E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa dorëlëshimin e Alisë, mund të kishim ende socializëm

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Për cilësinë e pedagogut që iu bashkua studentëve të Lëvizjes së Dhjetorit, për cilësinë e njërit prej atyre intelektualëve që u bënë themeluesit e Partisë Demokratike dhe për cilësinë analitike të psikologut, Prof. Edmond Dragoti është ndër personat më të përshtatshëm për të interpretuar ngjarjet që sollën pluralizmin dhe për të ndihmuar kuptimin e një sërë kompromisesh, divergjencash e rrjedhojash në jetën e mëpasme shqiptare. Në optikën e tij, ato vijnë në një mpleksje faktorësh politikë, moralë, socialë, moshorë e historikë.

-Nga pozicioni i pedagogut të Dhjetorit 90, por edhe i pedagogut të sotëm të Psikologjisë, sipas zbërthimit psikologjik që ju i keni bërë kësaj ngjarjeje, pse pikërisht në Qytetin Studenti, mori shkas përmbysja e madhe e diktaturës?

Në të gjitha kohërat e aq më tepër në një periudhë krize, baza e çdo revolucioni dhe e çdo përmbysjeje sociale janë të rinjtë. Mosha më e vetëdijshme që vjen pas dhe në kuadër të adoleshencës janë studentët. Ata janë pjesa më proletare e intelektualëve dhe janë po aq idealistë e rebelë sa adoleshentët. Duke qenë një bashkim i tillë, i bën gjithmonë masën e predispozuar për ndryshime në shoqëri. Në të gjitha rregjimet sidomos në regjimet diktatoriale ose në demokracitë e tranzicionit si kjo e jona, studentët janë grupi më aktiv dhe më i vetëdijshëm i shoqërisë. Dhe çdo qeveri përpiqet ti kontrollojë ata.

-Pra, ishte mosha. Por ishte edhe vendi: Qyteti Studenti…Çfarë peshe kishte vendi?

Atje ishte akumuluar elita e rinisë shqiptare. Gjithë Shqipëria kishte një Qytet Studenti, pavarësisht nga universitetet e tjera që ekzistonin. Por Tirana ishte e vetmja që kishte këtë masë të madhe rinore., Dhe së dyti, duke qenë pranë pushtretit, mundësia për ta tronditur ishte më e madhe. Aty efektet e kësaj lëvizjeje do të ishin më të ndjeshme e më të kapshme edhe nga mediat e huaja. Së fundi, duke qenë në qendër të vëmendjes, mundësia për të transmetuar mesazhin në rrethet e tjera, ishte maksimale. Qyteti Studenti ishte një vatër e zgjuar e trurit, që mund të dërgonte sinjale në formën e rrathëve koncetrikë në të gjithë rrethet.

-Ishin pakënaqësitë e kushteve të jetesës në godina dheushqimi në mensa një shkaktar real apo vetëm një pretekst?

Në të vërtetë jo. Pakënaqësitë në Qytetin Studenti nuk ishin më të mëdha, sesa ato në të gjithë vendin, sesa në familjet e tyre. Në të vërtetë, ishte një pakënaqësi e akumuluar në breza studentësh.

-Ka patur përçapje më parë sesa kjo protestë në Qytetin Studenti, ndonjë sinjal për të bërë diçka kundër?

Këtë do të thosha. Unë kam mbaruar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Ishte fakulteti më i preferuar, ku vinin edhe fëmijët e bllokmenëve dhe të familjeve të tjera që kishin pozita, si fëmijët e Mehmet Shehut, Gogo Nushit apo të anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike. Dhe në zborret e aksionet tona, kishte një lloj rebelizmi për vite me radhë, bile fëmijët e Bllokut ishin po kaq rebelë sa edhe ne të tjerët.

-Me sa duket këtu u mpleksën edhe tiparet e konfliktit të brezave…

Konflikti i brezave funksionon në të ngjitha kohërat dhe kur ka kriza, këto hendeqe thellohen më tej. Por ata që u ngritën në protestë, nuk ishin njerëzit që vuanin më shumë, nuk u ngritën të përndjekurit, nuk u ngritën ata që persekutoheshin. Në të vërtetë u ngrit shtresa më intelektuale e rinore njëherësh.

-Cili ishte ndikimi i pedagogëve në këtë ndërgjegjësim studentor dhe pesha e tyre në këtë lëvizje?

