Dëshmia rrëqethëse: Gërdeci më vrau familjen. Shpërthime kanë ndodhur dhe më parë, policia e dinte
Dëshmia e Uran Deliut, që humbi pesë pjesëtarë të familjes në Gërdec. Deliu rrëfen se si drejtuesit e Fabrikës së Vdekjes ishin terrorizuar, kur kishte mbërritur në shtëpinë e tij një kamera televizive. Sipas tij, kanë ndodhur dhe të tjera shpërthime në fabrikë, dhe policia ka qenë në vendngjarje. Kushtet e punës ishin skandaloze. Rrëfimi tronditës i Deliut për humbjen e të afërmve
Cila është përbërja juaj familjare dhe sa kohë keni që jetoni në adresën e mësipërme?
Unë kam qenë i martuar me Liljana (Balla) Deliun në vitin 2003. Nga martesa me të kisha një djalë, Flavion, që ishte 3.5 vjeç, por që nuk jeton, pasi së bashku me Liljanën kanë vdekur më datën 15/03/2008, si pasojë e shpërthimit të fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec. Banesa ime ka qenë një vilë trekatëshe që ndodhej në Marqinet 2, në anë të rrugës, përballë me ish-repartin e tankeve në Gërdec, në vendin ku zhvillonte aktivitetin e saj firma e demontimit të municioneve “AlbaDemil”. Në këtë shtëpi unë jetoja së bashku me Liljanën (gruan që ka vdekur shtatzënë), Flavion (djalin që ka vdekur), dy prindërit e mi Qemal dhe Korre Deliu (që kanë vdekur), me tre vëllezërit: Ilirjan Deliu që banonte së bashku me Emirjetën, gruan) dhe Roselion (djalin); me vëllanë tjetër, Jetmirin, (që ka vdekur); vëllanë tjetër, Gentjan Deliun, dhe motrën, Irena Deliu.
Cilët ishin familjarët apo të afërmit tuaj, që humbën jetën si pasojë e ngjarjes së datës 15/03/2008 të shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, ku ndodheshit ju dhe ku ndodheshin ata në momentin e ndodhjes së ngjarjes?
Nga ngjarja e mësipërme nga familja ime kanë humbur jetën: Qemal Deliu (babai), Korre Deliu (nëna), Jetmir Deliu, (vëllai), Liljana Deliu (nusja ime), Flavio Deliu (djali im), dhe Jetmir Ballazhi (kunati i vëllait tim, Ilirjanit), Shqipe Alhasa (goca e dajës). Unë në momentin e ngjarjes ndodhesha në kopshtin e shtëpisë së bashku me Ilirjanin (vëllanë) dhe Jetmir Ballazhin (kunatin e vëllait), që një natë më parë kishte ardhur për mik në shtëpinë tonë dhe Flavion (djalin), ku po merreshim me rregullimin e hardhive që kishim mbjellë në kopsht, ndërsa djali im qëndronte duke luajtur pranë meje. Ndërsa në shtëpi atë ditë ndodhej Liljana (gruaja), Irena (motra), Mirjeta (nusja e vëllait, Ilirjanit), Roselio (djali Ilirjanit) dhe Fjoralba Deliu (goca e xhajës), që një ditë më parë kishte ardhur për mike. Ndërsa në fabrikën e çmontimit të predhave, që ndodhej përballë shtëpisë sonë, ishin duke punuar Qemal Deliu (babai), Korre Deliu (nëna), Jetmir Deliu (vëllai), Adelina Cani (e fejuara e Jetmirit) dhe Shqipe Alhasa (goca e dajës, Dilaver Murati).
Na shpjegoni në ç’rrethana ndodhi ngjarja dhe sa larg ndodheshit ju nga vendi i ngjarjes?
