E Diel, 1 Nëntor 2026

Fati i zi i trajnerëve të huaj në Shqipëri

Dash Frashëri
Dy trajnerë të huaj iu shtuan dje kampionatit shqiptar, kroati Slavko Kovacic në drejtimin e Flamurtarit dhe malaziasi Dervish Haxhiosmanovic në atë të Vllaznisë. Kovacic, ish-ndihmësi i trajnerit të Kombëtares, Oto Baric, do të zëvendësojë teknikun e shkarkuar, Eqerem Memushi, i cili dha dorëheqjen dje paradite përmes një konferencë për shtyp. Por cila ka qenë aventura e shumëpaguar e trajnerëve të huaj në Shqipëri, duke filluar nga argjentinasi Mario Kempes që drejtoi për disa muaj te Lushnja, i "arratisur" pak ditë përpara shpërthimit të krizës së piramidave, e deri te i fundit, rumuni Silviu Dumitresku, i cili, pas "spastrimit Kokëdhima" nga Apolonia, u largua "fshehurazi" nga Besa. REZISTENCË E DOBËT Gjatë Kampionatit të 67-të Kombëtar të Futbollit (sezoni i 2005-2006), drejtimi i huaj iu besua kroatit Luka Bonacic te Dinamo, italianit Leonardo Menikini te Tirana dhe të vetmit trajner kampion të huaj në Shqipëri, malaziasit Dervish Haxhiosmanovic, te Vllaznia, por që të tre nuk arritën ta përfundonin sezonin. Nëse rezistenca në qëndrim në krye të skuadrës e kroatit Bonacic ishte vetëm një ndeshje, ajo e malaziasit Haxhiosmanovic 5 javë, ajo e italianit Leonardo Menikini ishte vetëm 20 javë. Në sezonin 2006-2007, javët nuk ndryshuan shumë: Dumitresku u largua pas pesë javësh (1 barazim dhe 4 humbje), ndërsa Shulse pas 11 javësh ( 3 fitore, 5 barazime, 5 humbje). Në sezonin aktual, trajneri i vetëm i huaj ishte rumuni Silviu Dumitresku. Pas kualifikimit (të dyshuar si i trukuar nga UEFA) me skuadrën Bezanija, Dumitresku rezistoi 12 javë në drejtimin e Besës, madje e mbylli fazën e parë të Kampionatit të 69-të Kombëtar si "kampion" virtual, por rrethanat e detyruan rumunin të braktiste skuadrën në mënyrë të fshehtë. TË PASUKSESSHËM Shtatë klube shqiptare: Dinamo (6 herë), Vllaznia (5), Tirana (3), Partizani (2), Lushnja (2), Erzeni (2), Flamurtari (2) dhe Apolonia (1) herë kanë patur, duke filluar nga sezoni 1996-1997, trajnerë të huaj në drejtimin e tyre. Por, në Shqipëri me përjashtim të malaziasit Dervish Haxhiosmanovic, që arriti nën presidencën e të ndjerit Myftar Cela të fitonte titullin kampion në sezonin 2000-2001, dhe rumunit të Dinamos, Aurel Cikleanu në fitimin e Kupës në sezonin 2002-2003, të gjithë të tjerët kanë dështuar pothuajse të gjithë në misionin apo objektivat e para, edhe pse në Shqipëri kanë ardhur me CV disafaqëshe dhe me pretendime për të ndryshuar mentalitetin e futbollistëve shqiptarë apo korrigjuar e përsosur modulet e gabuara të trajnerëve diletantë, sipas tyre. TË DËSHTUAR Këtë gjë e provoi i pari hungarezi "lektori i FIFA-s", Miklos Temeshavari (sezoni 2000-2001), kur i punësuar nga presidenti i atëhershëm i Tiranës, miliarderi egjiptian, kërkoi disiplinë të fortë te Tirana: përfundimi i larguar pas 8 muajsh. Të njëjtin fat pësoi më pas edhe profesori boshnjak Enver Haxhiabdic (sezoni 2002-2003), që i rezistoi klaneve të bardhebluve vetëm 5 muaj. Edhe një trajner me përvojë