E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmi i Kombëtares, në krizë golash

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)
Një gol në gjashtë muaj. Ky është rendimenti i dyshes titullare të sulmit të Kombëtares shqiptare, Bogdani-Kapllani, gjatë këtij sezoni. E vështirë për t'u pranuar, por e vërtetë dhe shumë shqetësuese njëkohësisht. Bogdani i shënoi pak javë më parë Juventusit, ndërsa Kapllani ende nuk ka mundur të zhbllokohet. Lojtarët që cilësohen si shtyllat e sulmit kuqezi për edicionin e ardhshëm kanë një ecuri të tmerrshme në kampionatet ku luajnë dhe padyshim që ky është një minus i madh jo vetëm për ta, por për të gjithë skuadrën. Një problem i vështirë për t'u zgjidhur edhe nga trajneri holandez i kuqezinjve, Ari Han, i cili nuk është se ka shumë alternativa në dispozicion. I vetmi nga lojtarët e repartit të avancuar që ka qenë konstant është Hamdi Salihi, i cili luan me austriakët e SV Riedit, por që deri në ndeshjen e fundit të edicionit të kaluar të Kombëtares u cilësua si një rezervë. Cuditërisht ky i fundit nuk do të jetë i grumbulluar për ndeshjen miqësore në transfertë kundër Moldavisë më 26 mars.
Forma
I vetmi ngushëllim për trajnerin Ari Han, nëse ia vlen të quhet i tillë, është fakti që dy lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe shterpësia e tyre nuk është rrjedhojë e ndonjë dëmtimi të rëndë. Megjithatë është shqetësues fakti që asnjëri prej të dyve nuk luan si titullar në skuadrën e tij. Pozicioni i Bogdanit te Livorno ka qenë plot dritëhije, ku një pjesë të madhe të ndeshjeve i ka nisur nga stoli. Akoma më keq paraqitet situata te Karlsruhe për Kapllanin, i cili megjithëse është shumë mirë fizikisht, duket se e ka humbur prej kohësh një vend në formacionin e parë. Goli për durrsakun është shndërruar në një makth, nga i cili nuk po mundet që të clirohet. Nëse vitin e kaluar, kur realizoi 17 gola në Bundesligën 2, goli dukej se ishte gjëja më e lehtë që mund të bënte Kapllani, këtë sezon dërgimi i topit në rrjetë është shndërruar në një mision të pamundur për 25-vjecarin.
Rezervat
Hamdi Salihi mund të cilësohet padyshim alternativa më e mirë për sulmin e përfaqësueses shqiptare, pasi është i vetmi që ka shënuar sistematikisht (13) këtë sezon. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Alban Bushin, i cili te Apollon Kallamaria ka realizuar vetëm një gol. Loku është aktivizuar pak deri në këtë fazë të sezonit për shkak të problemeve që ka pasur me fizikun. Besart Berisha, i aktivizuar nga Baric si mesfushor i djathtë edicionin e kaluar, por që në të vërtetë është një sulmues i tërhequr, nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon me Bërnlein, pasi këputi ligamentet në miqësoren kundër Maltës në gusht të vitit të kaluar. Migen Memelli, 27-vjecari që luan me suedezët e GAIS, cilësohet si një kandidat potencial për sulmin kuqezi dhe nuk ka shënuar asnjë gol këtë sezon, megjithëse është aktivizuar shpesh dhe gëzon një formë të mirë fizike. (Panorama Sport)

17
Është interesant fakti që të dy sulmuesit në kulmin e tyre kanë shënuar 17 gola dhe për të dy këtë rekord e kanë regjistruar në kategoritë e dyta të kampionateve ku luajnë. Bogdani shënoi 17 gola me Veronën në Serinë B në sezonin 2003-2004, ndërsa Kapllani shënoi po kaq gola një vit më parë në Bundesligën 2 me Karlsruhen.

Baric
Ish-trajneri i Shqipërisë, Oto Baric, shpesh e pranoi faktin se reparti i avancuar i kuqezinjve kishte probleme me konkretizimin e aksioneve. Ai kishte thënë se ishte në kërkim të një sulmuesi, por u detyrua të jepte dorëheqjen ende pa mbaruar edicioni.
Ari Han
Trajneri i Kombëtares shqiptare tha se kuqezinjtë duhet ta harrojnë lojën sulmuese, por në zborin që ai drejtoi në Turqi me Kombëtaren B në muajin janar, gjatë seancave stërvitore u përqendrua shumicën e kohës në fazën sulmuese, duke u kërkuar futbollistëve që të ishin sa më konkretë.
1260
minuta ka luajtur Erjon Bogdani këtë sezon në Serinë A me Livornon dhe ka realizuar vetëm një gol. Ai ka luajtur në 23 ndeshje dhe është aktivizuar vetëm në 10 prej tyre si titullar. Edicionin e kaluar me Kombëtaren realizoi dy gola dhe u cilësua ndër më të mirët te kuqezinjtë.

730
minuta ka luajtur këtë sezon Edmond Kapllani në Bundesligën 1 te Karlsruhe. Ai ka luajtur gjithsej në 19 ndeshje, por vetëm në gjashtë prej tyre është aktivizuar si titullar. Nuk ka shënuar asnjë gol këtë sezon. Edicionin e kaluar u shpall golashënuesi më i mirë i Kombëtares me katër gola të realizuar.

27.2
vjec është mosha mesatare e pesë sulmuesve të Kombëtares. Më i vjetri është Bushi (34), pastaj Bogdani (31), Kapllani (25), Salihi (24) dhe Berisha (22). Gjithsej këta lojtarë kanë shënuar këtë sezon në skuadrat respektive 15 gola. Salihi ka shënuar 13, Bogdani 1 dhe Bushi 1.

1
Vetëm një nga sulmuesit e përfaqësueses shqiptare e ka vendin e titullarit të garantuar në skuadrën ku luan. Bëhet fjalë për Hamdi Salihin, i cili këtë sezon ka shkëlqyer me Riedin. Ndërkaq Bogdani e Kapllani pjesën më të madhe të ndeshjeve i kanë nisur nga stoli, ndërsa Bushi është rikthyer të luajë pas disa javëve terapi.
12
gola shënoi përfaqësuesja shqiptare gjatë edicionit të kaluar, ndërsa sulmi i saj shënoi vetëm 7 prej tyre. Kapllani realizoi katër gola, dy Bogdani dhe një Berisha. Të tjerët i shënuan Skela (2), Hasi (1), Curri (1) dhe Haxhi (1). Kombëtarja shqiptare pësoi 18 gola, 10 prej të cilëve në dy ndeshjet e fundit.

4
janë kandidatët për sulmin e përfaqësueses shqiptare, të cilët u testuan nga trajneri Han në zborin që u zhvillua në muajin janar në Turqi: Memelli (GAIS), Bakaj (Partizani), Muzaka (Partizani) dhe Sukaj (Vllaznia). Tre të fundit luajnë në skuadrat e tyre si mesfushorë të avancuar, ndërsa vetëm Memelli aktivizohet si qendërsulmues i mirëfilltë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›