Tare: Pres të merrem më shumë në konsideratë

Igli Tare po përjeton momente të mira që pas shënimit të golit të barazimit përballë Palermos dhe tani sulmuesi shqiptar ka vendosur të flasë për "Nuova Spazio Radio" për të kaluarën dhe të ardhmen e tij te Lazio. "Jam i kënaqur që pas ndeshjes së luajtur kundër Napolit mu dha edhe një mundësi për të zbritur në fushë. Jam i lumtur që shënova një gol deciziv, i rëndësishëm si për renditjen ashtu edhe për moralin e skuadrës. Të qëndrosh jashtë është vuajtje, por duhet menduar për grupin i cili gjithnjë ka qenë i bashkuar. Në shumë ndeshje shpresoja që në kasha më shumë hapësirë në kampionat. Nuk them titullar por pothuajse. Përse jam shfrytëzuar aq pak duhet pyetur trajnerin. Nga ana ime unë jam stërvitur maksimalisht për të qenë i gatshëm gjithmonë për të luajtur, për ta vënë në vështirësi trajnerin në zgjedhjen e tij", ka treguar për "vuajtjen" e tij në sezonin e fundit ish-kapiteni i kombëtares shqiptare. "Hierarkia në skuadër është e qartë dhe unë e respektoj. Rocchi e Pandev përbëjnë një prej dysheve më të mira të kampionatit, por unë pres që trajneri të më marrë më tepër në konsideratë. Dua ta vë në vështirësi për të më dhënë hapësirën që meritoj në bazë të asaj që demonstroj në stërvitje. Për të ardhmen time te Lazio do të vlerësojmë në momentin e përshtatshëm", ka vazhduar Tare duke shtuar se ka sakrifikuar jo pak për të qenë pjesë e skuadrës kryeqytetase. "Në fillim më është thënë se nuk bëj pjesë në planet teknike të skuadrës, por më lanë mundësinë që të zgjedh nëse do të largohem apo jo. Kam refuzuar oferta të rëndësishme nga Sevilja dhe Betis Sevilja, ku do të përfitojë më shumë para dhe do të kasha një vend si titular, pikërisht për të demonstruar vlerat e mia dhe për të nderuar ngjyrat e Lazios. Nuk kam dashur të largohem nga krenaria e të veshurit të fanellës "biancoceleste" që për mua është një arritje kulmore".