E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhet ; Mjekë dhe pastërti këtë sezon non stop

Shërbimi shëndetësor do të jetë 24 orë në qendrat shëndetësore në të gjitha zonat turistike të vendit, ndërkohë që këto qendra dhe urgjencat mjekësore do të furnizohen me medikamente dhe materiale mjekimi të ndihmës së shpejtë. Gjithashtu, do të shtohet dhe numri i kontrolleve higjieno-sanitare dhe epidemiologjike në zonat turistike. Këto kontrolle konsistojnë në monitorimin e ujit të pijshëm, dezinfektimin dhe marrjen e analizave për treguesit fiziko-kimikë e mikrobiologjikë, duke bërë matjen e klorit dy herë në ditë; kontrollet në hotele, restorante dhe pikat e tregtimit të produkteve ushqimore (për zbatimin e rregullave të përgjithshme të higjienës dhe veçanërisht në zbatimin e normave për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore); për dezinfektimin, dezinfektimin dhe deratizimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të të gjitha territoreve të zonave turistike.

Në urdhër kërkohet që "në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit dhe autoritetet e pushtetit vendor, të ushtrohen kontrolle higjieno-sanitare për gjendjen e mjedisit e veçanërisht për grumbullimin, largimin e përpunimin e mbeturinave urbane, si dhe ujërave të zeza nga gropat septike", - thuhet në urdhër. Drejtoritë e spitaleve të zonave turistike, nga ana e tyre, do të marrin masat të presin të sëmurët për trajtim spitalor, duke planifikuar dhe shtretër rezervë në rast nevoje. Për këtë flasin për “standard” Marjeta Selfo, shefe e sektorit të Higjienës dhe Epidemiologjisë dhe Erol Çomo, shef i Mjekësisë Familjare për masat e marra në lidhje me masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë në garantimin e higjienës sanitare dhe shërbimit mjekësor non stop.

Erol Çomo, shef i mjekësisë familjare

Z. Çomo, cilat janë masat që po merr sektori juaj në ofrimin e shërbimit shëndetësor për zonat turistike?

Ka dalë një urdhër i ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka. Ky urdhër është i përvitshëm, çka do të thotë që në prag të stinës së ngrohtë të verës dhe shtimit të popullatës në zonat turistike, ardhjes së pushuesve, MSH-ja çdo vit në maj dërgon urdhër dhe standarde se si duhet organizuar shërbimi i kontrollit të strukturave tona që përfshihen në detyrim të shëndetit publik. Këto përfshijnë sektorin e Higjienës dhe atë të Epidemiologjisë për masat konkrete dhe specifike për sezonin që ka të bëjë me sigurinë diarreike me problemet që mund të kenë fëmijët e vegjël, sidomos gjatë sezonit kur temperaturat janë të larta, me asistencën mjekësore për zonat ku ka mbipopullim, me ardhjen e turistëve, siç është në përgjithësi pjesa kryesore, pjesa bregdetare. Ky urdhër ka rreth një muaj që ka dalë dhe angazhon këto sektor, sektorin e higjienës dhe epidemiologjisë për masat e vendet dhe mënyrën e organizimit të këtyre kontrolleve që janë periodike. Kjo konsiston në moshën fëminore, në ngritjen e pikave për t’i rehidruar fëmijët që kanë çrregullime diarreike, pra heqje barku, çrregullime të digjestionit, sepse ajo është edhe mosha më delikate. Në këtë rast, angazhohen mjekë me eksperiencë me një shërbim rreth 24 orë. Ka infermierë me eksperiencë që dinë të manipulojnë me perfuzionet. N.q.s. fëmija nuk i korrigjon heqjet diarreike me anë të solucioneve rehidruese, që është tresoli nga goja, atëherë mund të bëjë perfuzion, por që kjo është nën rekomandimin e mjekut. Këto pika, sidomos në qytetet kryesore, janë të vendosura pranë poliklinikave të qytetit, pra është i vendosur një kënd, këndi i rehidrimit. Aty asistohet fëmija për sa kohë i duhet për sëmundjen e rëndë që ka. Këtu angazhohen mjekët pediatër më të afirmuar e më të zotë që ne kemi nga konsultoret e këtij qyteti.

Shërbimi shëndetësor 24 orësh, në cilat kategori do të fokusohet më së shumti?

