E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memushi: Më shkarkoi Kupa e Shqipërisë

Shkarkimi i trajnerit të Flamurtarit, Eqerem Memushi, erdhi si pasojë e elimiminimit të skuadrës vlonjate nga Kupa e Shqipërisë, nga skuadra e Kastriotit (1-1 në Vlorë, 0-1 në Shijak) në fazën e 1/16 të edicionit të 56-të të kompeticionit të dytë më të rëndishëm në rang klubesh në Shqipëri. Por ashtu si fitimtari Vasil Bici, i shkarkuar nga stafi krutan pak ditë më pas, edhe humbësi Eqerem Memushi pësoi të njëjtën fat.
ELIMINIMI
"Dorëheqjen time e solli eliminimi nga Kupa e Shqipërisë. Por gjithsesi, kam mbetur shumë i kënaqur nga puna me skuadrën deri tani, pasi u kam dhënë mundësinë pjesës më të madhe të futbollistëve të luajnë. Qëllimi ynë si staf teknik ka qenë pikërisht rritja e këtyre djemve", - tha ish-trajneri Memushi në konferencën e tij për shtyp. Flamurtari, në 23 javët e Memushit, regjistroi 6 fitore, 11 barazime dhe 6 humbje (golat: 23-29) duke grumbulluar 29 pike.

KROATI I TRETË
Tekniku vlonjat u zëvëndësua menjëherë nga Sllavko Kovacic, që bëhet kështu trajneri i tretë i huaj kroat që drejton një skuadër të kampionatit shqiptar. Më parë në Superligë kanë drejtuar Dinamon, Luka Bonacic (2 herë) dhe Ivan Katalinic. Ajo që vlen të përmendet është fakti se te Flamurtari (jashtë zonës së ftohtë) luajnë katër lojtarë kroatë (Panic, Brajkovic, shqiptaro-kroati Dedaj e braziliano-kroati Alvizh).
SFIDA E PARË
Edhe një "plus" për ish-ndihmësin e Oto Baricit. Kapiteni i kuqezinjve vlonjatë është njëri prej krotatëve, Panic. Takimin e fundit Memushi e humbi me Tiranën 1-0 në kryeqytet, ndërkohë që sfida e parë e Kovacicit në bankinën vlonjate është ajo kundër Besës, që u drejtua në pjesën e parë të sezonit nga rumuni Silviu Dumitresku, i "arratisur" në fillim të fazës së dytë, pas humbjes së kavajsve me Kastriotin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›