E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyteti Studenti, netët kur talljet u konvertuan në protesta

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Fillimi i dhjetorit erdhi me atë monotoninë mbytëse të tërë atyre javëve të ftohta të dimrit të vitit 1990. Gjendja e pandryshuar ekonomike, propaganda e madhe për epërsitë e mekanizmit të ri ekonomik dhe afrimi i periudhës së provimeve semestrale, mbante peng tërë atmosferën universitare. Pasditeve të njëtrajtshme, studentët vazhdonin tu kushtonin më shumë kujdes stendave dhe debateve të shtypit, sesa shablloneve 50-vjeçare të propagandës mësimore. Sidomos studentët konviktorë ende ndiheshin viktima të atmosferës së dyfishtë mes monotonisë në auditore dhe monotonisë në konvikte. Riti i fletë-rrufeve dhe njoftimeve të organizatës së BRPSH-së, që kritikonin studentët që nuk kishin pastruar si duhet dhomat dhe që nuk kishin kryer si duhet dezhurnin në guzhinat e mensave, vazhdoi të përsëritej me të njëjtën egërsi edhe në fakultete. Kjo nuk ishte një gjë e parëndësishme. Përkundrazi, kishte ende shumë nga ata pedagogë që vlerësimin e dijeve të studentëve e bënin jo nga shkalla e përgatitjes mësimore, por nga shkalla e vlerësimit të tij nga Organizata e Bashkimit të Rinisë dhe Këshilli i Studentëve.
Në ndryshim nga rutina dhe monotonia e leksioneve universitare, ditët e para të dhjetorit 1990, pasditeve në godinat e qytetit “Studenti” filloi të përjetohej një atmosferë dhe një realitet krejt tjetër. Që nga 1 dhjetori, çdo pasdite në godinat e studentëve të inxhinierisë, arteve dhe letersisë, shuheshin dritat elektrike. Për një periudhë prag provimesh dhe për një dhjetor të ftohtë tiranas, mungesa e dritave ishte më tepër se një mungesë e zakonshme në jetën sudentore. Si pjesë konkrete e realitetit dhe e debatit studentor, ky fenomen teknik u shndërrua në qendër të vëmendjes dhe bazament për përvijimin e të gjitha reagimeve të tyre. Fillimisht, nervat e acaruara të studentëve dhe manifestimi i protestes spontane, patën një kufi durimi. Kështu ndodhi ditën e parë dhe të dytën. Përsëritja e të njëjtit refren, përjetimi i të njëjtit shqetësim dhe protesta e të njëjtëve protagonistë, nga dita në ditë u kthye në një rit nga i cili u bë gjithnjë e më e pamundur të dilje. Pas katër ditëve të para të mungesës së dritave, u bë zakon studentor, që momentin e shuarjes së dritave, ata të reagonin duke thirrur, fishkëllyer, kënduar etj. Kjo lloj proteste u zgjerua dhe nga vetmia e një apo dy dhomave, filloi të praktikohej në të gjitha ballkonet e godinave studentore.
Mbrëmja e 4 dhjetorit 1990, solli mënyrën e protestës ndryshe. Sipas traditës filluan tingujt muzikor dhe thirrjet e sforcuara të studentëve. Por, monotonia e kësaj lloj proteste shumë shpejt ndryshoi. Ishin orët e para të mbrëmjes kur në godinen 23 ku banonin studentë të Institutit të Lartë të Arteve filluan që thirrjet dhe muzika shoqëruese të dalë nga dhomat në ballkone. Studentët e ILA-së kishin vendosur të protestonin në mënyrë origjinale, duke i shndërruar ballkonet dhe dritaret në skena shfaqjeje. Ritmet e muzikës harmonizoheshin me ritmet dhe dendësinë e thirrjeve dhe parullave enigmatike studentore. Në përgjigje të tyre, studentët e gjeologji-minierës nxorrën karriket në ballkone dhe në mënyrë të çuditshme filluan tu binin me shkopinj. Ata të letërsisë, konkurruan kolegët me recitimin e ndonjë poezie të ndonjë autori të ndaluar nga regjimi, kurse studentët e inxhinierisë mekanike shoqëronin skenën me ca klithma që do ti kishte zili çdo cirk i Evropës. Mbrëmja e 4 dhjetorit u përsërit edhe një natë më pas. Thirrjet e studentëve dhe protesta e tyre