Specialistët: Informacioni që duhet të keni për të përfituar banesa sociale
Laureta Rryçi
Specialistët e Entit Kombëtar të Banesave kanë përcaktuar pyetjet më të shpeshta që mund të kenë qytetarët për të marrë sa më shumë informacion mbi banesat sociale. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm pyetje-përgjigjet e përgatitura nga specialistët, të cilët japin informacionin e duhur mbi mënyrën dhe mundësitë që kanë qytetarët për të përfituar nga ky program social. Familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen gjithashtu edhe ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkitë ofrojnë edhe mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh (familje që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar tek aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit. Materiali i përgatitur nga specialistët vijon si më poshtë:
Cila është fusha e veprimtarisë së Drejtorisë së Politikave të Strehimit?
Harton politikat e strehimit; harton bazën ligjore, nënligjore e normative në zbatim të kuadrit ligjor; koordinon veprimet e të gjithë veprueseve kyç në fushën e strehimit; adreson zgjidhjen e ankesave të qytetarëve organeve kompetente; mban lidhje me të gjitha institucionet vendase e të huaja që kanë lidhje me fushën e strehimit; harton programe strehimi; planifikon buxhetin e shtetit në mbështetje të programeve të strehimit; nxit nisma të sektorit privat dhe të bashkëpunimit të tij me sektorin publik; mbikëqyr zbatimin e politikave të strehimit në nivel kombëtar; koordinon punën me Entin Kombëtar të Banesave për zbatimin e programeve me të cilat është ngarkuar ky i fundit.
Çfarë kompetence nuk ka Drejtoria?
Nuk trajton drejtpërsëdrejti persona të veçantë me strehim; nuk harton apo miraton listën e personave që do të trajtohen me strehim; nuk mirëmban banesat dhe nuk planifikon fonde në buxhet për mirëmbajtje banesash; nuk merr vendime për faljen e detyrimeve që kanë qytetarët ndaj EKB-së.
Çfarë kompetencash ka EKB?
Kryen prokurimin e fondeve publike për ndërtim ose blerje banesash; lidh kontrata me qytetarët; verifikon dokumentacionin e qytetarit; refuzon dokumentacionin e qytetarit kur ai nuk është në përputhje me kërkesat ligjore; padit në gjykatë qytetarët që nuk lidhin kontrata ose ata që nuk paguajnë detyrimet ndaj EKB; hyn në marrëveshje me subjekte private për realizimin e investimeve me të ardhurat e veta; bashkëpunon me organet e qeverisjes vendore për sigurimin e trojeve për ndërtim dhe lejeve të ndërtimit; studiojnë dhe të harton koston mesatare të ndërtimit të banesave.
Çfarë kompetencash nuk ka EKB?
Nuk pranon dhe nuk trajton kërkesat individuale për strehim që nuk i adresohen nga bashkitë; nuk merr vendime për falje të detyrimeve që qytetarët kanë ndaj EKB-së; nuk ndryshon kriteret e përcaktuara nga Ministria për trajtimin me strehim; nuk lidh kontrata me subjekte private që nuk janë përzgjedhur me procedurë tenderi.
Çfarë kushtesh duhet të plotësoj që të mund të trajtohem me strehim?
Nuk duhet të dispononi në pronësi banesë, ose duhet të banoni nën normat minimale të strehimit. Zyra e strehimit në bashki mund t’ju informojë nëse banoni nën norma ose jo. Ju duhet të siguroni të paktën 3000 lekë për frymë në muaj (shifra e saktë ju njoftohet nga bashkia, sipas kritereve të përcaktuara në ligj) që të mund të përfitoni banesë sociale me qira.
Nëse nuk disponoj asnjë të ardhur, a mund të trajtohem me strehim në një nga programet sociale të strehimit?
Momentalisht, programi që trajton familjet me të ardhura me të ulëta është ai i banesave sociale me qira. Ky program parashikon pagimin e një minimumi jo më të vogël se 50% e qirasë së llogaritur nga bashkia. Pra, nëse deklaroni se nuk keni asnjë të ardhur, ju nuk mund të trajtoheni me strehim, përveç rastit kur këshilli bashkiak merr një vendim të tillë.
A është ende në fuqi statusi i të pastrehut i vitit 1993?
Statusi i të pastrehut i përfituar në vitin 1993, si rezultat i privatizimit të banesave, nuk figuron më si term, por juve nuk ju hiqet e drejta për t’u ndihmuar nga shteti nëse nuk jeni në gjendje ekonomike për të përballuar tregun e lirë. Ligji Nr. 9232, datë 13.05.2004, ju përcakton si kategori prioritare për trajtim, nëse përmbushni dy kritere: a) gjatë periudhës 1993 e deri më sot nuk jeni bërë pronar i një banese; dhe b) keni të ardhura të ulëta sipas përcaktimeve të bëra në ligjin përkatës.
A mund t’i përdor banesat me qira në tregun e lirë?
Ju mund të përdorni një banesë me qira në tregun e lirë nëse keni marrë më parë miratimin e bashkisë për t’ju mbuluar një pjesë të qirasë që i paguani pronarit. Ju duhet t’i drejtoheni zyrës së strehimit pranë bashkisë suaj për të marrë një përgjigje.
Çfarë procedurash duhet të ndjek për t’u trajtuar me strehim nga bashkia?
Ju duhet të paraqiteni në zyrën përkatëse pranë bashkisë suaj për të tërhequr një formular aplikimi. Ju duhet të mbushni formularin e aplikimit dhe ta dorëzoni atë në zyrat e bashkisë. Nëse nuk jeni në gjendje të plotësoni formularin, punonjësit e bashkisë e kanë për detyrë t’ju ndihmojnë. Nëse ju nuk i përmbushni kushtet e përcaktuara, bashkia duhet t’ju njoftojë arsyet. Në rast të kundërt ju kaloni në fazën e dytë të aplikimit. Faza e dytë e aplikimit mbushet nga ju vetëm nëse jeni njoftuar nga bashkia se keni fituar.
Nëse jam banor i një zone rurale, a mund të përfitoj nga programet sociale të strehimit?
Momentalisht kuadri ligjor nuk parashikon ndonjë program ndihme për strehimin e banorëve të zonave rurale.
Më është dëmtuar banesa nga një rrëshqitje e tokës, përmbytje, tërmet, zjarr apo fatkeqësi të tjera natyrore apo njerëzore. A mund të trajtohem me strehim dhe kujt duhet t’i drejtohem?
Ju mund të ndiqni dy rrugë: Mund të kërkoni ndihmën e organit të qeverisjes vendore ku banoni për t’ju dëmshpërblyer, ose mund të aplikoni pranë bashkisë vetëm nëse jeni banor i një bashkie dhe jo komune për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit. Rruga e parë është më e shpejtë, ndërsa e dyta është në varësi të disponibilitetit të banesave të lira në atë bashki.
I jam drejtuar disa herë bashkisë për t’u trajtuar me strehim, por deri sot nuk jam trajtuar. A mund t’i drejtohem Ministrisë që të ndërhyjë pranë bashkisë për të më marrë në konsideratë?
Bashkia është një institucion i pavarur, i zgjedhur dhe votuar nga populli. Ministria nuk ka kompetenca për të urdhëruar bashkinë. Ministria vetëm mund t’i delegojë bashkisë për kompetencë kërkesën tuaj.
4 Shkurt 2010