E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatmir Mediu: “Grupe të caktuara në PD po abuzojnë me reformën zgjedhore

Debati mbi reformën zgjedhore ka detyruar edhe kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, të reagojë ashpër, megjithëse kohët e fundit ai nuk ka folur mbi qëndrimet politike të partive të mëdha në sistemin apo modelet e reformës zgjedhore. Media u shpreh se në Partinë Demokratike ka grupe të qëllimshme dhe që e shikojnë reformën thjesht për të kënaqur interesat e tyre personale. Ministri i Mbrojtjes, Mediu, i ka kërkuar kryeministrit Berisha, liderit të PD-së, që të ndërhyjë, ndryshe ka për t’u pajtuar me këto interesa të vogla. “Mendoj që ka grupe të qëllimshme brenda Partisë Demokratike apo edhe të partive të tjera që e shikojnë reformën zgjedhore thjesht me interesin e tyre personal. Kjo do të ishte një fatkeqësi e madhe. I kam kërkuar dhe do t’i kërkoj kryeministrit Berisha që të mbajë qëndrim jashtë këtyre interesave të vogla, të cilat u shfaqën edhe gjatë zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Po t'i shikosh njerëzit që pretendojnë sot, qoftë në PS, qoftë në PD, në pjesën e tyre më të madhe nuk e kanë ditur ku është dera e PS-së apo e PD-së. Dhe as e kanë ditur ndoshta se çfarë është politika deri në vitet 1996-1997. Ata u futën në struktura nëpërmjet mbështetjes së lidershipit, morën pozicionet drejtuese dhe sot janë bërë të mëdhenj për shkak të mbështetjes së lidershipit aktual të partive të tyre dhe jo për shkak të kontributeve të tyre politike”, - tha në mënyrë të drejtpërdrejtë Mediu, duke kujtuar se PR-ja ka deputetë në grupin e saj parlamentar që janë pjesë reale e PD-së. Kryetari republikan u ka kërkuar politikanëve me interesa të ngushta të konkurrojnë, në rast se besojnë se kanë mbështetjen, duke formuar parti politike. “Është përgjegjësi e gjithsecilit politikan, ashtu sikurse është përgjegjësi e çdo qytetari, për ta parë Kushtetutën si një çështje, e cila nuk ndryshon sipas klimës apo interesit politik të disa individëve, por sipas interesave të vendit. Si edhe shumë të tjerë, le ta provojnë njëherë të dalin në konkurrim dhe të krijojnë parti politike”, - deklaroi Mediu. Nga ana tjetër, Mediu u distancua nga qëndrimet e palëve të tjera politike, veçanërisht të partive të djathta, duke rikujtuar edhe propozimin e tij për bashkimin e së djathtës nën një parti. “Në qoftë se Partia Republikane ka kërkuar riformatimin e së djathtës, pra të një të djathte unike dhe mund ta përcaktoni si të doni, një parti ose një union me marrëdhënie të përcaktuara dhe e ka kërkuar këtë jo thjesht për interesin e saj personal politik”, - tha më tej Mediu. Në këtë kontekst, Mediu u shpreh se do të ketë kundërvënie politike nga marrëveshjeve të partive të mëdha. “Partitë e vogla do të përdorin çdo mjet për t'iu kundërvënë marrëveshjeve të ngushta që përjashtojnë vendimin e partive të tjera parlamentare përsa i takon reformës zgjedhore”, - përfundoi kryetari i PR-së.

Erald Kapri

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›