Deklarata, ILDKP: Opozita spekullon, Basha bëri deklarim të rregullt për shitjen e apartamentit në Hollandë

Opozita shpifi në mënyrë të turpshme dhe për pasaportën e Bashës
UPDATE- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), në përmbushje të transparencës maksimale, ndjek me vëmendje të gjitha informacionet mediatike që lidhen me interesat private të zyrtarëve, subjekte që deklarojnë periodikisht sipas ligjit. Në këtë kuadër, ILDKP është vënë në dijeni për të dhënat e publikuara gjatë ditëve të fundit në gazetën “Shekulli”, lidhur me aktet noteriale të shit-blerjes së një apartamenti në Hollandë nga ish-Ministri i Brendshëm dhe ish-deputeti, z. Lulzim Basha. Në respekt të opinionit publik, ILDKP sqaron se nga shqyrtimi i materialeve që janë administruar nga ILDKP për vetëdeklarimet e z. Basha, rezulton se: “Në deklaratën “Para fillimit të detyrës”, të dorëzuar në ILDKP më 4.10.2005, subjekti ka deklaruar, ndër të tjera, “apartament në Utrecht, Hollandë, në vlerën 510.000 gulden hollandez (GNL). Më datë 25.10.2005, Inspektorati i Lartë ka nisur procedurën e kontrollit të plotë për zyrtarin Lulzim Basha. Për të realizuar një hetim sa më të detajuar mbi interesat private të subjektit, një grup kontrolli kreu verifikime në Utrecht të Hollandës, ku është marrë informacion në Zyrën Kadastrale të këtij qyteti, si edhe pranë bankave “PostBank Amsterdam” dhe “ABN-ARMO” Utrecht Hollandë. Nga kontrata e shit-blerjes, administruar në ILDKP, rezulton se apartamenti është blerë në shumën 480.690 (GNL), e cila përbëhet nga 445.454 GNL plus 45.000 GNL, e cila është depozitë garanci për kredinë e marrë. Kjo e dhënë është sqaruar nga subjekti në proces-verbalin e mbajtur në ILDKP më 30.09.2006. Ndërsa diferenca prej 29.310 GNL (10.407 euro) është shuma e deklaruar nga subjekti si rentë për kredinë e apartamentit. Gjithashtu, nga të dhënat rezulton se burimi i blerjes së këtij apartamenti është një kredi e marrë në “PostBank”, në shumën 204.000 euro, e konvertuar me kursin e kohës rreth 480.000 GNL. Pra, në raportin e kontrollit të plotë mbi deklarimin “para fillimit të detyrës”, të përfunduar më 04.12.2006, rezulton se vlera e blerjes së apartamentit është e saktë me vlerën e deklaruar nga subjekti, gjithsej 510.000 GNL”- thuhet në deklaratën zyrtare të Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Opozita shpifi në mënyrë të turpshme dhe për pasaportën e Bashës
Reagimi i djeshëm i zëdhënëses së shtabit elektoral të kandidatit demokrat për kryeqytetin
“Edhe në festën e Pashkës, Edi Rama nuk kurseu shpifjet dhe trillimet ndaj rivalit të tij për zgjedhjet bashkiake, Lulzim Basha. Përmes fletërrufeve të botuara në fletushkat e kontrolluara direkt apo indirekt prej kryetarit të Partisë Socialiste, tentohet të hidhet baltë ndaj figurës dhe personalitetit të kandidatit të mazhorancës për bashkinë e kryeqytetit Lulzim Basha. Duke spekuluar se Lulzim Basha është zotërues i një pasaporte amerikane atentati i fletushkave është fatzi dhe aspak konjektiv, sepse nuk ka asnjë bazë vërtetësie, përveç lapsusit apo neglizhencës së momentit që vjen si pasojë e mbi besimit apo keqkuptimit. Zëdhënësja e fushatës së kandidatit Basha, Anila Bisha reagoi dje duke deklaruar se Edi Rama përbuz të vërtetën. Ajo vuri në dukje se Lulzim Basha zotëron pasaportë shqiptare dhe jo amerikane, pasi në formularin e publikuar pasaporta ka 7 shifra, ndërsa një pasaportë amerikane përbëhet nga 9 shifra. “Së pari shpreh keqardhjen e thellë që z. Rama nuk kurseu as ditën e Pashkëve, për të lançuar sulmin e tij qesharak, fals dhe të dëshpëruar. Kjo është një përpjekje tjetër e dështuar për të tërhequr vëmendjen nga problemet e shumta të Tiranës. Në vend që të merrej me to, Edi Rama zgjodhi rrugën e sherreve, konflikteve politike dhe përbuzjen e plotë për të vërtetën. Ja cilat janë faktet: Në formularin e paraqitur ka një lapsus. Siç mund të verifikohet lehtësisht pasaportat amerikane kanë 9 dhe jo 7 shifra. Pasaporta me numër 0160138 është pasaportë shqiptare. Kjo pasaportë i përket Lulzim Bashës. Lulzim Basha ka patur gjithmonë pasaportë shqiptare. Lulzim Basha nuk ka patur asnjëherë pasaportë amerikane. Lulzim Basha ka përmbushur me transparencë të plotë të gjitha deklarimet e tij pasurore. Këto deklarime janë kontrolluar dhe verifikuar në mënyrë të plotë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se ky është një sulm tjetër absurd kundër të vërtetës. Më 8 maj ata do të japin një mesazh të fortë së ditëve të gënjeshtrave dhe betejave politike u ka ardhur fundi. Koha ka ardhur për ta vënë Tiranën dhe qytetarët e saj të parët”, deklaroi zëdhënësja e fushatës së Bashës, Anila Bisha”.