Fati i Metës në duar të Gjykatës së Lartë

Një kolegj penal i Gjykatës së Lartë ‘ka në duar’ fatin e një prej njerëzve më të përfolur në politikën shqiptare. Ilir Meta, ish-numri dy i qeverisë shqiptare, do të përballet me drejtësinë, duke kërkuar që video-skandali i regjistruar nga ish-vartësi i tij Dritan Prifti, të shpallet i pavlefshëm me argumentin se është marrë në kundërshtim me ligjin.
Avokatët e ish-ministrit të Energjetikës do të tentojnë të bindin kolegjin penal që të pranojë kërkesën e tyre, duke shpallur të papërdorshëm jo vetëm regjistrimin e realizuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ku Ilir Meta shfaqet duke kërkuar favorizime në tenderë, por edhe të gjitha aktet që rrjedhin prej saj.
Përballja mes kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Prokurorisë së Përgjithshme do të jetë e fortë, pasi vendimi i gjykatës do të jetë vendimtar për dosjen penale ndaj Ilir Metës, të dorëzuar po në gjykatën supreme, ku është vënë nën akuzën e korrupsionit. Sipas juristëve, nëse kërkesa Metës pranohet dhe videoja shpallet e papërdorshme, akuzat ndaj tij shndërrohen në zero, pasi e gjithë dosja e prokurorisë mbështetet mbi këtë provë.
Ilir Meta është marrë në cilësinë e të pandehurit dhe dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë.
Por nëse videoja e regjistruar nga Dritan Prifti rrëzohet nga gjykata si e pavlerë, Ilir Meta u shpëton akuzave.