E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizita e pazakontë, Çarçani përcillet me fishkëllima

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Të shtunën e 8 dhjetorit në ora 10:00, krejt papritur arriti për një vizitë në qytetin “Studenti” një ekip i qeverisë i kryesuar nga kryeministri Adil Çarçani. Vizita e Çarçanit tregoi shkallën e lartë të seriozitetit që autoritetet e PPSH-së po u kushtonin studentëve. Pavarësisht nga “afiniteti”, reklama dhe buzëqeshjet e pakursyera të liderit të qeverisë komuniste, vizita e tij u shoqërua me disa incidente të papritura publike. Fillimisht, incident dhe të qeshura të shumta shkaktoi tek studentët vizita e kryeministrit në godinën 26-27 ku banonin vajzat e Ekonomikut dhe fakultetit të Shkencave. E ndërtuar nga vullnetarë të disa rretheve, përurimi i saj ishte bërë më 14 shtator të atij viti nga vetë ministri i Arsimit S.Gjinushi. Kjo godinë ndodhej disi e veçuar nga insfrastruktura e qytetit studentor. Rruga nga qendra e qytezës deri tek godina, megjithëse nuk ishte më shumë se 10-15 metra e gjatë, ishte një tmerr i vertetë. Balta e dendur dhe gropat e mëdha të mbushura me ujin e shirave dimërorë, e bënin të pamundur ecjen normale në të. Për studentët kjo ishte një nga vështirësitë e zakonshme të jetës studentore. Kurse për një qeveritar të lartë, ky realitet ishte një surprizë e pakëndshme. Kështu, të paktën u duk atë paradite të 8 dhjetorit, kur eskorta qeveritare e kryeministrit Çarçani kërkoi të kalonte baltën. Trupa e shoqërimit kishte sjellë me vete çizme ushtarake për kryeministrin dhe shoqëruesit e tij qeveritarë. Edhe pse i pajisur me mjete të tilla siguruese, kryeministri ndaloi në hapin e parë të rrugës. Ai shprehu frikë dhe mosbesim për të vazhduar më tej. Atëherë kryeministri zgjodhi ecjen në cepat e betonimit anësor të rrugës që ndërtuesit e quajnë bordurë trotuari. Dhjetë metrat e rrugës Çarçani i bëri duke ecur si në skena cirku në bordurë dhe duke u mbështetur në krahët e dy-tre bodigardëve të tij. Natyrisht, që kryeministri i shpëtoi baltës, pavarësisht se shoqëruesit e tij humbën ngjyrën e këpucëve.
Kjo skenë shkaktoi të qeshura të shumta të gjithë studentëve, që ndodheshin përpara godinës në pritje të kryeministrit të tyre. Të qeshurat e shprehura me zë të lartë edhe nga ballkonet, zemëruan kryeministrin, i cili urdhëroi shoqëruesit dhe forcat e shumta të policisë të normalizonin situatën. Më pas, kryeministri bisedoi gjatë me studentët për kushtet e mira ekonomike dhe kujdesin e vazhdueshëm të qeverisë së tij për ta. Ironia e kësaj vizite dhjetë minutëshe të kryeministrit ishte se kthimin në rrugicën e baltosur ai e bëri me makinën ushtarake që e shoqëronte dhe jo më në këmbë. Natyrisht që ai shpëtoi nga baltosja fizike në atë pjesë rrugë që studentët ishin të detyruar ta bënin minimumi pesë-gjashtë herë në ditë.
