E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Mneri i dhuron Tiranes trofeun e fituar nga Xhavit Demneri

Xhavit Demneri e ka shkruar përjetësisht emrin e tij në "panteonin" e legjendave shqiptare të futbollit. Kampion i Ballkanit në vitin 1946, trofeu i parë i madh në rang kombëtaresh – i pasuar me "Kupën Rothmans" të fituar nga Zhega në vitin 2001-, bashkëlojtari i Loro Boricit dhe italianit, Xhakomo Pozeli, ka hyrë prej kohësh në "librin e artë" të futbollit kuqezi.
Lojtar i Shprefesë së famshme të kryeqytetit, nxënës i trajnerit dhe presidentit të parë të SK Tirana, Selman Stërmasit ("Stërmasi është Nënë Tereza e futbollit", - ishte shprehur gjatë një interviste të vitit 1996, vetë Demneri), por dhe trajner i emrave të mëdhenj si Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Petrit Dibra e deri të Ilir Përnaska.
Demneri, kampion i pesëfishtë si trajner me të rinjtë e Tiranës, njëherësh është edhe një ndër krijuesit e Partizanit të vitit 1947, për të dhënë kontribut të pacmuar për ekipin më të dashur të shqiptarëve, por dhe edukimit të disa prej sportistëve më të mëdhenjë që ka nxjerrë futbolli shqiptar.
Sot, me 10 mars 2008 (ora 18:00), në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës "Pjeter Arbnori" u shfaq dokumentari televiziv "Profesor me shkollën e jetës dhe të punës së ndershme", një prodhim i Radiotelevizionit Shqiptar, kushtuar veprimtarisë sportive të Mjeshtrit te Merituar të Sportit, Xhavit Demneri.
Dokumentari i realizuar mjeshtërisht dhe me ndjenjë nga regjisori Engjëll Ndocaj e me skenar të Xhelal Recit, përcolli emocione të mëdha për një nga figurat emblematike të futbollit shqiptar të shekullit të kaluar, sic e përcaktoi gazetari i njohur sportiv Vladimir Grillo.
Të pranishëm në këtë promovim ishin personalitet të jetës sportive shqiptare, përfshirë presidentit e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zëvendëspresidentit Kasmi, por dhe presidentë klubesh si Albert Xhani (Partizani), Emdond Hasanbelliu (Teuta), por edhe njerëz të artit të njohur si tifozë të Tiranës, Reshat Arbana e Skëndër Sallaku.
Dokumentari solli copëza jete të "profesorit pa diplomë", Xhavit Demneri, por dhe kujtime të bashkohësve të tij si Xhelal Juka, apo "studentë" të tij si Panajot Pano, Shyqyri Rreli, Fatmir Frashëri, Sulejman Maliqati, Arben Cela, Kreshnik Tartarit, Petrit Dibra, etj.
Pas përfundimit të dokumentarit, gazetari i njohur sportiv Fatmir Mneri, një nga djemtë e Xhavit Demnerit falënderoi të pranishmit. "Gjithmonë në jetën time kam vuajtur jo pak nga përmasat e babait tim. Të them të drejtën emri i tij më ka ndihmuar jo pak. Por tani jam i lumtur të them. Falëminderit baba".
Mneri, kryeredaktor i gazetës prestigjioze sportive "Sport Ekspres" i bëri dhe një surprizë klubit Tirana. "Edhe pse nuk dua të ndahem nga kupa e marrë nga Xhavit pas daljes për herë të pestë rresht kampion me të rinjtë e Tiranës (1957), më duket se plotësoj një amanet të tim eti. E ka ruajtur si sytë e ballit për më shumë se 50 vjet në shtëpi. E kishte vendosur në kendin më të dukshëm të shtëpisë dhe ajo si e mbrojtur nga zoti, as nuk u thye dhe as nuk plasarit, madje as nuk u gërvisht. Gjithmonë e kam kërkuar një rast për t'ia dorëzuar klubit të Tiranës, që ai e ka dashur aq shumë. Dhe ky moment erdhi", - tha Mneri, duke ia dorëzuar trofeun e porcelantë drejtorit teknik të KF Tirana, Alban Tafaj.
Në fund një përfaqësues i 20 Mjeshtrave të Merituar të Sportit propozoi që Kompleksit Stërvitor të Kombëtares t'i jepej emri "Xhavit Demneri".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›