“Mungojnë penalizimet, janë trefishuar taksitë pa licencë”
ZIRINA LLAMBRO
Konkurrencë e pandershme e favorizuar nga institucionet shtetërore e ato vendore. Këto të fundit nuk marrin asnjë masë për të penguar qindra taksi, që ushtrojnë aktivitetin pa kurrfarë licence. Numri i tyre është trefishuar. Vetëm në Tiranë janë më shumë se 500 të tilla, ndërsa me licencë punojnë 428 persona. Raporti është më shumë se 1 me 1. Të dhënat vijnë nga Shoqata Kombëtare e Taksive 4+1. Kreu i saj Gëzim Bardhi pohon se kjo situatë po u shkatërron çdo ditë e më tepër punën me të cilën mbajnë familjet. Ai shton se ajo që duket qartë në prag të zgjedhjeve, është mungesa totale e një platforme për transportin nga të gjitha spektret politike. “Nuk ka asnjë iniciativë për të përmirësuar kushtet qoftë të transportit publik qoftë të atij privat. Por ajo që na shqetëson ne është se kudo që jemi drejtuar kemi parë një indiferentizëm të plotë ndaj të gjithë atyre personave që shtetit nuk i derdhin asnjë takse”, shton Bardhi.
Mungesa e penalizimeve
Sipas kreut të shoqatës mungesa e penalizimeve është krejtësisht e papranueshme. “Ne paguajmë më shumë se një milion e gjysmë lekë taksa në vit, ndërsa këta persona asnjë kacidhe. Askush nuk i pengon. Punojnë njësoj si ne e madje dhe më shumë. Përgjigjja që kemi marrë në institucionet e transportit publik ku e kemi ngritur këtë problem është “Po ata ku do hanë”. Kjo është një përgjigje të pashkollësh dhe jo nga zyrtarë shteti”, thotë Bardhi. Ai shton se qëllimisht ky fenomen është lënë në heshtje, si nga kjo qeveri, si ajo e mëparshmja. Kreu i Shoqatës së Taksive e cilëson këtë mungesë penalizmi si çështje militantësh. “Udhëzimi i Ministrisë së Transporteve, që mban datën 25.4.2008 është komplet i dështuar. Në të saktësohet se numri i licencave të lëshuara në shkallë vendi për shërbimin taksi do të jetë i pakufizuar. Ky urdhër u nxor për të liberalizuar tregun në mënyrë që të shtohej numri aktiviteteve të rregullta, por në mungesë të kontrolleve dhe masave nuk ia vuri kush veshin. Ndaj nuk pi fare ujë”, shprehet kreu i shoqatës. Ai thekson se përkrah këtij udhëzimi duheshin shtuar edhe gjobat e penalizime të rrepta për të gjithë taksistët pa licencë. “Ne u bëjmë apel të gjitha organeve kompetente të kthejnë vëmendjen dhe të ndëshkojnë të gjithë shkelësit. Nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse të zbatohet ligji. Në të kundërt do na detyrojnë që edhe ne si shoqatë të mbyllim bizneset brenda ligjit e të bëhemi pjesë e tregut të zi, se janë gjithë ato taksa që paguajmë”, thotë Gëzim Bardhi në emër të gjithë taksistëve të rregullt. Madje, ata kërcënojnë edhe me grevë nëse këto kërkesa nuk u merren parasysh.
Tirana, zonat ku zbarkojnë taksitë pa licencë
I gjen gjithandej nëpër kryeqytet, por tre janë pikat ku qëndrojnë të rreshtuara. Kryeqendra mbetet Zogu i Zi. Sapo shihet në sfond ndonjë makinë e Policisë Rrugore e bashkiake, menjëherë hiqen nga automjetet tabelat e verdha që lexojnë “Taksi”. Këtë e bëjnë kryesisht të ardhurit e rinj. Ata që kanë vite me këtë punë kanë gjetur të tjera zgjidhje. Shkolla Teknologjike pranë 21 Dhjetorit është një tjetër zonë ku qëndrojnë me dhjetëra taksi pa licencë. Ndërsa spitali “Nënë Tereza” ka qenë dhe do të mbetet zonë që nuk i ikën puna kurrë. Qindra pacientë hyjnë e dalin çdo ditë e ka vend për të gjithë. Herë-herë kërcet sherri për vendet por përgjithësisht gjendet gjuha e përbashkët. Ndërsa në rrethe gjithçka bëhet sheshit. Koncepti i licencave është i vakët akoma. E për t’iu rikthyer pjesës që prek më shumë qytetarët është shërbimi që ofrohet nga këto taksi. Pjesa më e madhe e automjeteve pa licencë që kundrejt një 300 apo 500 lekëshi të ofrojnë transportin janë copë-copë. Makina të amortizuara, pa kondicioner dhe shpesh edhe të palara. Po të bësh një krahasim me jashtë vendit situata është krejt tjetër.