nëpër ballkone, alarmoi tërë Drejtorinë dhe Rektoratin e Universitetit. U bënë disa mbledhje të njëpasnjëshme të kolektivave të punonjësve të godinave, por, lehtësisht, dukej se kësaj radhe nuk do të ishte e lehtë shuarja e protestës. Në këndet e godinave ku zakonisht afishohej falas gazeta “Zëri i Popullit”, u varën thirrje të drejtorisë, rektoratit dhe organizatës së rinisë. Të gjitha së bashku u kujtonin studentëve rregulloret e shkollës, rregulloret e konvikteve dhe paralajmëronin marrjen e masave ekstreme për ata që thyenin disiplinën. Të gjitha flisnin “për luftën kundër veprimeve antiligjore të disa individëve”. Ishte e njëjta përmbajtje dhe skemë që pushteti kishte zbatur që nga themelimi i universitetit.
Ditën e dytë të këtij veprimi “antiligjor”, më 6 dhjetor, një grup studentësh të inxhinierisë mekanike-elektrike, publikuan në muret e drejtorisë së qytetit “Studenti” një fletë-rrufe drejtuar qeverisë dhe autoriteteve universitare. Ishte e para e këtij lloji në historinë e këtij qyteti shpërthyes. Fletë-rrufeja në tërësi kërkonte realizimin e premtimeve televizive për kushte ekonomike, ngrohje, ushqim, mësim dhe ndriçim. Ajo ishte sinjali i parë serioz që autoritetet morën publikisht. Vendi i publikimit të saj si zakonisht u rrethua me policë dhe njerëz të kasketave, të cilët kishin një dëshirë të jashtëzakonshme të mernin hapur informacione për të gjithë ata studentë që afroheshin për ta lexuar atë. Ca prej tyre humbën më shumë se një ditë për të pyetur studentët se përse ishte përdorur bojë e kuqe dhe korniza blu, përse fletërrufeja nuk i drejtohej direkt partisë, por autoriteteve ekzekutive dhe përse të tjera të pafundme.
Shpirtrat e studentëve të tunduar për “herezi”
Jehona e fletë-rrufesë më shumë se tek studentët, pati efekt tek autoritetet. Zyrat e policisë dhe drejtorisë qëndruan të hapura deri në orët e vona të natës, në pritje të informacioneve “shtesë” mbi qëllimet dhe lëvizjet e studentëve. Parandjenja e tyre kishte një bazë të fuqishme vërtetësie. Ndryshe nga ndrojtja e netëve më parë, mbrëmjen e 6 dhjetorit protesta e ballkoneve mori një drejtim të ri. Studentët filluan garën mes godinave duke shkëmbyer mes njëri-tjetrit si përshëndetje, emrash politikanësh dhe shkrimtarësh të ndaluar, shqiptarë dhe të huaj. Kështu, sapo nga ndonjë ballkon të errësuar të godinës së letërsisë dëgjohej thirrja: “Rroftë Gjergj Fishta”, studentët përballë ia kthenim “Rroftë Faik Konica!”. Kjo mori shkëmbimesh mes tyre, i la vendin emrave më të njohur të politikës ndërkombëtare. Ata thërrisnin: “Rroftë H.Kohli” apo “Poshtë H.Kapo”, të tjerët ia kthenin: “Rroftë Xh.Bushi” apo “Poshtë Stalini!”.
Shkëmbimi i thirrjeve dhe gara e studentëve lanë gjurmë të jashtëzakonshme kryesisht në vetëdijën studentore. Ata më të guximshmit vazhduan të gjejnë emra të tjerë nga katalogu i të ndaluarve, kurse ata më të tërhequrit mes ankthit dhe admirimit dëgjonin të fshehur poshtë dritareve apo batanijeve. Të dy palët arritën të mposhtin kultin e frikës që kishte sunduar shpirtrat e tyre për vite me radhë. Dëshira për të vazhduar me “garën” dhe me lojën e emrave heretikë ishte e gjithëpushtetshme. Kjo dukej hapur saqë edhe kur në godina vinin dritat elektrike, studentët i shuanin ato dhe dilnin në ballkone për të vazhduar ritin e panjohur të betejës së emrave. Kjo mënyrë proteste dhe dëshirë për të shfrytëzuar të gjitha shanset e jetës së përbashkët studentore, këto thirrje në dukje të shpërndara dhe momentale, bënë efektin më të madh në psikologjinë e studentëve. Natën tjetër, ata prisnin me padurim fikjen e dritave për të rifilluar dhe avancuar më tej protestën e tyre origjinale.

