E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, sot mbyllet aplikimi, fituesit shpallen më 14 dhjetor

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Sot skadon afati për aplikimin në studimet me kohë të pjesshme ose thënë ndryshe part-time. Fituesit do të shpallen pas një jave (më 14 dhjetor 2009). Institucionet publike të Arsimit të Lartë (universitetet) do të shpallin dhe do të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e çdo fakulteti, brenda orës 12.00 të datës 14.12.2009, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës. Fakulteti Juridik ka pasur edhe kërkesat më të larta për regjistrim ku numri i kërkesave i ka kaluar ndjeshëm ato të kuotave ( 260 kuota në total). Ndërsa numri i kuotave të miratuara në tërësi për sistemin part-time për vitin akademik 2009-2010 është afro 6 mijë.

Përzgjedhja

Për sa i përket mënyrës së përzgjedhjes së fituesve në udhëzimin e lëshuar nga MASH thuhet se pranë njësive kryesore përgjegjëse Institucioneve publike të Arsimit të Lartë, për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, dhe për programe të dyta studimi, të ngrihen komisione Ad-hoc, me anëtarë të personelit akademik, për përzgjedhjen e kandidatëve fitues për këto programe, në përputhje me kuotat e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.1113, datë 13.11.2009.

Regjistrimi i fituesve

Regjistrimi i kandidatëve që do të shpallen fitues në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë ku janë shpallur fitues, do të zhvillohet nga data 14.12.2009 deri në datën 18.12.2009, prej orës 8.00 deri në orën 16.00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë. Regjistrimi i kandidatëve fitues bëhet vetëm me dëftesën e pjekurisë origjinale të shkollës së mesme. Dokumentet e aplikantëve jofitues do tu kthehen personave kundrejt kërkesës. Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, Institucionet Publike të Arsimit të Lartë do të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar në datën 22. 12. 2009.

Kuotat e parealizuara

Kuotat e pranimeve në studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distsncë, të përcaktuara në pikën 1 të Vendimit nr. 1113, datë 13.11.2009 të Këshillit të Ministrave (rreth 6 mijë kuota), që mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Regjistrimi i kandidatëve për transferim studimesh kryhet pas shpërndarjes nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, të kuotave të përcaktuara në shkronjën “c” të pikës 1 të Vendimit nr. 1113, datë 13.11.2009 të Këshillit të Ministrave, bazuar në pikën 5 të Udhëzimit të ministrit të Arsimit dhe të Shkencës Nr.37, datë 29.10.2008, për “Transferim studimesh në ciklin e parë me kohë të plotë në vitin akademik 2008-2009”. Regjistrimi i kandidatëve të huaj, që do të studiojnë në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë të Republikës së Shqipërisë, në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, kryhet pas dërgimit nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës të listës së kandidatëve dhe shpërndarjes së kuotave të përcaktuara me Vendimin nr. 1113, datë 13.11.2009 të Këshillit të Ministrave. Pas mbylljes së procesit të të gjitha regjistrimeve, Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, do të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës listat përfundimtare me regjistrimet e kryera brenda datës 17.12.2009, në bazë të Udhëzimit nr. 19, datë 18. 07. 2007, “Për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit”.

Part-time
6 mijë kuota janë miratuar për studimet part-time për vitin akademik 2009-2010. Kuotat janë shpërndarë për Universitetin e Tiranës dhe rretheve.

Juridik
260 fitues do të pranohen në Fakultetin Juridik këtë vit në studimet me kohë të pjesshme. Prej tyre 200 në Universitetin e Tiranës dhe 60 në Shkodër në Universitetin ”Luigj Gurakuqi”. Tarifa e shkollimit për të katër vitet do të llogaritetet në bazë kreditesh të lëndëve dhe varion nga 55 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për prgram të parë dhe të dytë studimi.

Gjuhë-Letrësi
610 fitues do të pranohen në degën e gjuhë-letërsisë, përfshirë Tiranën dhe rrethet. Tarifa e studimit varion nga 85 mijë deri në 100 mijë lekë të reja në vit.

Histori
310 kandidatë do të pranohen në degën e Historisë të Fakultetit Histori-Filologji (250 në Tiranë dhe 60 në Shkodër). Tarifa e shkollimit ndryshon për program të parë dhe të dytë studimi (përkatësisht 85 mijë deri në 100 mijë lekë të reja në vit)

Administrim-biznes
365 kuota gjithsej janë miratuar këtë vit për studimet part-time. Tarifa e shkollimit varion nga 75 mijë deri në 100 mijë lekë të reja në vit.

Financë-kontabilitet
480 kuota janë miratuar në degën financë-kontabilitet të Fakultetit Ekonomik. Tarifa e shkollimit varion nga 75 mijë deri në 100 mijë lekë të reja në vit.
Ky lajm është publikuar: 08/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›