LSI, Luan Rama: Ditën e fitores kundër fashizmit do ta kthejmë edhe në fitoren e Pezës

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së gjatë prezantimi të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Komunën Pezë, Artur Peza
“Le të jetë Peza emblema e një bashkimi të madh në luftën antifashiste nacionalçlirimtare, emblema e këtij bashkim qytetar që ka realizuar PD-LSI dhe aleatët e tjerë, bashkim i frymëzuar nga interesat e mëdha të vendit, nga interesat e qytetarëve, nga interesat e shqiptarëve, dhe jo te interesat politike partiake dhe aq më keq akoma, të një klike uzurpatore, siç ndodh me të ashtuquajturën sot PS dhe lidershipin që e keqpërdor atë”. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të Komunës Pezë, Artur Pezën. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim elektoral, Luan Rama tha se Peza është një vend i shenjtë dhe një referencë e çmuar e historisë sonë kombëtare dhe për këtë arsye LSI ka propozuar Artur Pezën, që përfaqëson më së miri emrin e kësaj komune. Ai shpjegoi se ku u zgjodh Arturi për ta kandiduar në Komunën e Pezës, aleanca nuk u nis nga interesat partiake, madje po të gjykohej nga interesat partiake kishte shumë emra të tjerë, të cilët mund t’i kandidonim në Pezë, qoftë LSI, qoftë edhe vetë PD. Luana Rama i ftoi të gjithë banorët e Pezës që më datën 8 të votojnë Artur Pezën, “Aleancën për Qytetarin” dhe të votojnë LSI-në që më datën 9 maj të festohet në Pezë fitorja e Artur Pezës para monumentit të Babë Myslymit.
Duke folur për rivalët e PS-së, Luan Rama, theksoi se PS-ja ka ikur nga ndjenjat e solidaritetit dhe humanizmit që formësojnë një të majtë moderne evropiane. “Prandaj, në zgjedhjet e 8 majit në Pezë kandidojnë kandidatë të majtë, që përfaqësojnë të majtën e vjetër, të majtën e rrugës dhe të dhunës që përfaqëson Edi Rama dhe nga ana tjetër janë të majtët e vlerave qytetare, që përfaqëson LSI-ja”, tha Luan Rama.
Sipas tij, bashkë edhe me drejtuesit e PD-së do të kthehen në Pezë brenda 10 ditëve të para pas datës 8 maj për t’i njohur banorët e kësaj komune me projektin e parë që do të fillojë nga puna me rikonstruktimin dhe ndërtimin, sipas parametrave bashkëkohorë, të rrugës që lidh Pezën me Tiranën. “Do të mjaftonte vetëm gjendja e rrugës nga lapidari deri këtu, që është një segment që lidh dy simbole të së njëjtës histori të lavdishme të Pezës për të kuptuar se përse nuk duhet votuar më kandidati i PS-së. PS ka 15 vjet që drejton në Pezë dhe akoma ajo rruga ka asfaltin e shtruar që kur ishte Babë Myslymi gjallë. Prandaj duhet t’i ndëshkojmë ata që nuk punojnë për komunitetin, duhet t’i ndëshkojmë ata që nuk janë lidhur me Pezën, që nuk punojnë për Pezën, që nuk mendojnë për Pezën, që nuk mendojnë për banorët e Pezës”, deklaroi ndër të tjera Luan Rama në fjalën e tij.
Fjala e Luan Ramës në Pezë
“Jemi këtu në momentin më kulmor të fushatës së zgjedhjeve për t’iu njohur me programin elektoral që do të jetë plani i veprimit dhe projektet e mëdha që do të realizojë kryetari i ri i Komunës së Pezës dhe për të rikonfirmuar edhe një herë sot këtu në Pezë vlerën e veçantë që përfaqëson “Aleanca për Qytetarin”, si aleanca e vlerave, në themel të të cilave qëndrojnë ato vlera për të cilat shoqëria shqiptare është investuar me kohë dhe për të cilat po punohet në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit evropian.