Gjatë kohës që unë isha duke punuar në kopshtin e shtëpisë së bashku me personat që përmenda më sipër, rreth orës 11:50 pashë se shpërtheu një sasi e madhe flake, e cila vinte nga drejtimi i fabrikës në pozicionin përballë me shtëpinë time, e cila më
verboi nga ndriçimi i saj. Kjo sasi e madhe flake pas shfaqjes së saj u shoqërua me zhurmën e shpërthimit, ku ndërkohë ndjeva se vala goditëse e shpërthimit më flaku në përroin që ndodhej mbrapa shtëpisë mua, Ilirin (vëllanë) dhe Jetmir Ballazhin, ndërsa Flavio (djali) më humbi nga sytë dhe nuk arrita ta shikoja më. Në momentin që rashë në përrua, pashë se flaka kishte pushtuar të gjithë atë pjesë territori të fabrikës që ndodhej përpara shtëpisë, ku lartësia e flakës ndodhej pothuajse në lartësinë e shtëpisë. Gjatë këtij momenti pashë se vazhdonin shpërthime të fuqishme të shoqëruara me flakjen e predhave dhe sendeve të ndryshme në lartësi dhe drejtime të ndryshme në të gjithë ambientin përreth fabrikës. Në këto momente, i tmerruar së bashku me Ilirin dhe Jetmirin jam larguar në drejtim të kundërt me shpërthimin duke u fshehur pas shtëpisë se komshiut, Gëzim Alla, shtëpi, e cila ndodhet diku rreth 200 m larg shtëpisë sonë. Prej andej së bashku me Jetmir Ballazhin, Ilirin dhe Gëzim Allën pashë se në bodrumin e shtëpisë sime, nga pjesa e përroit, kishin dalë për t’u mbrojtur Liljana (gruaja), Irena (motra), Mirjeta (nusja e vëllait, Ilirjanit), Roselio (djali Ilirjanit) dhe Fioralba Deliu (goca e xhajës), të cilët më pas i pashë të futeshin brenda në ambientet e bodrumit. Ndërkohë pashë se në drejtimin tonë, nga shtëpia e Gëzimit, po vinte nëna ime, Korrja, së cilës i ishin djegur të gjitha teshat që mbante veshur dhe në trup kishte marrë plagë djegieje. Në këto momente menjëherë i kam dalë përpara për ta ndihmuar që edhe ajo të fshihej në vendin ku ndodheshim ne. Gjatë këtyre momenteve e pyeta për babanë, vëllanë dhe personat e tjerë të familjes, që punonin në fabrikë, ku ndodheshin ata, por ajo nuk fliste dot, por vetëm bërtiste e tmerruar. Gjatë kohës që së bashku me nënën po përshkoja rrugën për në drejtim të shtëpisë së Gëzimit, dëgjova një shpërthim të fuqishëm, ku si rezultat i tij vala goditëse me ndau nga nëna dhe më ka flakur rreth 30 m në ajër duke më përplasur në tokë. U ngrita në këmbë dhe pashë se diku pranë meje vala goditëse e shpërthimit kishte sjellë edhe Ilirjanin (vëllanë) dhe Jetmir Ballazhin. Konstatova se Iliri ishte dëmtuar në pjesën e pasme të kokës dhe ishte komplet i gjakosur. Pashë se ky shpërthim erdhi diku nga pjesa e ndërtesës së fabrikës, e them këtë, pasi ky shpërthim kishte rrëzuar të gjitha shtëpitë që ndodheshin brenda rrezes së veprimit të shpërthimit dhe kishte dëmtuar të gjitha muret e pjesën anësore të shtëpisë time që kufizohet me rrugën automobilistike dhe ndërtesën e fabrikës. Dua të sqaroj se shpërthimi i parë që më flaku në përroin mbrapa shtëpisë, vinte nga drejtimi i sheshit që ndodhej përpara ndërtesës së fabrikës, përballë me shtëpinë time dhe se pashë se ky shpërthim nuk dëmtoi shtëpitë. Pasi u ngrita nga toka, pas shpërthimit të dytë, së bashku me Ilirin kam shkuar në drejtim të një bunkeri, ku hymë brenda për t’u mbrojtur nga predhat dhe sendet që binin pranë nesh nga shpërthimet te fabrika, ndërsa Jetmir Ballazhi pashë se u largua nga drejtimi i rrugës automobilistike. Te bunkeri pashë se brenda tij