Ministri i Arsimit udhëzon për përjashtime

Ministri i Arsimit urdhëroi të gjithë kujdestarët dhe punonjësit e godinave të studentëve për të evidentuar dhe përjashtuar nga godinat të gjithë studentët që solidarizoheshin në ritin studentor të ballkoneve. Paralelisht, në komandën e policisë të qytezës kishte arritur urdhri tjetër për të arrestuar të gjithë studentët që do të përjashtoheshin nga godinat. Nëse do të zbatoheshin këto urdhra, atëherë në qytetin “Studenti” do të mbeteshin vetëm kujdestarët, policët dhe spiunët e sigurimit. Por, mrekullia kishte ndodhur. Sado që vendimet shtrënguese shtoheshin, aq më shumë rritej numri i studentëve që mbrëmjen pasardhëse, i bashkoheshin ritit të ballkoneve. Shtimi i tyre do të thoshte shtim edhe i mozaikut të thirrjeve politike, mënyrës së protestës dhe thyrjes së mitit të frikës nga regjimi politik.

Studentët e Arteve provokojnë me festën në përvjetorin e Bitëllsave

Më 7 dhjetor në ILA një grup studentësh dhe pedagogësh kishin arritur të realizonin kremtimin për herë të parë në Shqipërinë komuniste, përvjetorin e grupit të famshëm muzikor “Bitëlls”. Kremtimi i asaj nate u kthye në një bumerang për betonin ideologjik të dikaturës.

Mbrëmja e ILA-së ishte një nga pjesët më të ndjeshme të reagimit studentor. Kasetat ilegale me këngë të fondit muzikor bashkëkohor morën përpjestime të mëdha mes studentëve. Mbrëmjeve kur errësira mbulonte godinat dhe dritat e dhomave fillonin të shuheshin, të mbledhur në dhoma të veçanta studentët dëgjonin tingujt e ndaluar. Këtë gjë e kishte nuhatur jo vetëm policia e fshehtë, por edhe shtypi kryesor komunist. Gazeta kryesore politike “Zëri i Popullit” servirej falas godinë më godinë. Ato ditë dhjetori, ajo shpërndahej falas edhe në auditorët e universitetit. Brenda faqeve të saj flitej gjerësisht mbi rrezikun e degjenerimit të rinisë studentore nga muzika dhe moda e huaj. Më 7 dhjetor 1990 gazeta “Zëri i Popullit” iu shpërnda falas studentëve në dhjetëra mijëra kopje. Me 7 dhe 8 dhjetor 1990 kjo gazetë botoi në faqen e saj të parë lajmin mbi vizitën e ministrit të Jashtëm shqiptar në Havanë. Ato ditë dhjetori, Fidel Kastro ishte aleati i vetëm i Ramiz Alisë në botë. Njëkohësisht, gazeta informonte mbi daljen “në qarkullim të vëllimit numër 71 të veprave të shokut Enver”(1) dhe për vendimin historik të shqiptarëve të Kosovës për të bojkotuar zgjedhjet federative jugosllave. Ato ditë ishin të veçanta, pasi ishte hera e parë që shteti vraponte publikisht për të shpërndarë me urdhër policor helmin e zi informativ. Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Pavarësisht nga kjo sjellje, në mënyrën e reagimit studentor asgjë nuk ndryshoi. Për më tepër, ishte një zhgënjim këmbëngulja e atyre studentëve të cilët më kot shpresuan të gjejnë mes rreshtave të saj ndonjë gjë të ndryshme nga stili i saj 50- vjeçar. Ishin të njëjtët terma politikë, të njëjtët autorë dhe të njëjtat ndjenja besnikërie ndaj prosocializmit që prej një viti ishte fundosur përgjithmonë në gjithë Evropën Lindore....

Ky lajm është publikuar: 08/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›