Zbardhet vrasja, 37-vjeçari u masakrua nga kushëriri me sqepar
Arrestohet i dyshuari për krimin në Pogradec. Pasi e vrau, njoftoi policinë duke përdorur si alibi se e kishte gjetur të vdekur, tradhtohet nga armët e krimit. Në telefonin e të dyshuarit mesazhe për trafikimin e një 17-vjeçareje
Pogradec- E masakron me sqepar dhe sëpatë ndërsa e kishte të ftuar në shtëpi dhe më pas thërret policinë duke thënë se e ka gjetur të vdekur në rrugë. Në dukje alibia ishte e mirë, por i dyshuari për vrasjen e 37-vjeçarit dy ditë më parë në Pogradec është “tradhtuar” nga gjaku që policia gjeti në sqeparin dhe sëpatën e tij, dhe ka përfunduar në qeli. Policia e Pogradecit arrestoi në flagrancë Gurali Dikellarin, 51 vjeç, banues Pogradec, pasi dyshohet të jetë autor i vrasjes së shtetasit Miron Begollari, 37 vjeç, nga Korça. Ende nuk ka një version zyrtar për motivin e vrasjes, por policia tha se në telefonin e të dyshuarit janë gjetur mesazhe që kanë të bëjnë me trafikimin e një 17-vjeçareje, por nuk ka të dhëna nëse kjo mund të jetë e lidhur me vrasjen.
Zbulimi
Begollari u gjend i vrarë në oborrin e banesës së të dyshuarit. Ky i fundit ka lajmëruar policinë se e ka gjetur atë të vdekur në këtë vend, pa dhënë më shumë detaje. Viktima që është kushëriri i të dyshuarit për vrasje, kishte ardhur nga Korça për të punuar me këtë të fundit në shtëpinë e tij. Nga këqyrja e kufomës, Begollari rezulton të jetë vrarë me mjete të forta prerëse. Policia pohon se një sqepar dhe një sëpatë janë bllokuar si mjete të mundshme të krimit, pasi, sipas saj, në të dy këto mjete janë gjetur njolla gjaku. Dyshohet që kushëriri ta ketë masakruar me sëpatë të afërmin e tij, për shkaqe që janë ende në hetim nga ana e policisë. Sipas policisë, i dyshuari është përpjekur ta mbulojë krimin duke e denoncuar vrasjen nga persona të panjohur, por policia ka filluar të dyshojë menjëherë ku pasi ka këqyrur vendin rreth vendit të krimit dhe në afërsi të shtëpisë së të dyshuarit, ka gjetur mjetet e dyshuara për vrasjen dhe një xhup të zi me njolla gjaku, që dyshohet të jenë të viktimës.
Trafikimi
Gjithashtu, nga ana e grupit hetimor të ngritur 24 orë më parë për këtë ngjarje, e cila në momentin e parë u dyshua të ishte aksidentale, është bërë dhe kontrolli i celularit të të dyshuarit, i sekuestruar gjatë marrjes në pyetje të tij. Në këtë telefon janë gjetur disa mesazhe telefonike të cilat në përmbajtjen e tyre lidhen me trafikimin e një minoreneje në moshën 17-vjeçare. Nuk dihet ende nëse këto mesazhe kanë lidhje me vrasjen apo kanë të bëjnë me një krim tjetër, por policia pohon se ka filluar hetimet edhe në lidhje me këtë krim të mbetur në tentativë.
Ngjarja
37-vjeçari Begollari u tha se ishte gjetur i vrarë dy ditë më parë në periferi të Pogradecit. Policia tha fillimisht se dyshonte nga një përplasje e mundshme me makinë, por edhe nga një vrasje nga persona të panjohur, mirëpo ngjarja mbetej enigmë, pasi kishte shumë pak të dhëna në lidhje me viktimën që jetonte në Korçë. Ekspertiza mjekoligjore duket se ka konfirmuar se vrasja është kryer me sqepar dhe sëpatë apo mjete të tjera prerëse dhe pas kësaj forcat e policisë kanë kërkuar edhe njëherë në zonë për të gjetur armën e krimit, gjë që çoi në arrestimin e autorit të dyshuar. I.Vreto