ndodhej komshiu Hajdar Aliu. Në momentin që sapo kam hyrë te bunkeri, kam dëgjuar shpërthimin tjetër të fuqishëm, shpërthim i cili ishte më i madh se dy të tjerët dhe që sipas mendimit tim ishte shpërthimi që vinte nga drejtimi i repartit ku ndodheshin kontejnerët e barutit. Nga frëngjia e bunkerit arrita të shikoja se ky shpërthim krijoi një si formë kërpudhe në ajër. Dëmtimet e këtij shpërthimi ishin më të fuqishme dhe në të u përfshinë të gjitha shtëpitë dhe objektet që ndodheshin në vijë ajrore me lartësinë e kërpudhës. Vala goditëse e këtij shpërthimi nuk mbulonte një pjesë të shtëpive që ndodheshin në atë drejtim, sepse rrezja e veprimit të tij ishte më e lartë. Pas shpërthimit dolëm nga bunkeri dhe në momentin që afrohemi te xhadja (rruga), gjetëm kufomën e Jetmir Ballazhit të shtrirë në tokë, ku kishte marrë dëmtime në pjesën e barkut, ku zorrët e barkut i kishin dalë në sipërfaqe. Meqenëse ai kishte vdekur, së bashku me Ilirin jam afruar për në drejtim të shtëpisë sonë, për të parë dhe ndihmuar familjarët tanë. Në momentin që jam afruar te shtëpia e Gëzim Allës, pashë se ai kishte pësuar dëmtime në pjesën e kokës dhe ishte i gjakosur. Dua të sqaroj se familjarët e Gëzimit ishin larguar nga shtëpia e tyre që në momentin e shpërthimit të parë, ndërsa Gëzimi qëndronte aty, pasi ishte në merak për Roland Allën
(djalin), që ndodhej në punë te fabrika. Kam qëndruar pranë shtëpisë së Gëzimit së bashku me të dhe Ilirin, pasi nuk mund të afrohesha te shtëpia jonë, pasi vazhdonte të kishte shpërthime municionesh. Gjatë këtyre momenteve kam parë se nga pjesa e pasme e vendit ku ndodheshim ne po afroheshin autoblindat e policisë për të ndihmuar banorët e asaj zone. Jemi takuar me punonjësit e policisë, kam hipur në njërën prej tyre Ilirin (vëllanë) e plagosur dhe vetë kam hipur në një blindë, ku iu kam kërkuar që së bashku me ta të afrohesha te shtëpia, pasi atje kisha pjesëtaret e tjerë të familjes. Jam afruar me blindën e policisë deri afër shtëpisë, por në pamundësi për të zbritur nga blinda për të hyrë në shtëpi, jam larguar përsëri me ta për në drejtim të zonës përreth për të ndihmuar të mbijetuarit. Gjatë këtyre lëvizjeve me blindë kemi marrë dhe ndihmuar shumë persona të plagosur dhe të mbijetuar, të cilët i kemi çuar për ndihmë të parë tek ambulanca që ndodhej në buzë të autostradës. Pasi kam qëndruar disa momente aty, kam insistuar që të shkoja përsëri te shtëpia, sepse atje kisha njerëzit e mi. Së bashku me punonjësit e policisë kam shkuar përsëri me blindë deri te shtëpia, ku aty mes shpërthimeve kam zbritur nga blinda, kam hyrë në shtëpinë time të rrënuar. Nuk gjeta ndonjërin prej tyre, pashë se djepi në të cilin qëndronte fëmija i vëllait, nipi Roselio, 3-muajsh, ishte bosh, dhe mendova se familjaret e mi do ishin larguar prej andej. Kam hipur përsëri në blindë dhe kam dalë në autostradë, ku më pas me një ambulancë kam shkuar në Spitalin Ushtarak për të kontrolluar nëse atje do të gjendej ndonjë nga të afërmit e mi. Te Spitali Ushtarak jam takuar me njerëzit e mi që banojnë në Tiranë dhe prej tyre mësova se babai dhe nëna ime ndodheshin të shtruar te spitali civil i djegieve “Nënë Tereza”. Kam shkuar te spitali civil dhe atje kam qëndruar pranë tyre deri të nesërmen, ku që të dy ata janë nisur për në Itali për trajtim dhe mjekim të mëtejshëm, të cilët i ka shoqëruar Tofik Mata (burri i hallës).
