Spinelli: Bogdani mbetet te Livorno

Erjon Bogdani nuk do të lëvizë nga Livorno gjatë merkatos së janarit. Të paktën këtë e thotë presidenti i skuadrës së Livornos, Aldo Spinelli, i cili ka folur ka folur për merkaton e skuadrës në radio "Kiss Kiss Napoli". Numri një i skuadrës toskave duket të jetë i kënaqur me performancën e futbollistit shqiptar pavarësisht se ky i fundit nuk ka shënuar asnjë gol për Livornon në këtë sezon. Spinelli e ka mohuar kategorikisht mundësinë e rikthimit të sulmuesit shqiptar në Verona. "Bogdani te Chievo? Apsolutisht jo. Ne nuk do të privohemi nga ai, Tristan e Tavano", ka thënë Spinelli, ndërsa më pas i ka "qetësuar" Bogdanin dhe sulmuesit e tjerë të skuadrës duke deklaruar se ekipi nuk do të sjellë më sulmues gjatë merkatos. "Calaio në Livorno? Absolutisht jo. Jemi shumë në sulm dhe nuk do të marrim asnjë, madje do të huazojmë ndonjë lojtar. Lucarelli? Është një lojtar i rëndësishëm por për të do të duhej të kishim një portofol të majmë".