Në të vërtetë, edhe situata ndërkombëtare ishte një sfond i rëndësishëm, që jepte mbështetje të natyrave të tilla. Në çdo përmbysje të mundshme social-politike ka një frymë të përgjithshme që qarkullon në grupe shoqërore, shoqëria merr frymë pak a shumë nëpërmjet grupeve të ndryshme në formë globale. Kjo frymë kishte kohë që po ndihej. Në atë kohë njerëzit prisnin vetëm të krijohej situata. Natyrisht, nuk kishte ndonjë lëvizje të organizuar ndonjëherë më parë.

-Në çfarë forme është shfaqur pakënaqësia më parë në Qytetin Studenti, përveçse me batuta apo barcaleta?

Protesta të mirëfillta nuk pa pasur, por ka pasur frymë rrebele në qëndrimet tona, që shfaqej në sjellje, në veshje, në ironizmin e shkollës ose frymë kundërshtuese ndaj kufizimeve. Përshembull, ndaloheshin flokët e gjata, studentët mbanin flokët e gjata. Në këtë kuptim, ekzistonte vetëm fryma. Në auditoret e fakultetit, një pjesë e jona- e pedagogëve nisëm të fusnim një frymë më liberale, duke folur për autorët e ndaluar, përshembull për Frojdin, duke futur në leksion tema tabu si seksi, që bënin shumë përshtypje në auditor e që studentët i mirëprisnin. Kishte në atë kohë libra dhe shkencë të ndaluar. Studentët dhe pedagogët më tepër nënkuptoheshin sesa flisnin me njëri-tjetrin. Por në këtë lëvizje të madhe kishte një risk shumë të madh, për pedagogët më tepër. Sepse nuk kishte pasur ndonjë praktikë tjetër të ngjashme, ku regjmi të kishte pranuar reformat e mëdha përmes protestave. Funksiononte policia dhe Sigurimi i Shtetit. Mundësia që të humbisje vendin e punës, por edhe të rrezikoje familjen, ishte shumë e madhe

-…Gjëra që të rinjtë nuk i mendojnë shumë… Por, ishit ju që ndikuat më shumë mbi studentët, apo studentët më shumë drejt jush, për të bërë hapin e madh të ndryshimit?

Ishte ndikim reciprok. Studentët frymëzoheshin nga idetë e disa pedagogëve që stimulonin frymën e kohës. Edhe krijimtaria artistike e shkrimtarëve të tillë si Kadare, ishin një frymëzim i madh për rebelizëm. Arti i tij i madh bënte që gjurma e antikonformizmit të fiksohej thellë tek intelektualët shqiptarë. Ne pedagoët por edhe studentët e asaj kohe, jemi rritur me rebelizmin e Kadaresë. Veprimet e mëtejshme të tij ishin të parëndësihme para kësaj. Tashmë njerëzit ishin edukuar.

-A kishte spontanitet në këtë lëvizje, pasi ka zëra që thonë se rolet ishin të paracaktuara dhe se ka patur njerëz të futur për ta manipuluar këtë forcë?

Dy nga veprimtarët kryesorë të asaj kohe, Azem Hajdari që ka qenë studenti dhe miku im dhe Eduart Selami pedagog, miku im. të tre mblidheshim atë periudhë në shtëpinë time. Ne rrihnim mendime, por të them të drejtën, ideja për pëmbysjen e situates, ishte e atyre ditëve. Fryma e kohës të jepte gjithnjë përshtypjen se gjërat do të ndodhnin

-Lehtësia me të cilën ndryshimi ndodhi pas protestave
disaditore të studentëve, duket si një mrekulli e arritur me shkopin magjik. Në fakt, çfarë e lehtësoi këtë proces?

Përshtypja ime e asaj kohe dhe e tanishme, ishte që pushteti më tepër e lejoi këtë që ndodhi, e la të rritej. Pushteti i kishte të tëra mundësitë që ta pengonte dhe të mos e lejonte të rritej. Kishte fuqinë, përvojën dhe mjetet. Por e lejoi ose më mirë, u tregua pasiv. Unë mendoj se roli i njeriut të vetëm e të parë, Ramiz Alisë, ishte themelor në përpjekjet për ta menaxhuar zhvillimin e kësaj lëvizjeje.

-Ju pra, ia njihni këtë transformim edhe Ramiz Alisë?

