Lufta për kromin, atentat 35-vjeçarit rëndë në spital
Bulqizë-Diamand Tançi, 35 vjeç, banues në qytetin e Bulqizës, është plagosur dje në mbrëmje me armë zjarri në vendin e quajtur Tre çezmat, pak kilometra larg Shupenzës, në një atentat që dyshohet se ka lidhje me konkurrencën për kromin në këtë zonë. Policia lokale nuk ka dhënë detaje rreth ngjarjes së rëndë, por mësohet se Tançi po udhëtonte me makinën e tij drejt Peshkopisë në momentin kur është qëlluar me breshëri automatiku. Shoferë të tjerë e kanë gjetur mbi timon, madje pa ndjenja, dhe kanë njoftuar sallën operative të policisë së Bulqizës. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes janë dërguar disa efektivë policie. Fillimisht i plagosuri është dërguar në spitalin më të afërt, atë të Bulqizës, dhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore është dërguar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Policia tha se po heton rreth ngjarjes kriminale. Tançi njihet në qytetin e Bulqizës si problematik. Një pistën ku po hetohet është edhe ajo e konkurrencës së kromit. Bulqiza ka përjetuar disa krime të lidhura me kromin, një përleshje në mes të qytetit me armë, ku vdiq një kalimtar dhe gjithashtu një atentat me tritol, që dyshohen si të lidhura me mineralin dhe pasurinë që nxirret prej tij. P. Hasa