E theksoj që në fillim që Peza është një vend i shenjtë, që Peza është një referencë e çmuar e historisë sonë kombëtare dhe për këtë arsye LSI ka propozuar Artur Pezën që përfaqëson më së miri emrin e kësaj komune. Kur zgjodhëm Arturin për ta kandiduar në Komunën e Pezës, nuk u nisëm nga interesat partiake, madje po të gjykonim nga interesat partiake kishim shumë emra të tjerë, të cilët mund t’i kandidonim në Pezë, qoftë LSI, qoftë edhe vetë PD. Po çfarë ndodh. Për koincidencë, zgjedhjet janë më 8 maj, një ditë më pas më 9 maj është dita e madhe e koalicionit antifashist botëror kundër fashizmit. Dhe në Pezën e historisë së lavdishme dhe në Pezën e Babë Myslymit, ku u themelua çeta e parë antifashiste, duhet që më datën 9 maj të kurorëzojmë si kryetar të komunës pikërisht një pinjoll të vjetër të një familjeje të lavdishme të Pezës.
Do të isha padyshim shumë i kënaqur që sot këtu të ishin të gjithë ata që kanë mbiemrin Peza. Të ishin dhe të konfirmonin se nuk janë të orientuar nga interesat partiake, por mbi interesat e partisë dhe në interes të komunitetit të Pezës dhe të kësaj krahine. E theksoj këtë, sepse nuk ka asnjë kuptim se cilitdo tjetër, çfarëdo emri që të ketë ai, por që ka mbiemrin Peza, të bëjë fushatë dhe të kërkojë votën kundër Artur Pezës. Prandaj të gjithë ju, të gjithë ne, duhet më datën 8 të votojmë Artur Pezën, të votojmë “Aleancën për Qytetarin”, të votojmë LSI-në që më datën 9 të vijmë dhe të festojmë në Pezë fitoren e Artur Pezës para monumentit të Babë Myslymit në ditën e fitores mbi fashizmin.
Në këtë sallë dhe gjithkund ku zhvillon fushatën “Aleanca për Qytetarin”, dominojnë flamujt e PD-së me ngjyrën blu të Evropës dhe flamujt e LSI-së që përfaqësojnë ngjyrën e kuqe të lavdisë, të heroizmit dhe të gjakut të partizanëve. Evropa e bashkuar, Evropa ku Shqipëria është në prag të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, është ngritur mbi themelet e antifashizmit, është ngritur mbi themelet e sakrificave të mëdha që kanë bërë popujt e saj për të punuar të gjithë së bashku për aspiratën e madhe të lirisë, për vlerat e patjetërsueshme të demokracisë dhe për progresin e shoqërisë njerëzore, për të cilën po punon “Aleanca për Qytetarin” dhe koalicioni qeveritar që kryeson Kryeministri Berisha.
Jua thotë në Pezë një njeri si unë që për 17 vjet ka qenë jo vetëm anëtar i Partisë Socialiste, por edhe përfaqësues në funksione të larta drejtuese në shtet, por edhe në PS. Mirëpo, PS-ja i ka ikur gjakut të kuq të dëshmorëve tani e ka bërë rozë, sepse ua vret sytë gjaku i kuq i dëshmorëve. PS ka ikur nga ndjenjat e solidaritet dhe humanizmit që formësojnë një të majtë moderne evropiane. Prandaj, në zgjedhjet e 8 majit në Pezë kandidojnë kandidatë të majtë, që përfaqësojnë të majtën e vjetër, të majtën e rrugës dhe të dhunës që përfaqëson Edi Rama dhe nga ana tjetër, janë të majtët e vlerave qytetare që përfaqëson LSI-ja.
Ne, anëtarët e LSI-së në Pezë, i garantojmë anëtarët e PD-së që me Artur Pezën do të jenë njësoj të përfaqësuar me cilindo që do të zgjidhnin ata nga PD-ja. Sepse Artur Peza dhe stafi që do të punojë në Komunën e Pezës kanë të gatshme projekte të mëdha, që e bëjnë Pezën pjesë integrale të natyrshme të Tiranës që do të ketë kryetar Lulzim Bashën. Bashkë edhe me drejtuesit e PD-së do të vijmë në Pezë brenda 10 ditëve të para pas datës 8 maj për t’iu njohur me projektin e parë që do të fillojmë nga puna me rikonstruktimin dhe ndërtimin sipas parametrave bashkëkohorë të rrugës që lidh Pezën me Tiranën. Do të mjaftonte vetëm gjendja e rrugës nga lapidari deri këtu, që është një segment që lidh dy simbole të së njëjtës histori të lavdishme të Pezës për të kuptuar se përse nuk duhet votuar më kandidati i PS-së. PS ka 15 vjet që drejton në Pezë dhe akoma ajo rruga ka asfaltin e shtruar që kur ishte Babë Myslymi gjallë. Prandaj duhet t’i ndëshkojmë ata që nuk punojnë për komunitetin, duhet t’i ndëshkojmë ata që nuk janë lidhur me Pezën, që nuk punojnë për Pezën, që nuk mendojnë për Pezën, që nuk mendojnë për banorët e Pezës.
