Ambeta, rikthim si soliste në skenën italiane
alma mile
Dukej sikur një puhi frynte në skenë, kur në të ngjitej Ambeta Toromani. E lehtë, gati e tejdukshme, me një delikatesë të përsosur. Por ca ndryshime jo pak të rëndësishme në jetën private, duket se kanë lënë pak në hije profesionin. Ndarja me modelin Oni Pustina, një padi kundër këtij të fundit e pastaj një lidhje e re në horizont për balerinën, kanë zënë faqet e shtypit rozë, në Shqipëri e Itali për një kohë të gjatë. Por tanimë duket se ujërat janë qetësuar disi e Ambeta vijon karrierën e saj artistike, me të njëjtin sukses si më parë. Për të tretën verë, Ambeta kthehet në skenën madhështore të Sferisterios së Maceratës, me pjesëmarrjen në një pjesë lirike. Pas pjesëmarrjes në operën "Makbeth" në vitin 2007, në rolin e shtrigës Ekatë, dhe "Karmen" në vitin 2008, Ambeta ngjitet në këtë skenë me një tjetër vepër. Në mbrëmjen e 1 gushtit, balerina shqiptare do të ngjitet si soliste në pjesën "I lombardi alla prima crociata", me muzikë të Giuseppe Verdit, libret të Temistocle Solera. Vepra ngjitet në skenë nën koreografinë e Gheorghe Iancut dhe regji, skenografi dhe kostumografi të Pier Luigi Pizzi-t. Gheorghe Iancu është një koreograf dhe yll ndërkombëtar i baletit, formuar në shkollën e Bukureshtit. Për vite me radhë balerin i parë në çift me balerinën e madhe Carla Fracci, pjesëmarrës në vepra të suksesshme në skenat më të rëndësishme dhe koreograf i sa e sa pjesëve. Pasi ka vënë disa pjesë në skenën e Arenës Sferisterio, si "Aida" (2006), "Turandot" (2006), "Makbeth" (2007), "Karmen" (2008), "Kleopatra" (2008), etj., në edicionin e këtij viti, firmën e tij mbajnë tre vepra: "Faust" më 30 korrik, "La forza del destino" më 31 korrik dhe "I Lombardi alla prima crociata" më 1 gusht, nën dirigjimin e Jean-Luc Tingaud për kryeveprën e Gounod dhe të Daniele Callegari për dy veprat e Giuseppe Verdit. Koreografi, i cili shpesh herë ka qenë i ftuar në programin "Amici" të Maria De Filippi-t, nuk mund të bënte pjesë të veprave të tij edhe balerinën shqiptare, interpretimin e së cilës ai ka mundur ta adhurojë gjatë netëve të spektaklit. Tanimë ajo është në kulmin e provave. Pas një viti të ngjeshur, e impenjuar për muaj me radhë në "Amici", një nga spektaklet më të suksesshme italiane, që transmetohet në "Canale 5", ajo duhet të hyjë nën lëkurën e një personazhi të ri. Nëse tek "Makbeth" duhet të luante rolin e një shtrige, e cila me magjinë e saj bëri për vete gjithë publikun italian, tek "Karmen", duhet të ishte cigania rebele, tanimë duhet të ndryshojë tërësisht drejtim. Për herë të parë "I Lombardi alla prima crociata" ("Lombardët në kryqëzatën e parë") është vënë në skenë në teatrin "La Scala" më 11 shkurt të vitit 1843. Drama lirike me katër akte ka një subjekt me temë fetare, gërshetuar me skena dënimesh, lutjesh, pagëzimesh dhe kryqëzatash.
Nuk ka si Ambeta
Në shkollën e "Amici"-t, ajo është etaloni. Për disa prej pedagogëve, që kanë vite që bashkëpunojnë në këtë program, mes të cilave edhe e mbesa e Adriano Celentanos, Alessandra Celentano, asnjë balerinë konkurrente nuk është "e denjë" për t'u ngjitur në skenë, nëse nuk i ngjan sado pak balerinës shqiptare. Pasi ajo demonstron një pjesë koreografike, aspirantja për balerinë, që kërcen pas saj, nuk i hyn më askujt në sy. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për anën interpretative, e cila tanimë nuk vihet në diskutim nga askush, por edhe për fizikun e saj. Balerinave të reja u rekomandohet të bëhen si Ambeta, edhe pse kjo nuk është aq e thjeshtë. Edhe vetë balerina shqiptare nuk e ka pasur të thjeshtë. Ka qenë një rrugë e gjatë deri në perfeksion. Shumë lodhje dhe punë, deri sa të bindte njerëzit e duhur. Por tanimë ajo konsiderohet si "asi nën mëngë" i programit të Maria De Filippit. Një pikë e fortë e balerinës ishte pa dyshim formimi në Shkollën e baletit në Tiranë dhe puna si soliste në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ka interpretuar edhe në role të rëndësishme në veprat "Zhizel", "Don Kishoti", "Hirushja", "Karmen", etj. Në sezonin 2002-1003 konkurron në shkollën "Amici", duke arritur deri në finale dhe menjëherë u përzgjodh nga regjisori Patrick Rossi Gastaldi, për të interpretuar në shfaqjen e tij "L'Histoire du soldat" me Rocco Papaleo. Prej asaj kohe, ajo është pjesë e trupës së balerinëve profesionistë të shkollës, por ndërkohë ka vijuar edhe me projekte individuale. Publikisht, në ekranin italian, ajo është ftuar nga balerina Carla Fraci, të punojë në teatrin e Romës. Gjatë këtyre viteve është nderuar edhe me çmime, si "Gino Tani" (2004)dhe "Danza&Danza" (2005).