Problemi kryesor në stinën e nxehtë është për moshën pediatrike që është edhe mosha më problematike dhe pastaj janë masa të tjera specifike për popullatën. Meqenëse në vijën bregdetare ka shumë njerëz, shtohet popullimi i njerëzve, pikat tregtare ushqimore ambulante sigurisht që kanë veprimtarinë e tyre. Hyn në veprim edhe sektori i Higjienës dhe Epidemiologjisë të cilët bëjnë kontrolle periodike sipas standardeve që kanë për çdo lloj shfaqjeje që mund të ndodhë në lidhje me ndonjë helmim ushqimor ose çrregullim. Marrim mostrat dhe menjëherë japim përgjigje se ku është burimi i infeksionit dhe çfarë masash duhen marrë për ta kontrolluar atë. Urdhri i ministrit përmban dy çështje kryesore, çështja që ka të bëjë me mbrojtjen e jetës së fëmijëve nga çrregullimet e ndryshme në stinën e verës dhe njëkohësisht, garantimin e cilësisë ushqimore në pikat e ndryshme turistike, sidomos në pikat ambulante të shtrira këto në gjithë bregdetin tonë si dhe ku ka turizëm. Lidhur me asistencën mjekësore për turistët që kanë nevojë për ndihmë mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë një njoftim në kuadrin e sezonit turistik për tetë rrethet që janë më së shumti të angazhuara për periudhën turistike, duke ofruar shërbim mjekësor 24 orë në të tetë rrethet: Shkodër, Lezhë, Fier, Durrës, Lushnje, Sarandë, Vlorë, Pogradec, konkretisht atje ku ka liqene dhe det. Janë ngritur këto pika që janë qendra shëndetësore të pajisura me mjekë dhe infermiere dhe janë në gatishmëri për çdo lloj aksidenti dhe incidenti mjekësor për të dhënë ndihmën e tyre. Ky shërbim është i kontraktuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë qoftë nga ana financiare dhe nga burimet njerëzore, si dhe ka në dispozicion dy autoambulanca përgjatë vijës bregdetare. Qendrat shëndetësore kanë shpallur numrat e telefonit. P.sh. edhe për ata që nuk arrijnë të vijnë në qendrën shëndetësore që të asistohen, pasi ka pësuar një aksident në vijën bregdetare, ai merr numrin e telefonit dhe autoambulanca i vjen menjëherë në ndihmë mjekësore për t’u dërguar më pas në spitalin e qytetit. Do të bëjnë kontrollet periodike, evidentojnë nëse ka ndonjë rast apo ndonjë ankesë, bëhet ekzaminimi laboratorik, lokalizohet burimi i infeksionit. Merren masat dhe më pas jepet informacioni, mjekohen njerëzit.

Zonat problematike që janë evidentuar nga viti i kaluar dhe që pritet të rikuperohen gjatë këtij viti?

Nuk ka pasur zona problematike në tetë zonat që mbahen nën vëzhgim. Që nga Shkodra e deri në Sarandë janë në gatishmëri për çdo gjë që mund të ndodhë si nga ana higjienës ushqimore apo anës së mjedisit. Vëmendja më e madhe është në ato zona ku ka fluks të shumtë turistësh, në plazhet e Durrësit, Vlorës, Sarandës e Himarës. Inspektorët janë të angazhuar shumë në të gjitha zonat e Shqipërisë.

Marjeta Selfo, shefe e sektorit të Higjienës dhe Epidemiologjisë

Cilat janë masat që ka ndërmarrë sektori juaj për të garantuar sigurinë e higjienës gjatë vijës bregdetare?

Sektori i Higjienës dhe Epidemiologjisë e intensifikon punën gjatë sezonit të verës në drejtim të kontrollit të sëmundjeve infektive, diarreike, intostikacionit, bënë mledhjen e të dhënave në sektor. Ndjek më tej gjendjen e sëmundjes me rastet e tjera të kontaktit. Për të ndikuar në përmirësimin, pra në shëndoshjen e gjendjes, merren edhe masa të tjera, si kontrolli i ujit të pijshëm, niveli i klorit të tij, bëhet kontrolli dy herë në ditë. Gjithashtu, kontrollohen më mirë dhe me intensitet më të madh të gjitha ambientet e pushimit, restorantet, hotelet. Gjithashtu, kontrollohen edhe njësitë e tregtimit me pakicë, edhe vendet ambulante që tregtojnë produkte ushqimore. Në rastet e dyshimit mbi kalimin e afatit të skadencës apo që këto ushqime mund të jenë të kontaminuara, atëherë merren mostra dhe shkojnë për ekzaminim.

Si paraqitet gjendja e deritanishme?

Deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast të shfaqjeve të intosikacioneve. Gjithashtu, nëpër të gjitha këto ambiente të pushimit, kontrollet nga

Inspektorati i Higjienës dhe Epidemiologjisë për masat e marra në drejtim të deratizimit, dizinsektimit, dezinfektimit. Gjithashtu, kontrollohen të gjithë punonjësit e shërbimit social, të jenë të pajisur me libreza shëndetësore, njëkohësisht edhe masa e përgjithshme higjienike se si janë marrë ato. Shtohet puna e bashkëpunimit me Inspektoratin e Mjedisit për të parë të gjitha ambientet e jashtme, ambienteve ku pushohet në drejtim të kontrollit të gropave septike të tërheqjeve të mbetjeve, të çfarëdo lloji që janë ato.

Somario

Këshilla

Ruani burimet e ujit, rrjetin e ujësjellësit, puset dhe rezervuarët e ujit. Pastroni dhe dezinfektoni çdo vit rezervuarët dhe puset. Në qoftë se dyshoni në pastërtinë e ujit, përdorni ujë të zier, filtra të posaçëm ose ujë të ambalazhuar dhe lajmëroni institucionin përgjegjës (ujësjellësin). Një kujdes i veçantë duhet treguar për produktet ushqimore. Lajini dhe përpunojeni mirë termikisht ato, t’i ruani në vende të përshtatshme dhe në kushte frigoriferike. Gjithashtu, higjiena e mjediseve të banimit, të punës, të mësimit dhe përreth tyre (pastrimi, sistemimi, gjelbërimi etj.). Përdorni dezinfektantë kundër insekteve (miza, mushkonja, rriqra etj.). Hidhni mbeturinat vetëm në vendet e caktuara. Insistoni që të sëmuret me sëmundje ngjitëse të shtrohen në spital ose të izolohen në dhoma të veçanta, si dhe të mjekohen rigorozisht.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›