Në mbrëmjen e datës 15/03/2008, rreth orës 23:00, mësova se motra ime, Irena, së bashku Emirjetën (nusen e vëllait), Fjoralbën (goca e xhajës) dhe nipi Roselio (djali vëllait), kishin mundur të dilnin nga shtëpia mes shpërthimeve dhe kishin shkuar pranë familjeve të njerëzve tanë në Kamzë, ndërsa për Liljanën (gruan), Flavion (djalin) dhe Jetmirin (vëllanë) nuk kishim asnjë lloj dijenie se ku ndodheshin ata. Të nesërmen në mëngjes, me datën 16/03/2008, rreth orës 07:00, unë kam shkuar tek autostrada në hyrje të rrugës së fshatit Gërdec, pasi kërkoja të shkoja te shtëpia dhe të kërkoja për tre personat e mësipërm. I kërkova policisë që të më ndihmonin të hyja në atë territor dhe të kontrolloja për të afërmit e mi, por ata nuk më lejuan.
Më pas mësova se nga ana e policisë ishte gjetur kufoma e vëllait tim, Jetmir Deliu, e cila ishte dërguar në morgun e spitalit. Mësova se kufomën e tij e kishin gjetur në pjesën e rrugës përpara postbllokut të fabrikës, ku ai ishte i punësuar. Krahas meje, nga ana e të afërmve të Liljanës, dhe konkretisht të vëllait të saj, Arben Ballës, të dajës së saj, Ndriçim Liçi, dhe personave të tjerë, ishin bërë përpjekje për kërkimin e trupit të saj, ku ata fshehurazi kishin mundur të depërtonin në territorin e ngjarjes, dhe në rrënojat e shtëpisë kishin gjetur kufomën e Liljanës, për të cilën me pas më njoftuan edhe mua. Me gjithë kërkimet e bëra, ende nuk dinim se ku gjendej djali im, Flavio, dhe për këtë fakt, më datën 17/03/2008, shumë nga të afërmit e mi kanë shkuar te rrënojat e shtëpisë dhe atje kanë mundur të gjejnë dhe kufomën e djalit tim, Flavio Deliu. Më datën 18/03/2008, nga ana e familjarëve dhe të afërmve të mi është kryer ceremonia mortore për varrimin e Jetmirit (vëllait), Liljanës (gruas) dhe Flavios (djalit). Në krye të 7 ditëve mësuam se kishte vdekur në spitalin e Italisë nëna ime, Korre Deliu, trupin e së cilës, pasi e sollëm, e varrosëm te të afërmit e tjerë të familjes. Mbas një periudhë 10-ditore mësuam se në spitalin e Italisë kishte vdekur edhe babai, Qemali, ku së bashku me të nga tragjedia në familjen tonë bëheshin 5 (pesë) viktima, ku prej tyre tre, babai, nëna dhe vëllai, ishin punëtorë në fabrikën e demontimit të predhave.
Cila ka qenë mënyra e punësimit të familjarëve tuaj, Qemal (babai), Korre (nëna) dhe Jetmir Deliu (vëllai), në ndërmarrjen e demontimit të predhave të firmës “AlbaDemil”? Çfarë procedurash janë kryer prej tyre me firmën për punësim? Me kë kanë kontaktuar? Si kanë vepruar? A kanë firmosur ndonjë kontratë punësimi? Nëse po, kur, ku dhe kë kanë kontaktuar? Në sa procese pune kanë punuar dhe sa kohë ka punuar secili prej tyre në atë fabrikë?
Që nga viti 2000 dhe deri në momentin që firma filloi aktivitetin e saj, diku në pranverë të vitit 2007, të gjithë pjesëtarët e familjes time, unë, babai dhe vëllezërit, kemi punuar në sektorin privat me ndërtimin. Me të filluar aktivitetin e saj të çmontimit të fishekëve firma, në atë fabrikë janë punësuar fillimisht nëna ime, Korrja, vëllai, Jetmiri, dhe nusja ime, Liljana. Për mënyrën e tyre të punësimit di se familjaret e mi kanë shkuar përpara postbllokut të fabrikës, dhe aty së bashku me banorë të tjerë të asaj zone, që kishin mësuar se ajo fabrikë kishte kërkesa për punëtorë, kanë kontaktuar me Dritan Minxollin, që ishte përgjegjës i fabrikës, dhe ai ka pranuar punësimin e tyre. Di që asnjëri nga të afërmit e mi nuk ka lidhur ndonjë kontratë punësimi me firmën, si në procesin e parë, ashtu dhe në të dytin, aktivitet të cilin firma e filloi në janar të vitit 2008 për çmontimin e predhave. Në procesin e dytë nga familjaret e mi është punësuar nëna, babai dhe Jetmiri. Kam mësuar se asnjëri nga të afërmit e familjes nuk ka qenë i siguruar nga ana e firmës, por di se prej firmës atyre iu është nxjerrë një fletë-letre, në të cilën kanë firmosur se firma nuk mbante përgjegjësi për dëmtimet e tyre gjatë procesit të punës.
