E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha prezanton platformën antikorrupsion. Çdo taksë e mbledhur nga bashkia do të bëhet publike

25-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati i mazhorancës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha takon banorët e njësisë nr.4 dhe nr.2


Transparenca si kusht i mirëqeverisjes dhe luftës kundër korrupsionit zë një vend të veçantë në platformën e kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, z.Lulzim Basha. Në këtë platformë, Basha parashikon bërjen publike të çdo takse të mbledhur nga Bashkia dhe mënyrën se si shpenzohen ato. Vendosjen e një linjë falas telefonike për denoncimin e korrupsionit, forcim të kontrollit të brendshëm anti-korrupsion, dhënien e më shumë kompetenca të njësive vendore dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Basha ka zgjedhur për të paraqitur platformën e tij ambientet pranë Qendrës Kombëtare të Licensimit, pasi synon që modelin e suksesshëm të kësaj qendre ta aplikojë në Bashkinë e Tiranës. “Qëllimi kryesor është që qyteti t’u kthehet qytetarëve, dhe për këtë transparenca është instrument kyç. E nisim me vendosjen e një linje telefonike falas për çdo qytetar i cili mendon se ka të bëjë me një sjellje korruptive, nga cilido nivel i qeverisjes vendore. Secili mund të telefonojë dhe të bëjë një denoncim qe pa asnjë dallim, do ti përcillet policisë për hetime të mëtejshme. Do te forcojmë instrumentet e brendshme antikorrupsion të bashkisë. Do te bej transparente shpenzimet e buxhetit të Tiranës. Do bëj realitet transferimin e më shumë kompetencave ndaj njësive  vendore të Tiranës. Tirana ka nevojë për vepra konkrete, vepra të cilat mund dhe duhet të kryen, dhe do të kryhen vetëm në kushtet e transparencës së plotë. Çdo diskutim i këshillit bashkiak, si kundër çdo diskutim i forumeve vendimmarrëse të Bashkisë së Tiranës, do të jetë i hapur me publikun, i hapur ndaj medias dhe njëkohësisht do të bëhet e mundur që zëri qytetar të vijë aty në forma dhe mënyra të ndryshme demokratike. Duke filluar nga referendumet në të ardhmen, tek konsultimet me të gjithë qytetin, apo në pjesë të veçanta të qytetit, duke përjashtuar kështu mundësinë ,që qoftë dhe një vendim i rëndësishëm për qytetin tonë të merret jashtë zërit qytetar dhe të reflektojë interesat klienteliste. Në bashkëpunim me këshillin bashkiak, çdo ankesë të trajtohet brenda 3-5 ditëve. Parimi “Heshtja” është miratim do të përdoret gjerësisht, dhe shumica dërrmuese e kërkesave do të marrë trajtim brenda 24 orëve”- u shpreh Lulzim Basha.
Mungesa e transparencës dhe përbuzja e qytetarëve nga Bashkia e Tiranës, ka qenë një nga shqetësimet që i është shprehur Bashës edhe nga banorët e njësisë bashkiake nr 4 në kryeqytet. Në një bashkëbisedim me ta, Basha ka ritheksuar se çdo të premte do tua dedikojë tërësisht qytetarëve. Në këto biseda Basha është njohur edhe me shqetësimet e banorëve që lidhen me punësimin, infrastrukturën dhe taksat e larta.
 “Kam shkuar 4 herë tek Bashkia. Ishin nja 15 seksere aty dhe thoshin që është e pa mundur me Kryetarin e Bashkisë, po se çfarë është zoti Kryetari I Bashkisë. Duhet të takohet duhet të ketë takim me popullin duhet të flasë gojarisht siç po flas unë me ty tani. A pse vetëm për fushatë, nuk është vetëm për fushatë kjo”- i tha Bashes një banore.
 “Është e pa mundur që të takosh Kryetarin e Bashkisë më kanë thënë mua”, u shpreh një banore tjetër.
“Unë e kam thënë që në 25 mars kur u shpalla kandidat që çdo të premte qytetarët e Tiranës do të kenë takim me Kryetarin e Bashkisë”, u përgjigj Basha.
Ashtu si në çdo cep të Tiranës edhe në takimet me banorët të lagjeve të njësisë nr 2, Basha ka premtuar se platforma e tij parashikon ndërtimin e Tiranës Europiane duke nisur nga lagjet. Edhe këtu, banorët shprehën shqetësimin për mungesën e investimeve në rrugë si dhe kërkuan ndërtimin e një shkolle në këtë zonë me 11 mijë banorë.
“Kemi 15 vjet gënjeshtra që na thonë se do rregullohen kanalizimet. Jemi aq keq me rrugën zoti Basha sa nuk ka ku të vejë më”- i tha Bashës një banor.
“Të jeni të sigurt që rruga do të jetë fillimi i punës. Fillimi i punës do të jetë rruga. Qyetarët paguajnë taksa, shërbimet nuk shpërndahen në rregull, taksat kanë ardhur duke u rritur, shërbimet nuk janë fare. Prandaj, pririoriteti numër 1 është ta nisim nga lagjet, me rrugë të standardeve, se ka lagje të reja ku nuk futet zjarrfikësja, ka lagje të reja që nuk futet autoambulaca. Do të bëjmë dhe infrastrukturën arsimore, kopshtet dhe shkolla sipas nevojes. Ndërtimi i Tiranës fillon nga lagjet”, siguroi Basha.
Basha ka garantuar banorët se çdo vendim që lidhet me zhvillimin e lagjeve dhe qytetit do të merret në bashkëpunim me ta dhe njësitë vendore dhe për çdo projekt strategjik qytetarët do të mund te vendosin edhe me referendum.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›