E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ajo që duhet të ndryshojë është sjellja politike jo formulat aktuale”

28-03-2012 / Gazeta 55

Reforma zgjedhore, OSBE tryezë diskutimesh

Politika pranon veten si problemin kryesor të zgjedhjeve në Shqipëri, por nuk e sheh zgjidhjen te një përbërje jopartiake e komisioneve zgjedhore. Ajo që duhet të ndryshojë, sipas Ilir Rusmalit, bashkëkryetari demokrat i Komisionit të Reformës Zgjedhore, është sjellja politike dhe jo formulat aktuale.
Në diskutimet për këtë çështje në tryezën e mundësuar nga OSBE, si kontribut për reformën zgjedhore, Rusmali tha se ka ende alternativa që mund të përfshihen në kod për të garantuar pavarësinë e komisioneve zgjedhore, në një kohë kur, siç konstatoi ai, shumica e diskutantëve ishin në favor të zgjatjes së jetës së formulës aktuale të KQZ-së. “Argumenti për këtë është ai për instrumentet alternativë që do t’u japin mundësi komisionerëve të adresojnë zgjidhje dhe në të njëjtën kohë të ulet presioni politik ndaj tyre. Ka ende mundësi që nuk janë eksploruar në reformën zgjedhore shqiptare. Përpara se të diskutojmë për ndryshime ligjore, politika duhet të ndryshojë mënyrën e sjelljes, unë duhet të ndryshoj mënyrën e sjelljes. Politika nuk duhet të sulmojë institucionin që krijon me dorën e saj me konsensus. Nuk është mirë që nga lojtar të bëhesh arbitër. Është sjellja politike dhe jo vetëm shqiptare kjo që duhet të ndryshojë nëse duam të themi nesër që rekomandimin e parë politika e ka marrë seriozisht dhe e ka zbatuar”, vuri në dukje Rusmali.
Formula aktuale e kodit zgjedhor të 2008-ës krijoi një balancë në administrimin e zgjedhjeve, mes dy forcave kryesore politike.
Sipas saj, në rreth 5000 qendra votimi dhe 66 KZAZ, gjysma kryesohen nga demokratët e gjysma nga socialistët. Parlamenti zgjedh si anëtarë të KQZ tre nga mazhoranca e tre nga opozita, ndërsa kryetari zgjidhet vetëm me konsensusin e opozitës mes katër alternativave që ofron mazhoranca. Por përmes bashkëkryetarit të tyre në reformë, Damian Gjiknuri, socialistët janë në favor të ruajtjes së formulës aktuale me përbërje politike të komisioneve të niveleve të dyta e të treta.
Por ndërsa flasin se formula e KQZ-së aktuale, është e dështuar, nuk kanë ende asnjë ide se çfarë elementesh mund t’i shtohen përbërjes politike të saj që të garantonin pavarësinë e këtij institucioni.
Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri vlerësoi gjatë fjalës së tij se “KQZ aktuale nuk e ka penguar asgjë të jetë e pavarur veç vullnetit politik, prandaj po kërkojmë një zgjidhje tjetër sa më konsensuale. Duam vërtetë të gjejmë një konkluzion sa më të mirë dhe jo të kapemi pas një modeli që ndoshta vetë e kemi bërë, por le ta pranojmë që dështoi”.
Arben Ristani, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i vetmi i zgjedhur me konsensusin më të gjerë, por më i sulmuari nga opozita, nuk konstaton probleme tek formula, por sipas tij disa mekanizma garancie mund të shtohen në emër të pavarësisë së komisioneve të të gjitha niveleve
“Certifikimi i komisionerëve të trajnuar për zgjedhje. Sekretari i komisioneve të niveleve të dyta e të treta të emërohet nga KQZ dhe jo nga partitë, kështu do të jetë i mirëtrajnuar dhe i përgjegjshëm për mbarëvajtjen e procesit. Të zgjatet mandati i KQZ-së përtej katër viteve të një mandati qeverisës dhe të ketë garanci pune për anëtarët pas përfundimit të mandatit të tyre”, nënvizoi Ristani, lidhur me këtë çështje.  
Ekspertit britanik, Carls Lasham parashtroi një sërë variantesh se si mund të ndërtohet një KQZ e bazuar në eksperiencën e tij 30 vjeçare në mbarë botën. Në fjalën e tij, Lasham propozoi një mandat 5 vjeçar të KQZ-së.
“Mandati i KQZ-së nuk duhet të jetë 4, por 5 vjeçar. Mund të ketë një KQZ kolegjiale politike, por edhe një zyrtar i zgjedhur konsensualisht, i cili do të kishte përgjegjësitë administrative të procesit”, vlerësoi ai.
Sipas tij, Shqipëria duhet të marrë modelin që i përshtatet, mbi të gjitha asnjë model nuk është i përshtatshëm nëse niveli i besimit mes palëve nuk rritet.
Ajo që Lasham e konsideroi të pazakontë është pjesëmarrja në mbledhjet e  KQZ-së e përfaqësuesve të partive politike, një model që nuk e ka gjetur në asnjë vend tjetër.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›