Ujësjellësi pret lidhjet e paligjshme në ish-Kënetë
Ka nisur dje aksioni masiv i Ujësjellësit për prerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme në zonat periferike, duke synuar rritjen e prurjeve në plazh. Qindra tubacione plastike janë prerë në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Ato janë bërë problem serioz edhe në investimin për rrugën e re, e cila përshkon tejpërtej këtë zonë informale banimi. Punonjës të ndërmarrjes së Ujësjellësit në Durrës të pajisur me ruspa, gërshërë e saldatriçe kanë qenë në zonën e ish-Kënetës. Ata për disa orë me radhë kanë punuar për prerjen e lidhjeve abuzive të ujit të kryera nga banorët e kësaj zone. Objekt i punës së tyre kanë qenë dhjetëra e dhjetëra tuba plastikë, të cilët ishin lidhur me tubacionin qendror me diametër 50 cm, që furnizon me ujë një pjesë të madhe të qytetit të Durrësit. Meritan Stari, kryeinspektor në Ujësjellës, deklaroi për “standard” se “kjo ndërhyrje është kryer për disa arsye: e para, se këto lidhje janë të paligjshme, e dyta, se kanë bllokuar punimet e rrugës së re për të cilën janë investuar miliona dollarë dhe e treta, se lënë pa ujë gjysmën e plazhit dhe vetë qytetit të Durrësit”. Pas ndërprerjeve të këtyre lidhjeve, burimet në tubacion janë mbyllur me saldime. Sipas inspektorëve të Ujësjellësit, në këtë zonë rezulton se ka familje që nëpërmjet këtyre lidhjeve kanë siguruar ujë nga dy apo tre drejtime njëherësh, sipas Starit. Pjesa më e madhe e tyre nuk kanë paguar ndonjëherë për ujin që konsumojnë. Nga ana e tyre, banorët kanë kërkuar që t’u lidhet uji i pijshëm nga ana e ujësjellësit në rrugë ligjore. Për këtë problem Stari tha se “Ujësjellësi ka shtrirë tubacione me diametër 60 mm për këtë zonë dhe secila prej familjeve mund të shkojë pranë ujësjellësit e të lidhë kontratë me të, vetëm kështu mund të realizohet lidhja e ujit nëpër banesat e tyre”. “Furnizimi me ujë në mënyrë abuzive nga banorët e kësaj zone më ka krijuar prej vitesh probleme për furnizimin e banorëve të Durrësit si dhe të zonës së plazhit. Në një kohë që këta banorë marrin ujë 6 apo 7 orë në ditë, Durrësi furnizohet vetëm me 2 orë ujë, ndërsa plazhi me 1 orë ujë në ditë. Prerjet e lidhjeve të paligjshme do të rrisin ndjeshëm prurjet në lagjen e plazhit”, - sqaroi Stari.