E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fat i madh që na ka gjetë, erdhi Feimi deputet. Do ta bëjë fshatin qytet”

Nga Antena brenda familjes

Në komunën e Shishtavecit në Kukës ka nisur festa.

Që në momentin që morën vesh se Flamuri ishte i pari i listës, dolën rrugëve i madh dhe i vogël.

- Më në fund na dëgjoi dhe ne njëherë qeveria. E mori parasysh letrën që ne i bëmë si fshat për të kandiduar djalin tonë.

Të gjithë u mblodhën në shesh të fshatit dhe flisnin vetëm për kandidimin e Feimit, siç i thonë, se s’janë mësuar akoma me emrin e ri, Flamur.

Edhe pushteti lokal ka marrë masa për mbarëvajtjen e festës së Feimit.

Një grup këshilltarësh, të gjithë me mbiemrin Noka, kanë bërë propozimin që Feimi të shpallet Qytetar Nderi i Shishtavecit, se është i vetmi njeri i rëndësishëm i zonës së tyre që ka ra poshtë në Tiranë e është bërë i rëndësishëm, pasi të tjerët punojnë ose policë, ose në ndërtim, për shkak të mungesës së arsimit.

Terezinë ua prishi një bashkëfshatar i tyre, i cili tha se “ne jemi fshat, nuk jemi qytet, ndaj s’mund ta shpallim dot Qytetar Nderi, derisa nuk jemi vetë qytetarë.”

Mbasi vranë mendjen e pyetën edhe ca prej atyre që kanë ra poshtë në Tiranë, vendosën njëzëri që, meqë s’janë qytet, ta shpallin Fshatar Nderi.

U porosit një certifikatë me mbishkrimin “Feim Noka, Fshatar Nderi i komunës së Shishtavecit” dhe po diskutohet që te shtëpia ku ka ndenjur Flamuri e që tani e ka xanë një kushëri i veti, të vendoset një pllakë me mbishkrimin “Këtu ka banuar Feim Noka, deputet i Kuvendit Popullor”.

Meqë s’kishin ku ta gdhendnin pllakën përkujtimore, atë e mori përsipër një kuksian që bën varre dhe ka vegla për gdhendje të tilla.

Ndërkohë, sa të bëhet pllaka, komisioni i festës së Feimit po i jep një dorë përgatitjeve të fundit. Zbulimi i pllakës dhe dhënia e certifikatës do të bëhen në një ceremoni, për të cilën s’e kanë caktuar datën akoma, se varet prej atij vorraxhiut, kur e mbaron pllakën, se ka pas shumë punë këto ditë në dorë dhe s’i dihet.

Kryetari i komunës bëri gati fjalimin që do të mbajë me rastin e kandidimit dhe të nderimit të Feimit, në të cilin iu jep fund hamendjeve që ekzistonin deri tani në fisin Noka se Feimi qe më qurrashi i fëmijëve dhe që edhe me bagëti s’e dërgonin kurrë vetëm, se ia hante ujku. “Por Feimi paska qenë margaritar i fshehur e s’e paskemi ditur, - thotë me tej fjalimi, - ai tashmë është dora e djathtë e zotni Sali Berishës.”

Mësuesi i shkollës sugjeroi që ta hiqnin këtë punën e dorës së djathtë, se s’dihej si merrej, por e akuzuan menjëherë si njeri të shitur tek opozita.

- Prisni mor burra, se s’ia kam pas me të keq, - u justifikua mësuesi. - Dora e djathtë s’përdoret vetëm për punë të mira, por edhe për masturbim. Po sikur ata të gazetave që e kanë halë në sy Feimin ta trajtojnë kështu çështjen?

Më tej diskutimi vijon me një propozim që Feimin ta bëjmë edhe zëvendëskryeministër.

- Pse të mos bëhet? ǒi mungon djalit tonë? - arsyetuan. - Doktor Saliu, doktor edhe Feimi. ǒka më shumë ai burri nga djali ynë?!

Një propozim tjetër që u diskutua në log të burrave ishte dhe ai për vënien e emrit të aeroportit të Kukësit aeroporti “Feim Noka”, sepse kontributi i tij për Kukësin ka qenë i pamatë.

- Ku kishim parë ne veç linjës së autobusit me Tiranën, edhe rrugë me katër korsi, edhe korridor ajror, të gjitha këto i bëri lobingu i Flamurit.

U miratua edhe repertori i këngëve që do të këndohen me rastin e asaj dite.

Do të jenë kryesisht nga Eposi i Kreshnikëve, ku Feimi edhe mund të dalë herë si Muji, e herë si Halili, por që në fund do të këndohet me lodër kënga e bërë enkas prej popullit për udhëheqësin e ri e me perspektivë:

Hej, fat i madh që na ka gjetë,

erdhi Feimi deputet.

Do ta bëjë fshatin qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›