Fati i trishtë i një fëmije që vodhi për të blerë bukë
Kavajë- Lirimi nga qelia për çdo të burgosur është një nga ditët më të bukura të jetës së tij. Por nuk ndodh kështu për 17-vjeçarin Ardian Jupa nga fshati Gajrep i Krumës së Hasit. Ky i mitur ka përfunduar dënimin e tij, por jashtë derës së burgut nuk e priste askush nga familjarët.
Adoleshenti nga Hasi është arrestuar më 4 maj të këtij viti, me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim, dhe më 22 shtator Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë e ka dënuar atë me 10 muaj burgim. Menjëherë ai është transferuar në Kavajë ku dhe ka vuajtur muajt e tjerë të mbetur nga paraburgimi.
Gjatë gjithë këtyre muajve familja nuk ka ardhur ta takojë për shkak të gjendjes shumë të vështirë ekonomike, që njëkohësisht është edhe shkaku që e shtyu të miturin në rrugën e krimit.
Në Institutin e Edukimit për të Mitur në Kavajë mbërrijmë në mëngjes, kur Ardiani përgatitej t’i kthente krahët portës së hekurt. Instituti është një godinë 2 katëshe, e veshur me xham në pjesën e përparme, një ndërtesë që nuk të lë përshtypjen e një burgu. Zyra e drejtorit është e vogël dhe në faqet e mureve e mbi tavolina kishte punime të bëra nga vetë të miturit që riedukohen aty. Pas një bisede të shkurtër me drejtorin, mësuam që i mituri brenda pak minutash do të lirohej, por atë nuk e priste jashtë portës askush.
Ky djalë 17-vjeçar kishte ngelur në mes të dy rrugëve dhe nuk kishte dalë asnjë i afërm që ta merrte dhe ta çonte në shtëpi. Gjatë bisedës me drejtorin e Institutit të Edukimit për të Mitur, Emin Cani, ai na tha se ka bërë përpjekje të shumta për t’i njoftuar familjarët që të vinin të takonin të riun, por këto përpjekje nuk kanë rezultuar të suksesshme.
Nuk ka ardhur asnjë pjesëtar i familjes për ta takuar. Kemi kontakuar me familjen e tij nëpërmjet Degës së Policisë Kukës dhe Lezhë, por nuk kanë ardhur familjarët. Jam munduar me të gjitha format për të marrë kontakte me familjen e tij, por kemi mësuar se ata jnë në gjendje shumë të vështirë ekeonomike dhe nuk kanë mundësi të vinë këtu, – u shpreh ai.
Gjatë bisedës me drejtorin, ai u lajmërua se Ardiani ishte gati dhe kishte ardhur momenti që ai të linte vendin e vuajtjes së dënimit, dhomën në të cilën ai jetoi disa muaj të vështirë. Të vështirë edhe nga izolimi, por akoma më tepër të vështirë nga largësia e gjirit familjar dhe mungesa e kontakteve gjatë kësaj kohe me njerëzit e tij të dashur.
Zbritëm në katin e parë dhe pasi kaluam një portë ngjyrë gri, u futëm në vendin ku vuajnë dënimin 40 të mitur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Fillimisht u futëm në një koridor të madh, i cili kishte pamjen e një palestre shkolle, ku sa hyje të binin në sy një palë shkallë që të ngjisnin në katin e dytë. Muret e këtij koridori ishin të gjithë të mbushur me piktura dhe vizatime të bëra nga adoleshentët. Ky ambjent ishte dhe ekspozita e burgut.
Ndërkohë në katin e parë ndodhej një derë prej hekuri, me një dritare të vogël, që sipër kishte mbishkrimin SEKTORI 1. Pasi kaluam atë derë u futëm në një tjetër dhomë. Ishte e ulët dhe e vogël nga sipërfaqja Aty ndodheshin dy tavolina druri të rrumbullakëta dhe disa karrige dhe një televizor. Pasi kalojmë në të tjera mjedise përballemi me 6 dyer hekuri ngjyrë gri, me nje dritare të vogël në pjesën e sipërme, mbrapa së cilave ndodheshin nga 2 persona të dënuar për krime të ndryshme. Dera e parë në të djathtën tonë ishte dhe vendi ku ndodhej Ardiani.
