Qeveria e kazinosë
Ju kujtohet si bërtiste Doktori këtu e tre vite më parë për një kazino në qendër të Tiranës, Bënte be e rrufe se do ta shkulte prej andej. Jo vetëm që nuk e shkuli, por kazinoja është bërë sektori më fitimprurës për qeverinë dhe madje edhe për punësimin e administratës. E tregon edhe vendimi i djeshëm i qeverisë, i cili vendosi të shkurtojë disa qindra vende pune në administratë, duke hequr punonjës nga Kultura, Arsimi apo Punët Publike, por duke shtuar punonjës për të mbikëqyrur lojërat e fatit.
"Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të shtohen edhe 11 punonjës, për Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit",-thotë njoftimi i qeverisë. Por hiqen nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit 135 punonjës dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për periudhën 1 korrik 2008- 31 dhjetor 2008, do të pakësohen 487 punonjës. Synimi? "Numri total, i punonjësve buxhetorë për periudhën janar-korrik 2008, bëhet 104 592 punonjës, ndërsa për periudhën korrik-dhjetor 2008 bëhet 104 105 punonjës". Qëllimi? Reforma strukturore në administratën publike, ku të tepërt dalin punonjësit e sektorëve më blozë të qeverisë, siç janë kultura, arsimi, transportet dhe punët publike.
Gojët e liga thonë se lojërat e fatit janë bërë hobi i preferuar i qeveritarëve, aq sa zëvendësministri i Financave harroi edhe celularin, sepse ishte fiksuar te ruleta. Dhe atje ku luajnë qeveritarët ka edhe lehtësira për të zotët e lokaleve, që shkojnë, sigurisht, jo në buxhetine shtetit.