2007-a, nga “plakushi” Bariç... te “gjeli” Han

Kombëtarja e nisi vitin 2007 me kroatin Oto Baric në bankinë, i cili edhe pse ra parimisht me Federatën Shqiptare të Futbollit për të rinovuar edhe për fushatën kualifikuese të Botërorit 2010, dha dorëheqjen pas humbjes së turpshme me Rumaninë (6-1) në Bukuresht. Kroati u ndje i tradhtuar pikërisht në ndeshjen e tij të 100-të si trajner kombëtaresh me Austrinë, Kroacinë dhe Shqipërinë. Madje, akuzoi se dy lojtarë të përfaqësueses shisnin ndeshjet. Gjithsesi bilanci i Baric mbetet pozitiv. Gjatë vitit 2007 ai zhvilloi 12 ndeshje të njohura nga FIFA dhe një të pazyrtarizuar me Anglinë B: bilanci 3 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje.
26 dhjetori vitit 2007 i dhuroi Shqipërisë trajnerin e gjashtë të huaj të saj dhe të katërtin në epokën e presidentit Armand Duka, holandezin e njohur Ari Han, i cili më parë kishte drejtuar Kinën dhe Kamerunin. Suksesi më i madh i tij është arritja në finalen e Kupës së Azisë me Kinën dhe cuarjen e përfaqësueses kineze në Botërorin "Gjermani 2006". Sa do të bëjë Han (Gjeli- përkthehet në shqip) në eliminatoret e Botërorit 2010 kur kundërshtarë të Shqipërisë janë Portugalia e Kristiano Ronaldos, Suedia e Zlatan Ibrahimovicit dhe Danimarka e Jon Dahl Tomasonit. Kjo mbetet për t'u parë.
Han do të prezantohet në Shqipëri, më datë 4 janar dhe më 6 janar do të jetë së bashku edhe me presidentin Duka në Kopenhagën të Danimarkës, ku do të përcaktohet edhe kalendari i grupit 1 të zonës europiane. Sa për kujtesë: Dosena barazoi 1-1 në Tiranë me Zvicrën në ndeshjen hapëse të kualifikueseve të Euro 2004, Brigel fitoi 2-0 në "Qemal Stafa" me kampionët e Europës, Greqinë në eliminatoret e Botërorit 2006, Baric barazoi 2-2 në transfertë me Bjellorusinë për fushatën e Euro 2008. C'fat na pret me Hanin. Në na rëntë një Suedi në Stokholm në premierë, duhet ta kujtojmë fort Rumaninë.