E Diel, 1 Nëntor 2026

Nasho Jorgaqi, "Nën zë" me hajkun japonez



Shumë e quajnë një gjini të rrezikshme, por duket se atij i pëlqen të rrezikojë, ani pse flokët ia janë zbardhur nga bora e viteve. E kemi njohur si studiues e si romancier, madje edhe si përkthyes e biograf, ndërsa kësaj here ai shfaqet ndryshe. Ai është djaloshi i përjetshëm, që ka mbathur "këpucët e rinisë" e i këndon pa fund dashurisë, por që i këndon edhe dhimbjes mallit... "Nën zë" titullohet libri që mban për autor Nasho Jorgaqin. është një vepër e veçantë, përfshirë në serinë e botimeve "Poezia e plejadës" së shtëpisë botuese "Ombra GVG". Kësaj here Jorgaqi-poet, ka vendosur të shprehet përmes hajkut japonez, të cilin nuk e lëvron për herë të parë. Përmes pak vargjeve të bën të përjetosh një botë të tërë. Në tre vargje gjen det, diell, pyllin gjetheshumë, pranverë, dashuri, por edhe manastire, mure të vjetra, mall, vetmi. Një libër që mund ta shijosh në çdo kohë e në çdo faqe të gjesh veten. Këtë e thonë studiuesit, por edhe lexuesit. "Ndryshe nga shumë libra të tjerë me poezi që mezi përcillen, ky libër lexohet me një frymë, të krijon një kënaqësi të veçantë shpirtërore dhe të lumturon me mendimin se poezia s'ka të bëjë fare me moshën, por është dëshmi e pasurisë dhe e rinisë së përhershme të njeriut që ka gjithmonë aftësinë t'u thotë gjer në moshën e nderuar njerëzve të tjerë diçka të bukur dhe të sinqertë", thotë Musa Vyshka, në hyrje të librit, teksa shton se Nasho Jorgaqi nuk u kthye tek hajku për modë, pasi "hajku është një gjini poetike nazike dhe e rrezikshme. Sepse kujton se mund të thuash diçka, po nuk thua asgjë, sepse kërkon mençuri të thellë, gjykim të qartë, dhembshuri për fjalën e pjekur poetike".
"Hajkun japonez, Nasho Jorgaqi e ka transplantuar në poezinë shqiptare, duke mos respektuar krejt rregullat tradicionale, ashtu siç krijohet ky lloj poetik në kohët moderne. Megjithatë hajku i poetit mund të quhet si shartim i goditur i llojit në fjalë në poezinë tonë. Në këtë lloj, Jorgaqi ka derdhur një problematikë ekzistenciale, duke vënë në qendër temën e tij të parapëlqyer-dashurinë. Hajkutë e tij janë në radhë të parë shprehje e lirikës meditative", thotë studiuesja Klara Kodra. Edhe për studiuesin Milianov Kallupi, hajkutë e Jorgaqit dalin tej tradicionalizmit. "Ato marrin ngjyra të mëvetësishme, janë të tijat dhe të askujt tjetri, i shmangen fort bukur plagjiaturave e imitacioneve, janë shqiptare e për më tepër hajkutë e tij karakterizohen nga mungesa e vazhdueshme e referimit stinor dhe theksojnë rëndom subjektin njerëzor".

Titulli:"Nën zë"

Autori:Nasho Jorgaqi
Shtëpia botuese: "Ombra GVG"
Seria e botimeve: "Poezia e plejadës"
Nr i faqeve:127
çmimi:600 lekë

Vepra

- "Dashuria e Mimozës"
- "ëndrra dhe plagë"
- “Posta e largët”
- "Mërgata e qyqeve"
- “Tregimet e pranverës”
- "Manastiri i dashurisë"
- “Ndëshkimi i bukurisë”
- “Balada e nënës”
- "Shpirti i magjepsur"
- “Ishte një herë një dashuri”
- "Sythe mendimesh"
- "Nën hiret e bukurisë"
- "Netët e bardha të dashurisë"
- "Mimoza llastica",
- “Përrallat e gjyshit”,
etj...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›