me shije të reja, por me kalorazh tepër të lartë dhe përbërje ushqimore kryesisht yndyrore, sheqerore dhe alkoolike kanë pushtuar tregun dhe tryezat. Bashkë me to po zhvendoset gradualisht dhe vendi i ngrënies: nga ai tradicional familjar shtëpiak në atë “me shoqëri” në lokal. Edhe tradita e marrjes së ushqimit nga shtëpia me vete në çantë për ta konsumuar gjatë pushimit të drekës në punë ose në shkollë, po zëvendësohet me blerjen e tij të gatshëm nëpër kioska, pika shitjeje ambulante apo automate të vendosura kudo në qendra pune ose shkolla. Një rrjet i panumërt restorantesh, baresh, qebaptoresh, pastiçeri në tezga, kioska apo lokale super luksoze kanë mbirë kudo: në rrugë, shkolla, qendra pune dhe banimi. Të gjitha së bashku kanë krijuar “BUM” ushqimor dhe kalorik të paparë, që i tërheq njerëzit me kënaqësitë dhe shijet e reja gastronomike dhe kulinare aq të lakmuara, por të paplotësuara dot ndonjëherë më parë. Rrezikun e dytë, sinergjist me të parin, e përbën rehatia fizike. Një stil i ri jetese po përhapet i karakterizuar me aktivitete fizike dhe veprimtari muskulore të pakësuara.

Sëmundjet

Dëmet e obezitetit janë në mbi 80% e sëmundjeve ishemike të zemrës. 90% e diabetit të rriturve dhe një treta e numrit të sëmurëve me kancer, pra edhe të rasteve të vdekjeve ose vuajtjeve të lidhura me to, është vërtetuar se mund të parandalohen. Duhen për këto vetëm tri masa të thjeshta, jo të kushtueshme dhe të realizueshme kudo: dietë ushqimore, aktivitet i përditshëm fizik dhe mospirje ose ndalim i duhanit.

Këshilla

Autokontroll, minimizim dhe parandalim i ngrënies së ushqimeve të thata

Përdorimi sa më i shumtë në ushqimin e përditshëm të popullatës i zarzavateve, dhe

frutave të freskëta (minimumi 400 gr në ditë) dhe ushqimeve me përmbajtje të lartë fibre

Promovim i veprimtarisë së përditshme fizike (minimumi 30 minuta ecje në ditë)

Minimizim i konsumit të yndyrave shtazore në raport me ato me origjinë bimore

Kufizim i produkteve ushqimore me përmbajte të lartë të yndyrave, kripërave dhe sheqernave të lira

Mbajtje e peshës trupore në shifra optimale, shmangie i shtimit në peshë

Mospirje ose ndërprerje e duhanit

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›