E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fati në dorën e Ramës

Kam qeverisur për njëzet vjet dhe kam nxjerrë vetëm pak përfundime: 1) Vendi ynë është i paqeverisshëm; 2) Kush bën revolucion vetëm sa gërmon në ujë; 3) E vetmja gjë që mund të bëhet këtu, është të emigrosh; 4) Ky vend do përfundojë pashmangshmërisht në duart e turmave të pakontrolluara, e si pa kuptuar në të atyre të tiranëve meskinë të çdo race e ngjyre; 5) Pasi të jemi vetëbjerrë e vetëshfarosur nga egërsia jonë kriminale, europianët nuk do të na konsiderojnë të denjë as për tu pushtuar; 6) Nëse do të ndodhë ndonjëherë që një vend i botës të kthehet në gjendjen e kaosit primitiv, do të jetë kjo që ne jemi sot”. 

Sa më sipër, është testamenti politik i shkruar një ditë para se të vdiste, i gërryer nga tuberkulozi dhe mosmirënjohja e njerëzve, i njërit prej njerëzve më të mëdhenj që ka njohur bota. Është i vetmi që çliroi një kontinent, dhe vdiq i mbuluar nga mizerja dhe harresa e njerëzve që ju kishte dhënë lirinë dhe dorëzuar pushtetin me dorëheqje, vetëm një vit përpara. I vetmi që kishte merituar titullin “Çlirimtari”, nuk mundi të çlironte shpirtin e tij nga marazi, kur 47 vjeç, në shtratin e vdekjes, pa veprën e tij të përfundonte në kaos, për shkak të njerëzve. Sa parashikoi në mënyrë profetike, ndodhi për 150 vjet rresht në Amerikën Latine. Simon Bolivari nuk e pa ëndrrën e tij të realizohej. Edhe sot, emri dhe trashëgimia e tij, përdoret nga shumë udhëheqës të paemër të Amerikës Latine, për të justifikuar pushtetin personal. I fundit ishte Çavez. 

Por krimbi i kalbjes së idealeve të Bolivarit, nuk hyri në ditët e vona të veprës së tij. Ishte që në fillim. Bir i një latifondisti venezuelian, katërmbëdhjetë vjeç futet në ushtri, dhe kur ishte 24, jetonte në Paris. Përjeton luftërat napoleonike, shkërmoqjen e feudalizmit dhe lindjen e shteteve të rinj nacionalë në Europë, nga goditja e topave francezë. Kthehet në vendin e tij, për ta çliruar nga sundimi spanjoll, dhe këtu fillon kalvari i luftërave bolivariane. I ardhur në një kontinent që kishte katër shekuj nën sundimin spanjoll, për të arritur synimin e tij, Bolivari bëri pakte me njerëz të ndryshëm dhe moral të dyshimtë, përfshirë hajdutë dhe grabitës. Simon Bolivari, ishte një luftëtar dhe jo filozof. Filozofia do ta ndihmonte të kuptonte se një pushtet, para së gjithash, që të mbijetojë dhe ketë besimin e njerëzve, duhet të ketë moralin. Përndryshe, rrezikon të bëhet më i frikshëm, represiv, korruptiv dhe i padurueshëm se ai që shkoi. 

Një shekull e gjysmë më vonë, fqinji ynë italian, qeveriset nga dy forca, që për po kaq kohë, kanë qenë të pa pajtueshme. E majta dhe e djathta italiane, për shkak të numrave elektoralë, u bashkuan. E djathta italiane, vinte me një moral të kalbur, ku një pjesë e përfaqësuesve të saj kanë vite nën procese gjyqësore, dhe vetë bosi i tyre, Berluskoni, është kampion, me akuza nga ngacmimi i minoreneve deri në evazion fiskal. Pavarësisht se shefi aktual i saj, Enrico Letta, po bën më të mirën për nxjerrjen e vendit nga kriza, njerëzit e koalicionit të tij, për shkaqe meskine personale, për ti shpëtuar gjyqësorit apo interesa biznesi, nuk e lenë vendin të shkëputet nga bataku ku është. Jo më larg se disa javë përpara, ju dorëzua Kazakistanit, një vendi që qeveriset në mënyrë feudale, gruaja e opozitarit kryesor të regjimit, e strehuar në Itali. Për interesa personale të politikanëve me biznesin e naftës, njerëzit e tyre në polici, ndërmorën një akt të denjë për vendet afrikane. Duke i sjellë Italisë një bjerrje të autoritetit ndërkombëtar, për të disatën herë brenda dy vjetëve, pas ngjarjeve të dy marinarëve dhe krizës që nuk po e lëshon.
Në një laborator më të vogël se ato që u sipërpërmendën, do të qeverisë Edi Rama. Pas krahëve, ka lënë një pushtet, i cili kishte të ngjashëm vetëm pushtimin. Por jo një pushtim dosido, por nga të llojit të hordhive mongole e tartare, që vetëm rrëmbejnë e shkatërrojnë. Aleati i tij në qeveri, ka një të shkuar që nuk do ta donte, dhe ka bërë pakte jo të lakmueshme për të mbijetuar. Mund të vazhdojë në rrugën që e njeh publiku, ashtu siç mund të përpiqet që të pastrojë emrin dhe jetë aleat luajal. Pasi Meta ju dha socialistëve numrat e domosdoshëm që të qeverisin, ndërsa këta i dhanë mundësinë që të pastrohet. 

Sot, qeveria e Edi Ramës ka dy shanse. Të qeverisë siç ka ndodhur deri më sot, si mundësi pasurimi. Apo ta fusë këtë vend në rrugën e normalizimit. Rrugë, e cila do kalojë nëpërmjet kompromiseve të nevojshme, por pa humbur asnjëherë qëllimin dhe shmangur baltosjen. Edi Rama e di se prosperimi i një vendi nuk është diçka e paracaktuar të ndodhë. Mund të përfundosh edhe në një rreth vicioz autoritarizmi dhe korrupsioni si në rastin e Amerikës Latine. Tashmë është në dorën e tij të na zgjedhë fatin. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›