Cilat kanë qenë procedurat e punës që të afërmit tuaj bënin në fabrikë gjatë një dite pune dhe a keni asistuar ju pranë tyre në ndonjë rast konkret?
Në procesin e parë të çmontimit të fishekëve radha e punës që kryhej ishte: hapja e arkave të drurit me leva, dara ose sqeparë dhe prej andej nxirreshin dy kaseta, kuti metalike, brenda të cilave kishte fishekë. Këto kuti metalike, pasi hapeshin, fishekët e tyre hidheshin po në arkën e tyre të drurit, ku vetëm iu hiqej ambalazhi. Më pas këto arka transportoheshin me karroca te pjesa e brendshme e ndërtesës me llamarina të fabrikës, ku në pjesën e brendshme të tyre ishin instaluar disa makineri që bënin çmontimin e fishekëve. Në këtë proces pune kam punuar edhe unë në disa raste, ku, pasi kthehesha nga puna ime, në kohë të lirë shkoja dhe ndihmoja pjesëtarët e mi të familjes. Ndërsa në procesin e çmontimit të predhave, radha e punës që kryhej ishte: hapja e arkave të drurit nëpërmjet levave, sqeparit ose darëve, nxjerrja e predhave nga arka, vendosja e tyre në këmbë, heqja e barutit prej gëzhojave, veçimi i llojeve të ndryshme të barutit, transportimi i gëzhojave, barutit me karroca, larja e gëzhojave etj., procese këto që bëheshin nga grupe të ndryshme, në varësi të punës që paraqitej për t’u bërë. E them këtë, sepse njëri nga grupet hapte arkat dhe vendoste predhat në këmbë, dikush merrej me heqjen e barutit dhe transportin e tij, një grup tjetër merrej me larjen e gëzhojave, ku që të gjitha grupet kishin nga një specialist që i mbikëqyrte dhe punonte së bashku me ta. Edhe në këto procese pune unë kam ndihmuar familjen gjatë kohës së lirë që më krijohej. Në të dyja proceset, si te fishekët, ashtu dhe te predhat, puna ishte me normë, normë e cila ndryshonte sipas dëshirës së përgjegjësit, Tan Minxollit.
Cilët kanë qenë administratorët dhe drejtuesit e firmës “AlbaDemil” dhe kush prej tyre drejtonte dhe organizonte punën gjatë aktivitetit të firmës në atë zonë?
Nga drejtuesit e kësaj firme unë kam njohur Mihal Delijorgjin, për të cilin thoshin se ai ishte më i madhi i asaj firme. Në disa raste unë e kisha parë atë në atë fabrikë. Kam njohur Dritan Minxollin, ku për këtë thoshin se ky vinte i dyti në radhë pas Mihalit.
Dritani vinte çdo dite në punë me një makinë të tijën, e cila ishte me ngjyrë gri. Po ashtu kam njohur Vangjelin, ku edhe ky vinte çdo ditë, pasi së bashku me Tanin merreshin me përzgjedhjen e fuqisë punëtore. Vangjeli në punë vinte me makinën e tij “Hyundai” dhe me pas me atë “Benz” 190 me ngjyrë të kuqe. Vangjeli ishte tip brigadieri dhe merrej me mbajtjen e evidencave të punëtorëve për punën që ata kryenin çdo ditë. Po ashtu, si përgjegjës kam njohur edhe Julin, ku ky ka qenë përgjegjës i makinerive të çmontimit të fishekëve, ndërsa te procesi i çmontimit të predhave ai merrej me transportim e barutit, të cilin e bënte me kamion vetë nga fabrika te kontejnerët. Po ashtu, kam dëgjuar se ka qenë edhe një përgjegjës për grupin e grave që quhej Endri, për të cilin kam dëgjuar se ka vdekur ditën e ngjarjes.
A bëhej trajnimi i punëtorëve për punën që do të kryenit në fabrikë? Nëse po, ku, kur dhe kush i bënte këto trajnime?
Unë nuk kam asistuar në ndonjë rast, pasi kjo punë zakonisht bëhej në mëngjes. Nga të afërmit e mi kisha dëgjuar se shpeshherë, përpara se të fillonte puna, Tani ose Vangjeli i rreshtonin punëtorët dhe iu tregonin për punën që do të kryenin dhe për
kujdesin që duhet të tregonin gjatë punës.
A kishte ndërmarrja rregullore të sigurimit teknik, me të cilën bëhej instruktazhi i specialistëve apo punëtorëve gjatë procesit të demontimit?
Nuk kam dijeni, nëse ka pasur ose jo rregullore, por kam dëgjuar nga familjaret se gjatë kohës që ata hapnin arkën, specialisti vinte merrte djegoren dhe iu tregonte atyre për mënyrën se si duhet të stivonin veç e veç predhat, gëzhojat, dhe barutin gjatë nxjerrjes nga gëzhojat.
A kishte pajisje kundër zjarrit fabrika? Nëse po, çfarë pajisjesh ishin, ku ishin të vendosura dhe a është bërë ndonjë trajnim apo instruktazh i veçantë për përdorimin e tyre?
Nuk kam dijeni dhe nuk kam parë në fabrikë mjete kundër zjarrit. Nuk kam dëgjuar të më jetë thënë nga familjarët për këto mjete apo për mënyrën e përdorimit të tyre.
A keni konstatuar raste të rënies së zjarrit në fabrikë, nëse po, si është vepruar për fikjen e tyre?
Kam dëgjuar në një rast se gjatë procesit të çmontimit të fishekëve, në pjesën e brendshme të ndërtesës së fabrikës, gjatë mesnatës, diku rreth orës 01:00 kishte rënë zjarri dhe si pasojë dëgjoja zhurmën e plasjes së fishekëve. Kemi dalë të gjithë si familje përjashta nga shtëpia, ku pamë se punëtorët kishin dalë nga fabrika dhe brenda saj dëgjoheshin plasje fishekësh. Atë natë kam parë se te postblloku i fabrikës ka ardhur furgoni i rajonit të policisë, Vorë, ku më pas nuk di se çfarë është bërë, pasi jam futur brenda në shtëpi.
Dua të sqaroj se përpara këtij rasti ka qenë edhe një rast tjetër i rënies së zjarrit brenda në fabrikë, ku mori flakë baruti, që gjendej pranë një makinerie. Në këtë rast krahas djegies së barutit plasi dhe një fishek. Kujtoj se në këtë rast të gjithë punëtorët dolën nga fabrika me vrap, ku në portën e ndërtesës, gjatë daljes është penguar dhe rrëzuar përtokë e fejuara e Jetmirit, Adelina Cani, të cilën punëtorët e shkelën me këmbë gjatë momentit që po dilnin nga fabrika. Në këtë rast unë kam shkuar dhe e kam ndihmuar atë, duke e ngritur. Në këtë rast kanë qenë edhe disa specialistë amerikanë, si dhe Dritan Minxolli.
A keni konstatuar raste të dëmtimit të punëtorëve gjatë procesit të punës? Nëse po, ç'raste kujtoni dhe cilat kanë qenë dëmtimet e punëtorëve?
Nuk kam dijeni për ndonjë rast të dëmtimit në punë të ndonjë punëtori.
A keni konstatuar raste të shkeljes së rregullave të sigurimit teknik gjatë procesit të punës?
Si shkelje të rregullave të sigurimit teknik në atë fabrikë unë kam konstatuar se aty brenda punonin gra në procese të rënda pune, që ishin vetëm për burrat, si ajo e mbajtjes së predhave 40 kg, kryerja e një sërë procesesh të punëve në një sipërfaqe të vogël vendi, ku punëtorët ishin ngjitur me njëri-tjetrin. Norma e punës ishte tepër e lartë dhe ajo ndryshonte shpeshherë. Kërkohej të punonim me vrull dhe sforcim për lirimin e ambientit që të shkarkoheshin makinat që vinin me municione: punohej pa bërë asnjë ditë pushimi në javë etj. Kam për të sqaruar se më ka bërë përshtypje një rast shqetësimi i Dritan Minxollit, kur te shtëpia ime ka ardhur makina e TVSH (Televizionit Shqiptar). Pa u larguar kjo makinë e televizionit, Dritan Minxolli doli nga fabrika dhe ka ardhur te shtëpia jonë dhe ka thirrur babanë. Ai ishte i shqetësuar dhe kërkonte të dinte përse gjendej ajo makinë aty. Ai shprehu dyshimin se mos ajo makinë kishte ardhur aty për të filmuar aktivitetin e fabrikës së tij. Babai i tha se televizioni kishte ardhur aty për të intervistuar dhe filmuar djalin tim, Flavion, pasi ai ishte talent në përdorimin e veglës muzikore të xhezit. Për këtë gjë Flavio ka marrë pjesë edhe në një emision televiziv “Kthehem të dielën” që zhvillonte te TVSH Gjergj Leka. Dritani, pasi mësoi këtë fakt, i kërkoi babai tim që ai të mos lejonte kameramanët të hipnin në tarracën e shtëpisë sonë e të filmonin nga fabrika aktivitetin e tij.
Sa grupe pune kanë qenë duke punuar në shesh ditën e ngjarjes dhe cili grup pune gjendej pranë vendit ku ra zjarri?
Nuk kam dijeni, pasi kam qenë në shtëpi duke u marrë me punët e mia.
ǒmendoni ju, cili është shkaku i shpërthimit ditën e ngjarjes?
Nuk kam dijeni se cili ka qenë shkaku i shpërthimit, por kam dëgjuar se atë ditë shumë nga përgjegjësit e asaj fabrike nuk kanë qenë në punë dhe janë larguar përpara se të ndodhte ngjarja.
Konkretisht kam dëgjuar se janë larguar përpara ngjarjes Vangjeli, Dritan Minxolli, Juli etj. Për Vangjelin kam dëgjuar nga Zelfije Cani, se ai, përpara se të largohej ditën e ngjarjes, i kishte thënë asaj: “Hë Zelfije, mbarove punë, se ti këtu ke për të vdekur” dhe me pas është larguar. Po ashtu, kam dëgjuar se atë ditë në një emision televiziv që trajtonte problemin e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një telefonues është shprehur: “Do ta shikoni sot se si do të futet Shqipëria në NATO”. Këtë bisedë e ka parë të shkruar edhe në gazetë Mustafa Jashkuri (burri i hallës), që banonte te stacioni elektrik në rrugën “Siri Kodra”, i cili më ka premtuar se do të më gjente edhe gazetën, që unë ta lexoja atë.
Cila ishte sasia e barutit në fabrikë ditën e ngjarjes dhe në çfarë ambientesh gjendej ajo?
Nuk kam dijeni për sasinë e barutit që ka pasur në fabrikë, por di se vetëm atë ditë baruti ka qëndruar në sipërfaqen e sheshit përpara fabrikës. Unë kisha parë dhe dëgjuar nga familjaret e mi se çdo ditë baruti grumbullohej dhe transportohej me kamion te
kontejnerët. Punëtorët transportonin barutin brenda në fabrikë, ku aty vinte kamioni, ulte kazanin dhe ngarkohej me thasët me barut, të cilët i shkarkonte te kontejnerët që ndodheshin më në thellësi të repartit.
A keni dijeni për praninë e të miturve në fabrikë gjatë procesit të punës, po të punësimit të tyre në këtë fabrikë?
Për sa i përket punësimit të të miturve, di se ka pasur të punësuar persona të moshës 16-18 vjeç, por nuk kujtoj emrat e tyre.
Cilat ishin makineritë dhe mjetet e punës që ju keni përdorur gjatë procesit të punës në fabrikë?
Gjatë procesit të çmontimit të fishekëve unë kisha parë se brenda në ndërtesën e fabrikës ishin të montuara disa makineri, në të cilat kisha parë të punonin edhe të huaj. Ndërsa te procesi i çmontimit të predhave kisha parë se çmontimi i predhave bëhej në një bllok betoni, i cili kishte disa vrima, ku futej predha dhe shkëputej prej gëzhojës nëpërmjet ushtrimit të forcës së dorës. Si mjete pune që përdoreshin prej punëtorëve ishin: leva hekuri për hapjen e arkave, çekiçë, pinca, sqeparë, brisqe për prerjen e penjve të thasëve të barutit ose të qeseve të barutit, kur i nxirrnim nga gëzhoja, karroca me një gomë ose me katër rrota metalike që përdoreshin për transportin e baruteve.
A dëmtoheshin karrocat gjatë procesit të transportit? Nëse po, në ç’pjesë të tyre? Cila ishte mënyra e riparimit? Në ç'vend bëhej ai dhe kush e bënte këtë riparim?
Po kisha dëgjuar që karrocat e transportit të barutit, ato me katër rrota, dëmtoheshin, këputeshin, ku me riparimin e tyre, (saldimin), di që në një rast është marrë edhe babai im. Këtë veprim të saldimit të karrocës, babai e ka bërë me urdhër të Dritan Minxollit.
Dua të sqaroj se neve te shtëpia, në katin e parë të bodrumit, kemi pasur një saldatriçe, të cilën e përdornim për nevojat tona. Këtë saldatriçe zakonisht e përdorte babai, por në ndonjë rast atë e kam përdorur edhe unë. Te bodrumi unë krahas saldatriçes kam pasur edhe makineri dhe mjete të tjera pune, si gurë fresibël, makinë për prerjen e pllakave, makinë prerëse të duralumineve, karel shpimi që shërben për punimet në dru, çelësa të ndryshëm. Dua të sqaroj se saldatriçja që unë kisha në shtëpi, nuk ishte e imja por e komshiut, Murat Zguri. Ne saldatriçen e përdornim kryesisht pasdite, ku me të punonte babai ose unë. Di se Dritan Minxolli e ka urdhëruar babanë tim që ai të saldonte një karrocë të këputur dhe ta çonte atë të nesërmen ne mëngjes te fabrika. Di se krahas nesh saldime janë bërë edhe në fabrikë, jo nga ana jonë, por nga ana e personave të tjerë, të cilët i ka marrë Dritani. Kam parë në një rast se një saldator ishte duke ngjitur me saldatriçe portën kryesore të postblloku repartit.
Di se në një rast te shtëpia ime Juli, që ishte tip përgjegjësi në fabrikë, ka ardhur te shtëpia jonë dhe ka salduar derën e makinës së tij të firmës, kamionçinë.
A keni konstatuar raste të ardhjes apo pranisë në fabrikën e demontimit municioneve në Gërdec të personave të huaj, të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, të drejtueseve të tjerë të komandave ushtarake apo institucioneve të ndryshme, tatimore, ujësjellësit, elektrikut, policisë, SHISH, SHIU? Nëse po, të kujt, kur, ku dhe me kë kanë qenë të shoqëruar?
Gjatë kohës që firma “AlbaDemil” ushtronte aktivitetin e saj në atë repart, te procesi i parë i çmontimit të fishekëve kisha parë praninë e disa personave të huaj, për të cilët thoshin se ishin specialistë amerikane. Këta persona unë i kam parë te fabrika nën shoqërinë e Dritan Minxollit. Për sa i përket punonjësve të elektrikut, nga vëllai im, Jetmiri, kam mësuar se te fabrika kishin ardhur punonjësit e elektrikut të Vorës dhe i kishin prerë energjinë (dritat), sepse firma nuk kishte paguar lekët. Kjo gjë ka ndodhur diku rreth vitit 2007, kur bëhej çmontimi fishekëve. Po ashtu, aty kam parë edhe punonjësit e policisë, të cilët kanë ardhur me furgon, rast për të cilin shpjegova më sipër. Nuk kam fiksuar ndonjë nga personat e tjerë, për të cilët më pyesni.
Çfarë makinash keni parë në atë fabrikë dhe a njihni ndonjë nga drejtuesit e tyre?
Në fabrike vinin makina të ndryshme ushtarake dhe civile. Makinat ushtarake sillnin dhe shkarkonin municione, ndërsa makinat civile ishin të ndryshme, ku ato vinin dhe ngarkoheshin me arkat e drurit, me gëzhojat etj. Gëzhojat e fishekëve kisha parë se vinte dhe i merrte një trajler i gjatë, të cilat nuk e di se ku i çonin dhe shoferin e saj nuk e njihja. Në fabrikë unë kam parë se ishte një fadromë ushtrie, për të cilën nuk e dija se kush ishte shoferi i saj. Gjithashtu, kisha parë një makinë pirun, ku edhe këtij mjeti nuk ia njihja shoferin e saj.