shumë të madhe në drejtim si Aurel Cikleanu rezistoi te Dinamo vetëm 7 muaj. Një fat më të zi ka patur bullgari Nikolaj Arabov, që pasi erdhi në krye të Partizanit (sezoni 2000-2001). Rezistenca e Arabovit te Partizani, pas një operacioni në zemër të kryer në Gjermani, zgjati vetëm një muaj. Kësaj liste i shtohen pa asnjë argument më shumë: italiani Menikini (Tirana), agjentinasi Paskuli (Dinamo), kroati Katalinic (Dinamo) apo dhe rumuni Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa). Mbetet per t'u provuar Slavko Kovacic te Flamurtari i sezonit te ardhshem, gjithmone nese kroati do ta perfundoje me sukses aventuren e pare tre mujore te vlonjatet e dale nga cdo objektiv sezonal. Kampioni Kempes Kampioni i Botës, argjentinasi Mario Kempes, është edhe trajneri i parë i huaj i futbollit modern shqiptar. Kempes, i kontratuar dhe i paguar nga firma rentiere "Xhaferri", u punësua nga Lushnja në gusht të viti 2006 dhe u largua vetëm pas pak muajsh, më saktësisht më 4 nëntor 2006. "Diktatori" Bonacic Qysh prej kohës së largët, kur në Shqipërinë e viteve '30 drejtoi një hungarez me emrin Samo Singer, kroati Luka Bonacic do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar si "diktatori" i rrëzuar brenda një jave, kur Dinamo barazoi me Lushnjën 2-2 në sezonin 2005-2006. Rekordi "Kabrero" Ramon Kabrero (ne foto), një emër i madh i trajningut në atdheun e Maradonës, kampion aktual në Argjentinë me Lanus, u përzgjodh nga presidenti Sulaj pas eksperiencave të dështuara me argjentinasin tjetër Paskuli. Kabrero drejtoi Dinamon 15 ditë, por në dy ndeshje në Kupën Intertoto. Teknikët fitues Me përjashtim të malaziasit Dervish Haxhiosmanovic, që arriti nën presidencën e të ndjerit Myftar Cela të fitonte titullin kampion në sezonin 2000-2001, dhe rumunit të Dinamos, Aurel Cikleanu në fitimin e Kupës në sezonin 2002-2003, të gjithë të tjerët kanë dështuar. Tre të huaj Nëse në fillim të sezonit drejtoi vetëm një trajner i huaj, rumuni Silviu Dumitresku (drejtoi Besën deri në javën e 12-të), finalen e tij do ta mbyllin dy trajnerë joshqiptarë: malaziasi Dervish Haxhiosmanovic (Vllaznia) dhe kroati Slavko Kovacic (Flamurtari). TRAJNERËT E HUAJ NË SHQIPËRI 1.Mario Kempes, Argjentinë (Lushnja) 2.Miklos Temesvari, Hungari (Tirana) 3.Nikolai Arabov, Bullgari (Partizani, Flamurtari, Naftëtari) 4.Dervish Haxhiosmanovic, Mali i Zi (Vllaznia 4 herë, Erzeni) 5.Ticiano Gori, Itali (Erzeni, Partizani) 6.Enver Haxhiabdic, Bosnjë (Tirana) 7.Aurel Tikleanu, Rumani (Dinamo, Lushnja) 8.Pedro Pablo Pasculi, Argjentinë (Dinamo, 2 herë) 9.Ramon Cabrero, Argjentinë (Dinamo) 10.Luka Bonacic, Kroaci (Dinamo, 2 herë) 11.Ivan Katalinic, Kroaci (Dinamo) 12.Leonardo Menikini, Itali (Tirana) 13.Ulrih Shulse, Gjermani (Vllaznia) 14.Silviu Dumitresku (Apolonia) 15.Slavko Kovacic, Kroaci (Flamurtari) Gjithsej trajnerë të huaj: 15 Klube që kanë marrë të huaj: 7 (Tirana 3 herë, Partizani 2 herë, Vllaznia 5 herë, Lushnja 2 herë, Erzeni 2 herë, Dinamo 6 herë, Apolonia 1 herë)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›