Hapen specializimet për Mjekësi Interne
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tiranës shumë shpejt do të kenë mundësi të ndjekin program studimi për specializim afatgjatë për Mjekësi Interne. Kështu, gjatë ditës së djeshme është marrë një vendim i rëndësishëm në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për “hapjen e programit të Studimit Specializues Afatgjatë, për Mjekësi Interne, pranë Fakultetit të Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës dhe për miratimin e kuotave të pranimit në këtë program për vitin akademik 2007 – 2008. Me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi për hapjen e këtij programi të studimit specializues afatgjatë për mjekësinë interne, kohëzgjatja e kryerjes së programit do të jetë 4 vite dhe me kohë të plotë. Pas kryerjes së programit, lëshohet diploma “Mjek specialist për mjekësinë interne“. Kuota e pranimit për vitin akademik 2007 – 2008 do të jetë 23, për sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë.