Mbretëresha Geraldinë”, me shërbim urgjence për gratë shtatzëna
Ministri Ndoka dhe ambasadori i SHBA-së Withers përuruan dje mjediset e reja të maternitetit “ Mbretëresha Geraldinë”
Spitalit Obstetrik Gjinekologjik në Tiranë “Mbretëresha Geraldinë” i shtohet një qendër e trajtimit të urgjencave. Të gjitha gratë dhe nënat që i drejtohen kësaj qendre do të marrin një shërbim më të specializuar, pasi kjo qendër do të shërbejë si pikë e rëndësishme e takimit të pacientëve me stafin mjekësor për përcaktimin e diagnozës dhe dhënien e ndihmës së parë.
Qendra
Qendra e Pranimit të Urgjencave është përuruar dje në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, ngritja e së cilës u mundësua nga AMC-ja dhe USAID-i. Ajo u përurua dje, 1 vit pas vizitës historike të Presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe znj. Laura Bush, e cila, vizitoi mjediset e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
Përmes fondeve të dhëna nga AMC-ja dhe USAID-i u rehabilituan mjediset e ku do të funksionojë Qendra e Pranimit të Urgjencave dhe pajisja e saj me aparaturat e nevojshme mjekësore.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, drejtori i USAID, Edëard Landau, drejtori i Produkteve dhe Shërbimeve, si dhe drejtori i marketingut të AMC-së, George Papadakis, bashkëshortja e Kryeministrit Berisha, znj. Liri Berisha, mjekë etj.
Drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, dr. Halim Kosova, shprehu mirënjohjen për USAID-in dhe kompaninë AMC, të cilët iu përgjigjën menjëherë kërkesës për investim për ngritjen e një qendre të tillë.
Ndërsa ministri Ndoka vuri në dukje se “kujdesi për shëndetin e nënës dhe fëmijës është një prioritet madhor për qeverinë shqiptare dhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për përmirësimin e standardeve të shërbimit jo vetëm në këtë maternitet, një nga institucionet tona shëndetësore më të mira, por në të gjithë rrjetin e vendit”.
Nga ana e tij, ambasadori Withers tha se “puna që ju keni bërë këtu do të ofrojë shërbime dhe ndihmë ndaj grave në një spital që i shërben gjithë Shqipërisë, do të përmirësojë në mënyrë cilësore kujdesin që u ofrohet nënave të reja dhe fëmijëve të sapolindur, do të ofrojë një vend ku gratë shtatzëna të marrin informacion dhe përkujdesje, por do të jetë dhe një vend ku gratë shtatzëna do të shkëmbejnë përjetimet e tyre".
Sipas ambasadorit amerikan, pajisjet dhe ndihma që ofrohen do të ndihmojnë gjithashtu në reduktimin e kostove të shtrimit të pacientëve.
Përfaqësuesi i kompanisë AMC, George Papadakis, pasi vlerësoi punën e bërë për ngritjen e kësaj qendre, shprehu angazhimin për të kontribuar në projekte të tjera në të ardhmen. Të pranishmit ndoqën dhe ekspozitën fotografike me temë nga vizita e znj. Laura Bush, të çelur në mjediset e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.