Fatkeqët e Gërdecit
Vërtetë i vrau, i plagosi dhe u shkatërroi shtëpitë e bizneset, por nuk ka më badihava. Banorët e Gërdecit që kanë mbetur pa strehë pas krimit qeveritar më 15 mars 2008, do të kenë edhe dy javë afat për të ndenjur te Kovalishenca në Durrës. E thotë vendimi i djeshëm i qeverisë: "Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, t'i shtohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh, për Shtëpinë e Pushimit, Durrës, për mbulimin e shpenzimeve për akomodimin (ushqim dhe fjetje) dhe shpenzime të tjera, për familjarët e sistemuar në këtë shtëpi pushimi, për shkak të aksidentit teknologjik, të ndodhur më 15.3.2008, në fshatin Gërdec, bashkia Vorë. Periudha e trajtimit të familjarëve të akomoduar në Shtëpinë e Pushimit, Durrës, shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme, për shkak të këtij aksidenti, do të jetë deri në dy muaj nga data e ndodhjes së kësaj ngjarjeje". Pra pas 16 majit, ministri i Financave dhe ministri i Brendshëm do të jenë të detyruar për zbatimin e këtij vendimi, sepse helbete Kovalishenca është për të shijuar pushimet verore administrata dhe jo gërdecarët.
Megjithatë qeveria nuk është aq e pashpirtë. Ja, dje vendosi që të çojë në 32 milionë lekë shifrat për t'ua dhënë të mbijetuarve, duke shtuar edhe një pikë: "Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonisë mortore për viktimat e tragjedisë së datës 15.3.2008, në fshatin Gërdec, bashkia Vorë, të përballohen nga Ministria e Brendshme, me fondin e emergjencës, miratuar për vitin 2008» (shih www.km.gov.al).