Njëri nga policët e hapi derën dhe u futëm në një dhomë të vogël shumë pak të ndriçuar. Përballë njëri-tjetrit ndodheshin dy krevatë hekuri. Në njërin prej tyre ndodhej edhe Ardiani, i cili po kalonte minutat e fundit në këtë mjedis. Në momentin që hymë ne, Ardiani ishte duke bërë gati rrobat. Ktheu kokën drejt nesh dhe dukej ai shkëlqimi i gëzimit në sytë e tij, por nga ana tjetër dhe trishtimi për fatin e keq që e kishte pushtuar. E përshëndetëm dhe filluam të bisedojmë me të..
Sa vjeç je?
Shtatëmbëdhjetë.
Për çfarë vepre u dënuat nga gjykata?
Për vjedhje.
Çfarë materialesh keni vjedhur?
Kam vjedhur lekë në një lokal.
Për çfarë arsye keni vjedhur?
Kam vjedhur nga kushtet e vështira ekonomike të shtëpisë. I kam kushtet ekonomike shumë të këqia.
Çfarë bëje me lekët?
Kur i merrja lekët i blija bukë.
Sa kohë keni qëndruar në burg?
Jam dënuar 10 muaj, kam qëndruar 5 muaj në Burgun e Lezhës, pastaj ka ardhur urdhër i formës së prerë dhe më sollën këtu në Kavajë.
Si ndjehesh tani që më në fund u lirove?
Ndjehem shumë i gëzuar.
Je mërzitur që nuk kanë ardhur familjarët?
Jam mërzitur pak. Më fort se nuk kanë edhe lekë të vijnë.
Po të afërm të tjerë nuk ke pasur që të vijnë?
Po. Kam një teze në Durrës dhe një xhaxha në Tiranë por nuk kam numër telefoni për t’i lajmëruar.
Sa fëmijë jeni në familje?
Jemi shtatë fëmijë. Kam nënën dhe babain, katër motra dhe 2 vëllezër më të vegjël.
Ti je fëmija i madh?
Po.
Familja nuk ka të ardhura ekonomike?
Nuk ka.
Si arrini ta përballoni jetesën?
Vetëm kur gjen babi punë krahu tek tuk. Punon katër ditë, merr dhjetë mijë lek. Blejmë thesin e miellit dhe ushqime. Edhe hoxha më ka ndihmuar më ka bërë shtëpinë. Ma ka bërë shtëpinë po është e pa suvatuar edhe jashtë edhe brenda, nuk ka as dyer as dritare.
Si ka qenë marrëdhënia me të miturit e tjerë këtu brenda.
Marrëdhënia ka qenë e mirë.
Kanë qenë të vështira këta muaj që ke kaluar këtu?
Po për zotin të vështira kanë qenë.
Sa vite shkollë ke zhvilluar?
Kam ngelur në klasën e tretë dhe e kam pas lënë fare.
Cila është arsyeja që ju nuk e keni ndjekur shkollën?
Arsyeja është se nuk kam pasur lekë me ble libra, lapsa , fletore.
Po vëllezërit dhe motrat e ndjekin shkollën?
Jo të gjithë jemi pa shkollë, për shkak të kushteve të vështira ekonomike.
Pasi përshëndet shokët, Ardiani merr në dorë dy qese me rroba, të cilat mësojmë se ua kanë bërë dhuratë nënpunësit e burgut, kryesisht të shërbimit social. Por aty jashtë nuk ndodhej askush që ta priste. Dhe pyetja që të lindte në atë moment ishte se si vallë ai do të shkonte deri në Krumë?
Mjerimi në të cilin jeton familja e tij ka bërë që askush të mos udhëtojë nga familja për ta pritur. Për specialistin e edukimit në Institutin e të Miturve, Skerdi Shtino, puna dhe misioni i tij më Ardianin nuk ka përfunduar ende.
Jashtë atë nuk e pret askush, çfarë keni menduar ju si institucion se ku do të shkojë adoleshenti pasi të dalë nga porta e këtij instituti?
Ne si institucion do ta marrim me makinën tonë dhe do ta shpiem deri në shtëpinë e tij. Sepse prindërit nuk kanë mjete financiare që të vijnë dhe ta marrin.
Çfarë sjelljesh ka pasur i mituri?
Që në momentin që ai ka ardhur këtu, ka shfaqur ndjenja mërzie sepse ai mendon për gjendjen ekonomike të familjes. Ne jemi mundua