LSI dhe “Aleanca për Qytetarin” u jep shansin të gjithë votuesve të Pezës të anëtarëve të LSI-së, simpatizantëve të saj, kandidatëve dhe simpatizantëve të PD-së, por edhe votuesve dhe anëtarëve të PS-së, ne u japim shansin që më datën 8 të dëshmojnë që Peza është e para. Duke qenë i bindur në fitoren e Arturit, duke qenë i bindur në fitoren e “Aleancës për Qytetarin”, ne më datën 8 maj nuk do të bëjmë tjetër, por do të shtojmë një kontribut më shumë pas liberalizimit të vizave që Shqipëria të jetë më pranë Evropës, që Shqipëria të jetë edhe një hap më përpara në rrugën e integrimit evropian.
Më datën 8 maj, ne të dashur motra dhe vëllezër pezakë, duhet t’i bëjmë një nder edhe PS-së, ta shpëtojmë atë nga klika e Edi Ramës, t’ia heqim Edi Ramën PS-së dhe ta kthejmë këtë parti në shtratin e një force normale politike serioze, që vë interesat evropiane të Shqipërisë mbi interesat e shtëpisë dhe të xhepit të Edit. Prandaj, vota për Artur Pezën është vota për Pezën antifashiste, për Pezën evropiane. Unë i ftoj të gjithë banorët e Pezës, ashtu siç bënë në kohën e luftës antifashiste, le të jetë Peza e para që të informojë fitoren e Artur Pezës dhe të “Aleancë për Qytetarin”. Le të jetë Peza e para që të thotë parathënien e fitores së Lul Bashës dhe të “Aleancës për Qytetarin” edhe për qytetin e Tiranës. Lë te jetë Peza emblema e një bashkimi të madh në luftën antifashiste nacionalçlirimtare, emblema e këtij bashkim qytetar që ka realizuar PD-ja me LSI-në dhe me aleatët e tjerë, bashkim i frymëzuar nga interesat e mëdha të vendit, nga interesat e qytetarëve, nga interesat e shqiptarëve, dhe jo tek interesat politike partiake dhe aq më keq akoma, të një klike uzurpatore, siç ndodh me të ashtuquajturën sot Partinë Socialiste dhe lidershipin që e keqpërdor atë. Ne jemi vlera, ata janë antivlera, ne jemi referenca e historisë së lavdishme, ata janë referenca e historisë së turpit, me të cilët është bashkuar Kurt Kola dhe të gjithë ata që luftonin kundër heqjes së vizave dhe kundër shqiptarëve. Ne jemi e sotmja e bukur, ato janë e sotmja në ikje e dhunës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ne jemi e ardhmja evropiane e Shqipërisë, ata janë emblema e së keqes, emblema e turpit, që më 21 janar përbalti, ndyu dhe turpëroi, shkeli mbi Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke hedhur gurë dhe eksploziv kundër Policisë së Shtetit dhe kundër institucioneve të këtij vendi demokratik. Kontrasti është i qartë, e ardhmja evropiane është si drita e diellit, ajo që përfaqëson Edi Rama dhe tufa e tij që i shkon pas dhe që vjen pas tij, për fat keq, natën edhe në Pezë është po aq e errët sa është edhe nata. Le ta lëmë natën në të keqen e vet dhe të bashkohemi me të nesërmen evropiane të Shqipërisë. Rroftë populli i Pezës, rroftë mbiemri i lavdishëm Peza që përfaqësojmë ne LSI dhe “Aleanca për Qytetarin”, rroftë Shqipëria evropiane. Fitore, fitore më 8 maj!