Pas incidentit të baltës, Adil Çarçanin e drejtuan në sallën e godinës 12 ku qeveritarët më të vegjël dhe drejtoria e qytetit “Studenti” kishte përgatitur një takim të improvizuar me studentë. Sipas traditës, gjysma e pjesëmarrësve në sallën 100-vendëshe ishte e përbërë nga ushtarakë, oficerë policie dhe sampistë të repartit special 326 të Tiranës. Pjesa tjetër përbëhej nga studentë, pakica e të cilëve nuk ishte e zgjedhur nga organizata e rinisë komuniste për të marrë pjesë. Megjithatë, tashmë këto klishe i përkisnin të kaluarës. Kohët kishin ndryshuar psikologjinë dhe mënyrën e reagimit studentor. Takimi filloi nën një frikë të dukshme të autoriteteve qeveritare. Frika ndaj debatit studentor, bëri që atmosfera e zymtë e atij takimi dhe ftohtësia e marrëdhënieve të podiumit me pjesën studentore të auditorit, të paralajmëronin një debat jo të zakontë. Supriza nuk vonoi. Dy-tre studentët e parë shprehën protesta për kushtet e studimit, burokracinë universitare. Menjëherë pas tyre e kërkoi fjalën një studente e fakultetit të inxhinierisë. Quhej Alma. Ajo filloi të fliste pa klishetë e kortezive zyrtare. Në fund të fjalës së saj, ajo iu drejtua kryeministrit Çarçani me fjalët: “Çfarë kushtesh kemi ne studentët? Nuk kemi as ato minimalet. Edhe në shtëpitë tona është e njëjta gjendje. Ne ndihemi në varfëri ekonomike”. Pasi qëndroi për një çast në pritje të ndonjë reagimi nga zymtia e portreteve të podiumit, ajo dha deklaratën surprizë: “Unë smund tju kuptoj atëherë për ato që thoni. Unë dhe shoqet e mia kemi pasur shumë besim tek partia (PPSH-ja), por kohët e fundit jemi zhgënjyer shumë prej saj. Unë nesër do bëhem nënë, por ja ku po ju them, se unë smund të lind fëmijë për Ju!”. Salla ra në heshtje. Çarçani dhe bodigardët e tij të shumtë vështruan ashpër auditorin, në pritje të ndonjë reagimi studentor kundër fjalëve të vajzës, siç kishte ndodhur pothuajse për pesë dekadat e fundit të demokracisë socialiste.
Por, pritja dhe shpresa e tyre ishte një zhgënjim i shumëfishtë. Vazhdimi i debatit studentor tregoi se shumica e studentëve pjesëmarrës ishin në një mendje me kolegën e tyre. Atëherë, Çarçani hijerëndë dhe i mundur u ngrit dhe formalisht mbajti fjalimin e fundit publik të karrierës së tij politike. Sipas formulës ramiziste, fillimisht deklaroi se pranonte frymën e kritikës, ndërsa më pas harxhoi energji të kota për të ngritur në pediestal punën e qeverisë dhe partisë së tij. Në fund, në emër të tij, qeverisë dhe PPSH-së, kryeministri komunist Adil Çarçani kërcënoi studentët për mendimet e tyre jorealiste dhe të frymëzuara nga propaganda e huaj. Megjithatë, ai nuk shkoi më tej në sulmet e tij, por tha se për ta vazhduar debatin, duhej një punë më serioze me studentët nga rektorati universitar, drejtoria e qytezës dhe e organizatës së rinisë komuniste. Me kaq, takimi dhe vizita zyrtare e kryministrit u mbyll. Për herë të parë, në fund të spektaklit student-qeveri nuk pati as duartrokitje për qeveritarët dhe as brohoritje për diktatorin e diktaturën. Përkundrazi, ikja e Çarçanit u shoqërua me fishkëllima.

