Merkel: Serbia të heqë strukturat paralele, Kosova të shmangë emocionet
Kancelarja gjermane Angela Merkel vizitoi dje Prishtinën, me detyra të qarta për Serbinë dhe Kosovën. “Lidhur me situatën në Veri kam biseduar edhe me presidentin serb Boris Tadiç dhe i kam kërkuar që të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha dje në Prishtinë se është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës, ndërsa i bëri thirrje Beogradit që të përmbushë kërkesat e shtruara që më parë nga ana e saj, por edhe Prishtinës që të ndihmojë zgjidhjen e problemeve. Zonja Merkel i bëri këto komente në aeroportin e Prishtinës, ku u prit nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Ajo tha se tashmë janë të qarta qëndrimet e saj ndaj situatës në veriun e Kosovës. “Në bisedat tona të drejtpërdrejta me Serbinë e kemi bërë të qartë se çfarë duam ne. Pra, duhet të mundësohet tregtia e lirë, gjë që aktualisht nuk mund të bëhet, për shkak të barrikadave; të zbatohet marrëveshja për kontrollin e përbashkët të kufirit; dhe hap pas hapi duhet të ndodhë zhbërja e strukturave paralele”- tha zonja Merkel, duke nënvizuar ndërkaq se është diskutuar për atë se çfarë duhet të bëjë Kosova, e cila, sipas saj, duhet të mënjanojë emocionet për të gjetur një zgjidhje paqësore. Kancelarja Merkel tha se ka ende punë për të bërë në ndërtimin e një shteti ligjor në Kosovë, sikundër edhe për vendosjen e marrëdhënieve më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Lidhur me situatën në Veri, kam biseduar edhe me presidentin serb Boris Tadiç dhe i kam kërkuar që të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Në këtë kuadër, edhe palën e Kosovës e kam lutur që të angazhohet në mënyrë që të mbetemi në kontakt të vazhdueshëm me Serbinë dhe presidentin Tadiç. Ne dëshirojmë që me ushtarët tanë në kuadër të KFOR-it si dhe me përfaqësuesit tanë në misionet civile, të angazhohemi në mënyrë që Kosova të jetë më e sigurt. Angazhimi i ushtarëve gjermanë në Kosovë nuk është i lehtë”,- tha kancelarja Angela Merkel, e cila gjatë ditës vizitoi edhe pjesëtarët gjermanë të KFOR-it, një numër i të cilëve u plagosën më 28 nëntor nga protestuesit serbë në veriun e Kosovës, të cilët po mbajnë të bllokuara rrugët në atë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë pjesë. Incidentet e dhunshme ishin vendimtare për shtyrjen e vendimit të Bashkimit Europian për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa kancelarja Merkel e akuzoi Serbinë se ka krijuar një mjedis për dhunë në veriun e Kosovës. Ajo në fillim të dhjetorit tërhoqi vërejtjen se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Europian mund të realizohet vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. “Kosova do të jetë e përkushtuar në dialog me të gjithë fqinjët. Ne kemi ndërtuar raporte të shkëlqyera me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe me të gjitha vendet e rajonit. Andaj duam të kemi bashkëpunim të mirë midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Dialogu nuk është vetëm njëri nga opsionet, por është opsioni i vetëm-komunikimi dhe zgjidhja e vetme për çështjet që duhet të zgjidhen në raportet ndërshtetërore Kosovë-Serbi”- tha kryeministri Thaçi. Kancelarja Merkel rikonfirmoi mbështetjen për pavarësinë e Kosovës si dhe vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si vende që synojnë afrimin me strukturat euroatlantike. Kancelarja Merkel, si një prej udhëheqësve më të fuqishëm të Bashkimit Europian, erdhi në Kosovë me detyra për të dyja palët. Ajo bëri thirrje që Kosova të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in dhe të angazhohet në luftë kundër dukurive negative, siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar.