Fatbardh Kadilli: Edi Rama rikonfirmoi sot dështimin dhe premtimet e pa mbajtura

Deklarata e plotë për shtyp e deputetit të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, lidhur me mungesën e ndricimit të rrugëve të kryeqytetit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezantoi sot një projekt që shtrihet në 2 dekada nga 2000 deri në 2020, me të cilin vetëm rikonfirmon dështimin dhe premtimet e pambajtura gjatë gjithë këtyre viteve. Duke ripërsëritur për të 3 apo të katërtën herë premtime që zënë fill që në 2000, Rama bëhet qesharak kur pretendon se thelbi i projektit të tij 20 vjecar, është infrastruktura.
Po si mund të jetë e vërtetë kjo, kur për 11 vjet rresht, Rama s’arriti të zgjidhë as cështjen e ndricimit rrugor: Pjesa dërrmuese e akseve rrugore në qytetin e Tiranës, vuajnë prej kohësh mungesën e ndriçimit të energjisë elektrike. Pamjet gjatë orëve të natës, nuk kanë nevojë për koment, por për më tepër për reflektim qytetar se cila është zanafilla e qindra aksidenteve.
Energjia elektrike, në shtyllat e vendosura në rrugë mungon, s’dihet prej sa muajsh. Bashkia e Tiranës që ka nën përgjegjësi sistemin e ndriçimit në kryeqytet, nuk ka ndërhyrë për të zgjidhur këtë problem, duke bërë që errësira të bëhet shkak për aksidente. Kryebashkiaku ka dështuar edhe me ndriçimin.
Një shembull tipik është aksi rrugor nga Lapraka deri tek Zogu i Zi, i gjithi në errësirë. Mungesa e ndriçimit nuk është pasojë e një defekti në zonë, por thjesht ndriçueset e rrugës nuk janë të ndezur apo kanë pësuar defekt.
Sipas faturës për ndricimin e rrugëve të Tiranës për muajin Mars 2011: janë harxhuar 617,419 kË/h. Sipas pretendimit të Bashkisë në Tiranë ekzitojne 13,301 pika ndriçimi, çka nuk rezulton e vërtetë. Bazuar në këtë shifër, një pikë ndriçimi, gjatë orëve të errësirës, ka harxhuar në Muajin Mars: 46 Kë/h ne 1 Muaj, ose 1.49 KV ne dite, pra llampat qenkan 124 Ë. Kjo është e pamundur.
Pikat e ndricimit në Tiranë përbëhen nga ndricues me fuqi 150, 300 dhe 500 Ë, pra mesatarisht 316 Ë secila. Sipas llogaritjeve, del që numri total i pikave te ndriçimit eshte 5. 236 pika ndriçimi dhe jo 13.301, siç gënjen kryebashkiaku.
Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më. Neve na duhet një kryebashkiak që të zgjidhë problemet themelore të qytetit, jo një kryebashkiak që interesohet vetëm për betejën politike kombëtare. Na duhet një kryebashkiak për qytetin.