E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani betohet te Topi- zyrtarisht ministër i Brendshëm

25-04-2011 / Gazeta 55

Ministri i ri i Brendshëm, zoti Nishani betohet përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në praninë e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, Sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko dhe anëtarëve të tjerë të Kabinetit të Presidentit, u zhvillua sot pasdite në Presidencë ceremonia e betimit të Ministrit të ri të Brendshëm, Bujar Nishani. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit, Bujar Nishani bëri betimin përpara Presidentit të Republikës, i cili, pasi i dorëzoi dekretin e emërimit, i uroi Ministrit të ri të Brendshëm, zotit Nishani, suksese në detyrën e lartë dhe të rëndësishme.


Kuvendi, 73 vota pro’ për emërimin e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani


Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot dekretet e presidentit të Republikës Bamir Topi për emërimin si ministër i Brendshëm të Bujar Nishanit dhe shkarkimin e tij nga detyra e ministrit të Drejtësisë dhe po kështu edhe shkarkimin nga detyra e ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, i cili la mandatin e deputetit dhe postin e ministrit në fillim të fushatës elektorale. Seanca e shkurtër parlamentare ku merrnin pjesë 124 deputetë, u drejtua nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli. Pas çeljes së votimit elektronik, Bujar Nishani u emërua ministër i Brendshëm me 73 vota pro. Deputetët votuan edhe për dekretet për shkarkimin e ish-ministrit Basha nga posti i ministrit dhe atë të ish-ministrit të Drejtësisë. Seanca e Kuvendit zgjati gati dhjetë minuta dhe u mblodh vetëm për shqyrtimin e dekreteve më të fundit të presidentit, duke ditur se në vigjilje të zgjedhjeve është tejet e nevojshme moslënia vakant e postit të titullarit të Ministrisë së Brendshme. Aq më tepër kur kjo fushatë zgjedhore ka nisur me incidente të shumta, me grisje posterash e flamujsh, por edhe me incidente me armë. Ministri Nishani rikthehet kështu në postin e ministrit të Brendshëm pas më pak se dy vitesh, kur ai e la detyrën pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të vitit 2009, pas të cilave do të merrte portofolin e ministrit të Drejtësisë. Ndërkohë deputetët rrëzuan dekretin e presidentit Topi për akcizën. Më pas Kryetarja e Kuvendit e mbylli seancën me qëllim që deputetët të shpërndaheshin në zonat e tyre për fushatën elektorale, kur zgjedhjet e 8 majit janë më pak se dy javë larg.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›