E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndotja akustike, pezullohen 45 ditë ndërtimet në Sarandë



SARANDE/ SHPRESA DINE

Gjoba të rënda, që shkojnë deri në 2 milionë lekë të reja, do të ketë deri në fund të gushtit, për të gjithë ata që prodhojnë ndotje akustike, për ndërtim ose argëtim. Këtë fakt e bën të ditur nëpërmjet gazetës “Panorama”, inspektorja e mjedisit në Sarandë, Areti Papadhima. Nga 15 korriku dhe deri më 30 gusht, “çekiçët pneumatikë”, që i gjen pothuajse në gjithë rrugët e qytetit të Sarandës, do të pushojnë aktivitetin e tyre. “Zhurmat e krijuara prej tyre janë acaruese jo vetëm për pushuesit, por edhe për vetë banorët e Sarandës, saqë në shumë raste ata i drejtohen policisë bashkiake për të ndërhyrë për ndalimin e punës së tyre, që bëhet orë e pa orë; në mëngjes, ditën, por edhe pasdite, orare këto të përshtatshme për pushim. Në rast të kundërt, do të ketë gjoba, madje të rënda, të cilat variojnë nga 1 deri në 2 milionë lekë”, - thotë Papadhima. E njëjta kërkesë ka nisur të aplikohet edhe për lokalet e natës, të cilat kanë si objekt të punës së tyre edhe muzikën. Për këto lokale dhe disko do të ketë limite kohore, që do të jenë që nga e hëna në të enjte, deri në orën 23:00, ndërsa të premten, të shtunën dhe të dielën, orari do të jetë deri në orën 24:00. “Këto masa, - shprehet inspektorja e mjedisit, - janë kërkesë e domosdoshme për mbarëvajtje të sezonit turistik”. Papadhima, tha se për çdo thyerje të këtij rregulli, toleranca do të jetë zero dhe se do të shprehet nëpërmjet gjobave të përmasave të mëdha. Madje, në funksion të zbatimit të vendimit është ngritur edhe një taskë force, që do të jetë në kontroll të vazhdueshëm të ndërtuesve, të cilët kërkojnë të thyejnë rregullin e përdorimit të “çekiçëve” dhe të lokaleve të natës me muzikë.
Në çdo sezon turistik, banorët e qytetit dhe pushuesit që mbipopullojnë Sarandën, kanë shprehur shqetësim për vendet ku punohet për ndërtime të reja dhe kanë të domosdoshëm përdorimin e “çekiçit” apo muzikën e lartë, në zonat pranë të cilave ndodhen diskot verore. Tashmë, urdhri ka hyrë në fuqi dhe pritet që subjektet ta zbatojnë atë, për të mos rrezikuar gjobitjen me shumën e konsiderueshme të parave. Qyteti i Sarandës, këtë verë po pret një numër të madh pushuesish, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova e Maqedonia. Hapja e tunelit të Kalimashit ka shkurtuar kohën e rrugëtimit, prej perlës jugore të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›