E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artisti në kronikën e një qyteti

Flet regjisori Haxhi Rama, pas shpalljes “Qytetar Nderi” i Durrësit. ǒdo të thotë për aktorin e humorit të jesh pjesë e një qyteti, i luftës për të mbijetuar dhe për të ndryshuar realitetin ku jeton. Qytetari dhe artisti përballë sfidës kulturore, mënyrës se si ngrihet në piedestal nga adhuruesit dhe arsyes njerëzore, për të qenë i rëndësishëm në jetën e të tjerëve

Haxhi Rama, regjisor i njohur i estradës së Durrësit, me një karrierë të gjatë në fushën e artit skenik, është nderuar me rastin e 65-vjetorit të lindjes me titullin “Qytetar Nderi i Durrësit”, titull të cilit iu akordua nga Këshilli Bashkiak i Durrësit. Në ceremoninë e zhvilluar, për të nderuar dhe vlerësuar kontributin e Haxhi Ramës, në hollin e Pallatit të Kulturës kanë marrë pjesë drejtues të pushtetit vendor, miq dhe kolegë të Ramës, si dhe përfaqësues të fushës së artit dhe kulturës. Në një intervistë për gazetën “standard”, Mjeshtri i Madh i Punës, regjisori dhe tashmë “Qytetari i Nderit”, Haxhi Rama, është shprehur se “dua të punoj në skenë deri në fuqinë time të fundit, ndonëse kam marrë edhe shumë tituj të tjerë më parë, ky i këshillit bashkiak është më i rëndësishmi, pasi do të thotë të vlerësohesh nga bashkëqytetarët e tu”. Motivacioni: “Mjeshtrit të artit skenik që me fuqinë e artit të tij i dha nderim emrit të qytetit të vendlindjes në Shqipëri dhe më gjerë”.

Shumë tituj kemi dëgjuar të marrin personalitetet e kulturës dhe artit, si “Qytetar Nderi”. Për ju ç’do të thotë të jesh i nderuar në një qytet?

Jo vetëm unë, por të gjithë artistët kanë një të keqe që nuk na pëlqen, që të përsëritim të njëjtat gjëra, megjithëse unë do ta them sërish. Megjithëse unë kam marrë një çmim si regjisori më i mirë, çmim kombëtar dhe çmimin më të lartë, Mjeshtër i Madh i Punës, megjithatë në fund të fundit, për një jetë që mendoj unë, një jetë qytetare duke pasur një mision të tillë, mua më duket se është titulli më i saktë për mua. Tani kam marrë titullin nga qyteti im, ku unë kam bërë detyrën time, nuk kam marrë përsipër ndonjëherë se do të tronditë Shqipërinë, do të tronditë botën etj. Unë kam besuar gjithmonë se do të jem një qytetar i mirë, një qytetar i ndershëm dhe këtë gjë po ma njeh qyteti im. Kjo është gjë shumë e mirë, është tamam një titull shumë i mirë, sepse edhe njerëzit që nuk banojnë në Durrës, kur ta dëgjojnë do të thonë: Ou, durrsaku ynë, prapë do të hyjë qyteti, se çfarë vlere ka nëse nuk futet edhe një gjë e tillë. Se kam bërë një punë, shumë apo pak, por e them se këtë punë që kam bërë deri tani, e kam bërë për qytetin tim. Gjithçka që kam bërë duket sikur tani po merr konfirmim, unë po them kështu: se të gjithë këtë punë që kam bërë e kam bërë për qytetin tim, por qyteti im deri tani kishte heshtur. Pra qyteti ma aprovon kontributin tim, dhe kjo është shumë e drejtë dhe me vlerë, është njësoj si të marrësh urim prej nënës, vëllait, motrës, prej familjes tënde dhe padyshim ky është një urim shumë i rëndësishëm dhe më i vlefshëm se të gjithë, kjo është ideja ime.

ǒështë për ju një artist qytetar?

Unë kam një jetë në fushën e artit skenik, qysh nga viti 1965, ndonëse unë kam filluar më parë si amator, kam mbi 40 vjet punoj dhe unë them se është një jetë që gjithsekush e vë në dispozicion të një ideje dhe e arrin. Këtë ide e arrita, por e di se ç’është? Njeriu nuk punon në fund të fundit për të marrë titullin, punon për kënaqësinë e vet, për të shpërndarë apo për të qarë me njerëzit hallet, se është kronika e shkurtër e kohës, e artistit dhe ne jemi përpjekur ta pasqyrojmë gjatë gjithë kohës këtë jetë të kronikës së qytetit, kjo është e gjithë lufta. Qyteti merr atë që meriton dhe ti merr kënaqësinë tënde njëkohësisht, prandaj unë mendoj se kjo jetë do të vazhdojë, nuk ka përse të ndalet këtu. Nuk nisem me atë se do të marr këtë çmim dhe mbaroi.

Cilat janë emocionet që ndjeu Xhixhi pas marrjes së titullit dhe pranisë së mjaft kolegëve dhe miqve tuaj?

Emocionet janë të natyrshme dhe të jashtëzakonshme, por shyqyr se një herë më parë e mendova se do të ndodhë diçka dhe do të më kapte dobësia, por e kapërceva dhe arrita të them dy llafe që kisha dëshirë t’i thosha, isha shumë i emocionuar në fakt. Ishte shumë bukur, shumë bukur, më pëlqyen shumë. Iu thashë që në fillim se mos e merrni se do të bëni ndonjë spektakël dhe mos u merakosni shumë, por doli me të vërtetë shumë bukur. I falënderoj përzemërsisht.

Jeni një artist tepër aktiv, me jetë artistike. A mund të na tregoni cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Kam plot të tilla, sapo kam mbaruar një komedi që e fillova, por e ndërpreva për efekt të sezonit, sepse ngaqë filloi sezoni turistik, nuk u mendua që të jepet në këtë kohë në salla të mbyllura, kështu që kemi menduar të fillojmë në shtator dhe premierën ta japim në tetor. Komedia quhet “Një lidhje për zgjidhje”. Kjo bën fjalë për zgjidhjen e problemeve të këtyre pleqve, grave dhe burrave që mbeten pa martuar, aq më tepër që në Shqipëri ky problem është më akut, pasi emigracioni ka bërë që shumë njerëz të kaluar në moshë të mbeten vetëm, janë pothuajse vetëm fare. Ideja ime është që këta njerëz duhet të jenë më praktikë, sepse shesh na mbyt ndonjë koncept fanatik, sentimentalist se “meqë më vdiq burri, apo më vdiq gruaja, do t’i rrijë atij besnik”, por jeta është jetë dhe njeriu duhet të jetë pak më racional për veten e tij. Skena mbetet jeta ime.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›