Natyrisht, ishte meritë e tij, që ndryshimi ndodhi pa gjakderdhje dhe që lejoi ti dilte nga dora kontrolli i situatës. Ne u lumturuam prej faktit që nuk po na përndiqnin, që nuk po na arrestonin.

-Megjithatë, një grup studentësh u arrestuan dhe u liruan me ndërhyrjen e Berishës. Mos ishte ky rasti për të dalë në skenë faktori-Berisha?

Bindja ime ëshë që figurat kryesore të Partisë Demokratike, që morën drejtimin e saj, ishin figura të drejtuara nga vetë partia-shtet, nga Ramiz Alia. Edhe Berisha, edhe Gjinushi edhe shumë të tjerë. Roli i tyre ishte një rol lehtësues në këtë proces dhe më vonë, duke parë situatën, e morën në kontroll veprimtarinë politike të mëpasme. Kështu që nuk mendoj se ishte një lëvizje që përmbysi çdo gjë. Por krijoi mundësinë e kalimit të pushtetit apo të delegimit të pushtetit në nivele të tjera.

-Si psikolog, si e vlerësoni qëndrimin e Alisë: pasojë e presioneve nga jashtë, ai vetë e kishte kuptuar se ishte nevoja për ndryshim për shkak të vështirësive të brendshme ekonomike apo kishte frikën e ndonjë fundi tragjik si ai i Çausheskut?

Të gjitha janë të mundshme. Vetë rezultati nuk ishte rastësi. U krye një përmbysje sociale dhe politike, që mund edhe të mos kryhej. Shqipëria është një vend i vogël, që mund të kontrollohej nga cilido sistem: nga diktatura apo demokracia, nga Lindja apo Perëndimi. Modele të vendeve të caktuara që vazhdojnë të ruajnë komunizmin si rasti i Kubës, do të thonë se edhe pushteti i atëhershëm, po të donte ta ruante, e ruante gjendjen të pandryshuar. Përmbysjen e regjimit ia dedikoj kryesisht presionit të jashtëm, së dyti, Ramiz Alisë për ta lëshuar gradualisht pushtetin. Së treti, ia dedikoj edhe intuitës së intelektualëve shqiptarë, kryesisht, studentëve dhe pedagogëve që u treguan të gatshëm ti shërbenin nivelit të kohës. Por ishte një lëvizje e iniciuar nga forca të tjera dhe jo nga vetë studentët e pedagogët realisht

-Një pjesë e pedagogëve janë shfaqur indiferentë në fillim…

Natyrisht. Fillimisht studentët prisnin prej nesh se çfarë drejtimi do tu jepnim. Kërkonin mendim. Dhe ne duke qenë të pamanipuluar nga forca të ndryshme, por të shtyrë nga motivi i kohës, pjesa idealiste, që në fillim u orientuam në lëvizje. Dhe studentët kaq donin: praninë tonë aty, e ishin gati të lëviznin. Më pas lëvizja u rrit shumë shpejt dhe nuk kishe mundësi ta kontrolloje. Roli i secilit prej nesh më pas ishte më i vogël, roli fillestar ishte më i rëndësishmi.

-Tregohen ngjarje të shpërndara në shumë ditë. Por cila ishte dita themelore?

Ditë shumë të rëndësishme ishin ditët e para, kur njerëzit nisën të grupohen dhe të flisnin për ndryshime. Ato ishin ditët më të rrezikuara. Pastaj, ditët e tjera, greva e urisë, demonstrimet madhështore ishin veprime frymëzuese. Një moment tjetër ishte edhe themelimi i Partisë Demokratike. Ishte moment shumë interesant, sepse vërtet mund të dilje në lëvizje, por të firmosje një kërkesë për të krijuar një parti tjetër, ishte shumë delikate.

-Në një prej librave me kujtime, kujtoj një moment, kur Imami apo Hajdari, sipas kërkesës së Alisë, u kërkoi studentëve që të mos ngrinin gishtat lart. Kjo tregon se edhe këta njerëz të caktuar për të lehtësuar procesin, frikën e kishin, ishin të matur në hapat që do të hidhnin dhe nuk ishin të sigurt se deri ku duhet të shkonin…

Sigurisht. Madje, ata vazhdimisht konsultoheshin me instancat e e PPSH-së. Përshembull, në një miting të parë kur foli Berisha, pavarësisht se tha do të ndryshojmë sistemin, ai u mundua të evokonte rolin e rëndësishëm të Ramiz Alisë në luftën Nacional-Çlirimtare etj. Dhe në momentin që ai tha këto, njerëzit filluan ta fishkëllejnë dhe ta refuzojnë. Në mitingjet e para, Berisha realisht është refuzuar në rolin e tij të ndërmjetësit. Por më pas, edhe ai e ndryshoi këtë qëndrim, në varësi të kërkesave të protestuesve. Por asnjëri nuk mund të vinte në krye, në rast se nuk do të merrte mbështetjen e pushtetit të asaj kohe.

