E Diel, 1 Nëntor 2026

Fati i hidhur i trajnerëve të huaj në Shqipëri

Italiani Dosena u arratis, gjermani Brigel u largua me "puc" dhe kroati Baric u tradhtua. Historia e tre trajnerëve të parë të "erës" Duka, Dosena, Brigel dhe Baric është shumë e trishtueshme. Të gjithë e nisën punën në Shqipërinë e "varfër" dhe modeste në botën e futbollit me ceremoni të mëdha, por e mbyllën në mënyrën më të hidhur, edhe pse Brigel edhe sot e kësaj dite mban rekordin absolut të 13 pikëve të arritura ndonjëherë në fazën e eliminatoreve. Në fakt, të vetëlarguarit dhe të shkarkuarit në presidencën Duka janë katër, përfshirë edhe trajnerin shqiptar Sulejman Demollari, i cili u shkarkua pasi Kombëtarja në dy nga pesë ndeshjet e miqësore të drejtuar prej tij barazoi me Luksemburgun (0-0) dhe humbi me Andorrën (2-0). Gjithsesi, për fat të mirë, "aristokrati" Oto Baric nuk ka përngjasime karakteri me "mafiozin" Xhuzepe Dosena, që pasi mori nga arka e FSHF-së 100 000 euro (ktheu më pas 70 mijë euro), zhvilloi dy ndeshje (një barazim me Zvicrën dhe një humbje me Rusinë), u zhduk pa lënë gjurmë në kontinentin afrikan, ashtu sic bëri më pas edhe "korrekti" Brigel, i cili pas punesimit ne Bahrein e Turqi, tani e ka adresen në zyrat e punës.
DOSENA – "Dosena, i pari trajner i huaj pas viteve 2000 dhe i pari nga renditja kohore, ishte një trajner i mirë, madje do ta përcaktoja pa hezitim një trajner shumë të mirë", - u shpreh Duka gjatë një interviste për "Albania"- n (qershor 2007). "Kishte një disiplinë thuajse diktatoriale, të hekurt dhe kërkonte një mbyllje totale të skuadrës për të mos pasur kontakte me jashtë, që fillonte nga mbyllja e telefonave dhe shumë privimeve të tjera. Në përgjithësi ishte për t'u lavdëruar si teknik. Për nga mënyra e drejtimit në fushë të ekipit shumë pak e pamë, pasi qëndroi si trajner vetëm dy ndeshje. Në pikëpamjen e marrëdhënieve të tjera nuk qëndroi korrekt", - shton Duka. Italiani Xhuzepe Dosena "tradhtoi" Shqipërinë pas vetëm dy ndeshjesh (madje edhe një pjesë e parave iu mor me gjyq).
BRIGEL - Edhe kur italiani Xhuzepe Dosena braktisi Kombëtaren shqiptare, pas vetëm dy ndeshjesh zyrtare në drejtimin e saj (Shqipëri-Zvicër 1-1, Rusi-Shqipëri 4-1), bosit të FSHF-së, edhe pse iu bë presion i jashtëzakonshëm nga media dhe specialistët shqiptarë (edhe nga ish-trajnerë të futbollit), ai nuk hoqi dorë nga pista e huaj. Midis italianit Antonio Kabrini ai zgjodhi gjermanin Hans Peter Brigel. Ish-kampioni i botës (1982) refuzoi nënshkrimin e kontratës së tretë me FSHF-në, edhe pse kishte vendosur shtatë rekorde me Kombëtaren shqiptare, midis tyre: 13 pikë të grumbulluara e 32 ndeshje të drejtuara në vazhdimësi (18 zyrtare, 14 miqësore). Gjermani Hans Peter Brigel ra parimisht për nënshkrimin e kontratës së tretë të tij me FSHF-në, por nuk firmosi zyrtarisht kontratën për shkak të një "puci" të disa zyrtarëve të lartë të FSHF-së, të cilët propozuan klauzola të papranueshme. "Brigeli? Superkorrekt si njeri. Trajner i mirë, me aq eksperiencë sa kishte në atë kohë. Super i ndershëm si njeri dhe bënte maksimalen për skuadrën. Krijoi një frymë grupi për t'u pasur zili", - nxori përfundimin e tij presidenti Duka.
BARIC - Baric me moshën e tij 75-vjecare është trajneri me moshë më të madhe që ka drejtuar Shqipërinë, kur më parë këtë rekord e ka mbajtur legjenda Loro Borici që për të herë të katërt dhe të fundit e mori drejtimin e përfaqësueses në moshën 61-vjecare. Presidenti Duka, përpara se të përzgjidhte kandidaturën e Oto Baricit, kishte takuar e refuzuar emra të tillë si italiani Nevio Skala, gjermani Pier Litbarski, hungarezi Bickei, francezi Klod Lë Rua, me të cilët, përvecse nuk kishte rënë dakord nga pikëpamja financiare, nuk ishte bindur për staturën e tyre për të kryer "revolucionin" e pritshëm kuqezi. Me mbi 2 mijë ndeshje të drejtuara të karrierës së tij 40-vjecare si trajner futbolli, 75-vjecari Oto Baric është kthyer në një legjendë në botën e futbollit, tepër i respektuar në Kroaci dhe në Austri. Trajneri i tre bankinave të ndryshme kombëtare: Austri (1990-1991), Kroaci (2002-2004) dhe Shqipëri (2006-2007) si dhe i 12 ekipeve të ndryshme rreth e qark Europës. Kroati ishte i punësuar si trajner i Shqipërisë deri më 21 nëntor 2007, kur mbaronte edhe kontrata e tij, pas përfundimit të ndeshjes me Rumaninë, e fundit në fushatën kualifikuese për Euro 2008. "Di ta shfrytëzojë në maksimum eksperiencën e madhe që zotëron, në drejtim të ndeshjes dhe ka ditur të fusë konkurrencën në skuadër", - pohoi Duka përpara se Baric të ndeshej me Holandën. Kroati Oto Baric, edhe pse u paralajmërua për një "eliminim" në version më modern, u vetëlargua pas dy humbjeve me Bjellorusinë (e pamenduar) dhe Rumaninë e vendit të parë. "Baric ka fituar zëmrën time", - kishte thënë presidenti Armand Duka, në prag të bisedimeve me Baricin për rinovimin e kontratës së tij. Baric merrte në Shqipëri 300 mijë euro, më shumë se parardhësit e tij Dosena e Brigel, por FSHF-ja nuk i dha rrogën e fundit, atë të muajit dhjetor, me argumentimin se ai nuk kishte punuar atë muaj për Shqipërinë pasi kishte dhënë me dëshirën e tij dorëheqjen. "Si trajner më pëlqen aq shumë sa nuk do ta ndërroja kurrë", - kishte nxjerrë konkluzionin e tij Duka, disa ditë para ndeshjeve me Bjellorusinë dhe Rumaninë. Baric nuk është më trajner i Shqipërisë, madje në intervistën e tij të fundit të dhënë për mediat shqiptare akuzoi si të paaftë Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së.

TRAJNERET E HUAJ
Italiani Xhuzepe Dosena, i "arratisur"
(12.10.2002-16.12.2002)
Gjermani Hans Peter Brigel, refuzoi kontratën
(29.03.2003-30.05.2006)
Kroati Oto Baric dha dorëheqjen pasiu ndje i tradhtuar
(01.07.2006-01.06.2007)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›