E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatjon Hasani: “Nëna ime përgjegjëse për vrasjen e bashkëshortit”

Fatjona Hasani, bashkëshortja e Armando Hasanit, që u vra më 31 janar nga xhaxhai i saj, dëshmon se përgjegjëse për krimin ka qenë nëna e saj, Entela Dashi. Por, reagimi e së ëmës ka qenë i menjëhershëm duke mohuar akuzën e bërë nga e bija. Vrasja e Armando Hasanit nga Albert Dashi, i njohur me nofkën Bert Qorri, ka shkaktuar një debat të ashpër në një emisionin të televizionit “NEWS 24”. Fatjona Hasani, 17-vjeçare, akuzoi dje në mesditë nënën e saj se së bashku me xhaxhanë, Albert Dashi, vrau bashkëshortin. “Nëna ime është përgjegjëse për vrasjen e Armandos. Të dielën Armando doli të pinte një kafe. Nëna ime është parë së bashku me xhaxhanë dhe e kanë thirrur Armandon të dilte jashtë. Pasi ka dalë dhe kanë debatuar, xhaxhai e ka vrarë me tre plumba burrin tim”, - tregoi vajza në një lidhje direkte me emisionin. 17-vjeçarja vazhdoi rrëfimin duke treguar se prindërit e saj, sidomos nëna, kanë qenë kundër lidhjes së saj me Armandon dhe për ketë e kishin kërcënuar. “Unë kam denoncuar dhe më parë në polici se ma kishin kërcënuar burrin. Nëna ime nuk donte të vazhdonte kjo martesë. Ajo thirri xhaxhanë dhe ia mbushi mendjen se Armando më keqtrajton që më pas ky ta vriste”, – vazhdon rrëfimin nusja e viktimës. Sa i përket xhaxhait, Fatjona shpjegoi se nuk ka pasur asnjëherë konflikte me të.
Por edhe prindërit e djalit të vrarë dëshmuan në emision se prindërit e vajzës kishin kërcënuar gjithmonë se “nuk do ta gëzonin vajzën e tyre si nuse”.
Një dëshmi tjetër kundër nënës së Fatjonës erdhi nga një person i dytë, prezent në vendngjarje ditën e vrasjes së 30-vjeçarit Armando Hasani. Blerim Luku tha se Entela Dashi, nëna e Fatjonës, ka qenë të dielën krah vrasësit. “Kishte veshur tuta blu. Kur Alberti e qëlloi 3 herë më plumb Armandon, në kokë dhe bark, i thashë gruas që mos të ikte, por ajo vrapoi dhe u largua”, - tregoi Luku.
Reagimi i Entela Dashit
Menjëherë pas këtyre deklaratave, në studio ka mbërritur telefonata nga nëna e Fatjonës, Entela Dashi. “Unë nuk kam më vajzë, vajza që kisha për mua vdiq. Por ato që thotë ajo nuk janë të vërteta. Kam qenë në shtëpi në momentin që ka ndodhur kjo vrasje”, – u shpreh ajo. Entela Dashi shpjegon se ka qenë kundër martesës pasi vajza e saj ishte e vogël dhe Armando moshë e madhe. Sipas saj, lidhja dashurore e vajzës me djalin solli braktisjen e shkollës dhe më pas martesën e hershme të Fatjonës. Siç shton Dashi, në mes çiftit ishin dhe konfliktet. “Ai ma rrihte vajzën, pinte gjithë ditën në lokal. Nuk ka nënë që ta durojë këtë, por hedh poshtë çdo dëshmi se kam qenë ditën e vrasjes së Armandos. Madje ngushëlloj prindërit për humbjen e djalit të tyre". E pyetur se çfarë konflikti kishte mes Albert Dashit dhe Armand Hasanit, Entela Dashi tha se “kunati im jeton në Greqi dhe mbërriti këtu pasi donte të takonte vajzën se është i divorcuar nga gruaja e tij. Kishte vetëm një javë në Shqipëri dhe nuk e di se çfarë mund të ketë pasur me Armandon”. Por, edhe pas justifikimit të nënës, Fatjona u shpreh se nuk do të largohet kurrë nga banesa e ish-të shoqit dhe se nuk do ta falë kurrë nënën e saj për vrasjen e bërë. Vrasja e 30-vjeçarit Armando Hasani i komunitetit rom ndodhi të dielën pasdite rreth orës 17:20 në Tiranë, në zonën e njohur si Xhamllëku. Si autor i vrasjes u arrestua Albert Dashi, xhaxhai i bashkëshortes së Armandos.
Masa e sigurisë
Në kohën kur Fatjona Hasani akuzonte të ëmën si përgjegjëse për vrasjen e të shoqit, në Gjykatën e Tiranës po zhvillohej masa e sigurisë ndaj Albert Dashit, i akuzuar për vrasjen e Armando Hasanit. Sipas burimeve pranë kësaj gjykate mësohet se Dashi është shprehur se ka qenë në gjendje të dehur në ato momente dhe se ka qenë bashkë me Armandon në lokal duke pirë bashkë. Më pas ai tregon se janë grindur për shkaqe që ai nuk i mbante mend dhe më pas ka marre armën dhe ka qëlluar në ajër për ta trembur. Më pas, sipas tij, ai nuk mbante mend më asgjë. Pasi dëgjoi versioni e të dyshuarit kryesor dhe pas provave të paraqitura nga ana e Prokurorisë së Tiranës, Gjykata vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Albert Dashin, i dyshuari kryesor për vrasjen e ndodhur ditën e diel pranë zonës së Xhamllëkut, ku humbi jetën Armando Hasani.

Aksidenti, një i vdekur dhe dy të plagosur
DURRËS - Një person ka gjetur vdekjen dhe dy të tjerë janë plagosur në një aksident që ndodhi në orët e natës duke gdhirë dita e djeshëm në qytetin bregdetar. Ngjarja ndodhi në rrugën automobilistike Spitallë – Shënavlash Durrës. Rejdi Furrxhi, 23 vjeç, në kohën kur drejtonte automjetin tip “Audi” me targë BA 368 CE, është përplasur me automjetin tip “Ford Fiesta” me targë B 34641 të drejtuar nga Gentian Bardhi, 29 vjeç, banues në Shënavlash Durrës. Si pasojë e këtij aksidenti ka gjetur vdekjen Gentian Bardhi ndërsa Rejdi Furrxhi dhe pasagjeri i tij S. M., ndodhen të shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Pranga tre të miturve, tentuan të vidhnin një banesë
TIRANË - Tentuan të vjedhin një shtëpi në Bathore, vihen në pranga tre të miturit. Mësohet se ata janë personat me inicialet D. D., 14 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore; J. N., 14 vjeç, lindur dhe banues në Bathore dhe R. Ç., 14 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Bathore. Kapja e tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin banesën në pronësi të një personi, të ndodhur në Bathore. Nga puna e bërë rezulton se këta të mitur janë autorë edhe të disa vjedhjeve banesash të ndodhura në zonën e Bathores. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, në gjendje të lirë për shkak të moshës, për veprat penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë” dhe “vjedhjes në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 134, 22 dhe 134, 25 të Kodit Penal.

Vihet në pranga Artan Ndreu, grabiti një dyqan

SHKODËR – Vodhi me thyerje një dyqan në Shkodër, vihet në pranga Artan Ndreu. Polica e këtij qyteti bën të ditur se Ndreu ishte një person me precedent dhe se ka qenë i dënuar edhe më parë për vjedhje. Ndalimi i tij u bë për arsye se, në bazë të hetimeve të kryera nga ana e policisë, rezulton se ky person është bashkautor në vjedhjen me thyerje të një dyqani privat, ngjarje kjo e ndodhur më datë 15.11.2009, në lagjen "Fahri Ramadani" të qytetit Shkodër, ku vlera e dëmit të shkaktuar është në shumën rreth 20 000 lekë të rinj. Materialet në ngarkim të Ndreut i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale të "vjedhjes më shumë se një herë".

Vodhi 20 rubineta uji, pranga 17-vjeçarit

TIRANË - Grabiti magazinën e një pallati në ndërtim duke marrë rreth 20 rubineta uji, por arrestohet minoreni. Policia e kryeqytetit ka arritur të arrestojë në flagrancë 17-vjeçarin F. M., lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse dy net më parë është kapur në flagrancë me sende të vjedhura, 20 copë rubineta uji, të cilat dyshohet se i ka vjedhur në magazinën e një pallati në ndërtim. U kryen veprimet procedurale ku sekuestruan rubinetat, në cilësinë e provës materiale.

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›