-A kishte atëherë nga pushteti i kohës, segmente që nuk i kishte dot nën kontroll Alia dhe që vepronin me iniciativë për të ruajtur gjërat në gjendje stanjacioni?

Në fakt, edhe pushteti i asaj kohe nuk e zotëronte situatën plotësiësht dhe bile, në situatë krizash ka gjithnjë mbështetës dhe kundërshtarë. Edhe në radhët e tyre kishte shumë që u përpoqën të pengonin lëvizjen, që të ndërhynin, që nuk e kuptonin se nga po shkonte rrjedha. Një pjesë e tyre tani janë drejtues të rëndësishëm në PD, një pjesë e atyre që ishin kundër lëvizjes studentore dhe u përpoqën ta shtypin. Dhe është e shpejgueshme: Ata që e drejtonin politikën e asaj kohe, nuk mund të mos ishin aktivë edhe sot, sepse janë pjesa që kanë nuhatjen politike.

-Shumë nga studentët tuaj, pas atyre ditëve, u larguan nga Shqipëria. Pse?

Përmbysja e sistemit u shoqërua me një periudhë kaosi dhe liri pa kufi. Kaosi dhe anarkia nuk ishte ajo që donim, por u detyruam të futemi në atë proces. Shumë hynë me idealizëm. Por demokracia pa stabilitetin ekonomik, pa punë dhe pa para është një demokraci e munguar që njerëzit nuk e prekin. Dhe në këtë rast, zhgënjimi është shumë i madh. Prandaj një pjesë e mirë e tyre ikën jashtë. Madje, edhe një pjesë e drejtuesve të PD-së u larguan, sepse nuk u futën për të bërë karierë, por thjesht për të përmbysur sistemin. Shumë nga anëtarët e këshillit drejtues të PD-së së asaj kohe si Ceka, Imami, Ruli, etj, pedagogë, pjesa që nuk ishte e iniciuar nga pushteti, këta kërkuan drejtimin idealist e intelektual të Partisë dhe e humbën atë. U larguan prej saj sepse dështuan në faktin që zgjodhën kryetar Azem Hajdarin ose më pas Berishën. Ata do ta kishin zotëruar PD-në, po të ishin futur që në fillim, me synime afatgjata. Ndërsa ata që u futën për ta marrë në dorë lëvizjen, e arritën qëllimin. Idealistët dhe të paplanifikuarit u larguan. Disa janë rithyer me qëllime më specifike sot, sepse situata i ndryshoi qëllimet e tyre, nga idealistë në pragmatistë.

-Natyrisht që kishte idealizëm, por në ato 300 firmat e para, a pati të infiltruar nga PPSH?

Kishte. Por dua të them edhe një fakt. Një nga iniciatorët e mbledhjes së firmave ishte Eduard Selami. Dhe më kujtohet se një pjesë e intelektualëve refuzonin të firmosnin, sepse kishin frikë. Bile, disa prej tyre më pas u bënë ndihmësa të kryeministrave, shefa kabinetesh, analistë. Atëherë nuk ishin të gatshëm të firmosnin, që të deklaroheshin. Këta janë pjesa që i ngjiten pushtetit në çdo rast.

-Sa janë bërë realitet sipas jush, ëndrrat e rinisë nga ato premtime të dhjetorit 90?

Unë mendoj se pjesa kryesore e ëndrrës studentore për të ndryshuar sistemin, për të sjellë elementët bazë të demokracisë siç është liria e të folurit, etj, janë arritur. Sot nuk është arritur ambicia kryesore: Stabiliteti ekonomik. Mungon vizioni për brezin e ri, për tu ofruar atyre një të ardhme për të punuar, për të zhvilluar kapacitetet e tyre. Fakti që akoma një pjesë e brezit të ri kërkon të largohet nga vendi, tregon se ëndrra nuk është plotësuar deri në fund.

Ky lajm është publikuar: 08/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›