Shtetrrethim/Kujdestaret e vajzave përpiqen të frenojnë vërshimin nga godinat

Kur shoqet tona u arratisën nga dhomat me litarë çarçafi

Çastet më emocionale të atij solidariteti masiv ishin ato përballë godinave të vajzave 11-12 dhe 9-10. Thirrjeve të studentëve për solidaritet, garda e madhe e punonjësve të godinës i përgjigjej me akuza imorale për djemtë demonstrues. Këtë akuzë nuk e ndryshoi as thirrja e përsëritur e gjithë protestuesve: “Jeni motrat tona”. Dikush kishte brenda motrën, dikush të dashurën, dikush të afërmen dhe dikush shoqen e kursit. Kjo njohje e natyrshme ishte vendimtare për të krijuar mirëbesimin dhe solidaritetin studentor mes djemve protestues dhe vajzave të mbyllua brenda. Kujdestarët dhe kuadrot e shumtë të rektoratit përplasën portat dhe i mbyllën ato me zinxhirë. Në pamundësi daljeje jashtë godine, vajzat e para solidarizuese filluan të protestonin ashpër ndaj stafit të drejtorisë. Një pjesë e tyre kërkoi me insistim të bashkohej me grupin e demonstruesve. As presioni i djemve nuk dha rezultat për të hapur portën e godinës. Tensioni po rritej dhe frika e ndonjë incidenti mes punonjësve dhe protestuesve të irrituar ishte evidente. Për të gjithë, kjo rrezikonte që propoganda zyrtare ti akuzont demonstruesit studentë si imoralë dhe vagabondë. Këtë gjë ajo e kishte dëshmuar dy vite më parë, pas një proteste të famshme paqësore të studenteve konviktore të ILA-ve. Këtyre mometeve me peshë psikologjike, zgjidhja u erdhi pikërisht andej nga nuk imagjinohej. Një grup i madh vajzash që nuk pranonin të sodisnin protestën nga brendësia e godinës së mbyllur, kishin vendosur të bashkoheshin me protestën me një mënyrë krejt të veçantë. Ato lidhën çarçafët në parvazët e dritareve të katit të dytë dhe duke u mbajtur pas tyre, filluan të zbresin në tokë. Ishte me të vërtetë diçka e jashtëzakonshme. Akti i tyre la të mahnitur tërë grupin e madh të studentëve demonstrues. Thirrje të ashpra dhe radikale kundër qeverisë, shpërthyen në të gjithë rrethinën e godinës. Nga ana tjetër punonjësit e godinave, vrapuan për të penguar sfidën e atyre vajzave të jashtëzakonshme. Nuk kishte rëndësi numri vajzave që me këtë mënyrë origjinale ia arritën ti bashkohen protestës. Rëndësi kishte akti i tyre guximtar dhe kurajoja e jashtëzakonshme. Atmosferës së nxehtë i erdhën në ndihmë studentë-oratorë të cilët nga trotuaret dhe stolat para godinës, filluan fjalimet e solidaritetit. Në këto momente, përfundimisht studentët e kishin mundur frikën dhe ishin të gatshëm të përlesheshin me makinën e madhe të diktaturës. Kjo u duk, menjëherë, kur thirrjes së një grupi studentësh për të vazhduar marshimin në rrugicën që të çon drejt lagjes dhe sheshit të Universitetit, iu përgjigjën të gjithë studentët. Të gjithë synonin vazhdimin e protestës paqësore deri në krijimin e mundësive për një dialog intensiv e të barabartë me autoritetin më të lartë të vendit, Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së Ramiz Alia.

Ai i trembej fundit si të Çausheskut

Kreu i dështuar i regjimit, Ramiz Alia, atë përvjetor të parë të ekzekutimit të kolegut të tij rumun Nikolae Çausheskut, tregoi se seriozisht i trembej një fundi të njëjtë. Pallati ku ai banonte i gjendur 2 kilometër përballë demonstruesve studentë, gjatë natës së 9 dhjetorit dhe tërë paradites tjetër nuk ishte rrethuar vetëm nga tanket dhe autoblindat e gardës. Më shumë se 600 studentë ushtarake të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve ishin vendosur në gatishmëri të plotë në të gjithë zonën pranë vilave gjermane dhe ullishteve, 300-500 metra larg godinave të qytetit “Studenti”. Krijimi i psikozës së frikës, ishte themeli ku rregjimi i tij mbështetej, por pas katër dekadave terror e frikë, brezi studentor i 90-ës duket se nuk do të pajtohen dhe nuk do të trembej nga kërcënimet e pareshtuara të makinës shtypëse të rregjimit.

Ky lajm është publikuar: 08/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›