E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjlit nënshkruajnë dokumentin: “Reforma zgjedhore jo monopol i PS-PD-së”

10 partitë parlamentare: “Do të bllokojmë ropozimet e dy partive të mëdha”. Kërkohet ndihma e institucioneve ndërkombëtare si BE, NATO dhe OSBE-ODIHR-i
Shaban Sulçe

Partitë e vogla parlamentare kanë nënshkruar dje Deklaratën e përbashkët në lidhje me propozimet e tyre për reformën zgjedhore. Të bashkuar përballë dyshes PD-PS, të vegjlit kanë konfirmuar edhe njëherë qëndrimin e tyre për të kundërshtuar sistemin proporcional rajonal si dhe listat e mbyllura, të propozuara nga Partia Socialiste dhe të mbështetur nga Partia Demokratike. Në deklaratën e nënshkruar nga 10 partitë e vogla parlamentare shprehet vendosmëria për të bllokuar në komisionin parlamentar, por edhe në sallën e Kuvendit çdo propozim të njëanshëm të bëra nga PS dhe PD, për reformën zgjedhore. Ata kanë paraqitur propozimet e tyre konkrete për reformën zgjedhore, ndërkohë që nuk kanë hezituar të ftojnë për dialog dhe bashkëpunim dy partitë e mëdha për këtë çështje, me kushtin që një gjë e tillë të zhvillohet në rrugë institucionale, pra në komisionin e posaçëm parlamentar. Partitë nënshkruese të këtij dokumenti kanë deklaruar se do të kërkojnë ndihmën e institucioneve të BE-së, NATO-s dhe OSBE-ODHIR-it për zgjidhjen e krizës që ka shkaktuar mosmarrëveshja për reformën zgjedhore.
Nënshkrimi
Ashtu edhe siç ishte vendosur në tryezën e organizuar dy ditë më parë, krerët e partive të vogla parlamentare kanë zyrtarizuar qëndrimet e tyre të përbashkëta me nënshkrimin e djeshëm të deklaratës së hartuar për reformën zgjedhore.
Deklarata është nënshkruar fillimisht nga kryetari i PAD-së Neritan Ceka dhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo. Më pas nënshkrimi i deklaratës ka vijuar me kryetarin e Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, Nard Ndoka (PDK-së), Tritan Shehu (PDR), Vangjel Dule (PBDNJ), Skënder Gjinushi (PSD) dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arian Madhi. Ndërkohë, në orët e pasdites, deklarata është firmosur edhe nga kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli si dhe kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova.
Deklarata
Partitë e vogla parlamentare, përveç propozimeve të bëra për çështjen e reformës zgjedhore, kanë paraqitur edhe disa kërkesa të tjera në deklaratën e përbashkët që kanë nënshkruar. Kështu, të vegjlit kërkojnë mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, të hënën e ardhshme, pikërisht në datën 3 mars.
Ata kanë përcaktuar si afat fundin e muajit mars 2008 për miratimin në Kuvend të sistemit zgjedhor që do të përdoret në zgjedhjet e ardhshme elektorale në Shqipëri. Gjithashtu partitë nënshkruese shprehin vendosmërinë për të kundërshtuar propozimin e bërë nga Partia Socialiste dhe të mbështetur nga Partia Demokratike për sistemin proporcional rajonal, duke ndjekur rrugët demokratike ligjore si: bllokimin e propozimit në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, bllokimin e miratimit në Kuvend të amendamentit kushtetues, si dhe në rast të miratimit të tij nënshtrimit të Referendumit. Në deklaratë thuhet gjithashtu se “Partitë nënshkruese shprehin gatishmërinë dhe ftojnë për bashkëpunim për reformën zgjedhore Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste me kushtin që bashkëpunimi të realizohet vetëm në rrugë institucionale në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore”. Në fund të deklaratës së nënshkruar me firmat e drejtuesve të këtyre partive shprehet gatishmëria për të informuar dhe për të kërkuar ndihmë rreth krizës aktuale që ka shkaktuar reforma zgjedhore, institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare si Bashkimi Europian, NATO dhe OSBE-ODIHR-i.

Propozimet për reformën zgjedhore
1-Sistem zgjedhor i përzgjedhur dhe i gjithëmbështetur është një variant i familjes së sistemeve të tipit “Proporcional i personalizuar”, i ngjashëm me sistemin zgjedhor gjerman
2-Kuvend me 140 vende, me tavan të hapur
3-Balancë 70/70 e “Mandateve Maxhoritare” (zonave zgjedhore një-emërore) dhe “Mandateve Proporcionale”. Raporti maxhoritar/proporcional është i hapur për negocim
4-Votim me një raund
5-Konkurrimi në zonat një-emërore maxhoritare bëhet midis kandidatëve me votim maxhoritar
6-Konkurrimi proporcional bëhet mbi bazë listash të hapura të kandidatëve të partive politike në nivel kombëtar
7-Zgjedhësi ka vetëm një votë. Vota maxhoritare për kandidatin është e unifikuar me votën proporcionale për partinë që përfaqëson ky kandidat
8-Pragu elektoral është 2.5%
9-Administrimi i zgjedhjeve nëpërmjet listave të sigurta që burojnë nga regjistri themeltar i shtetasve dhe identifikimi i votuesve vetëm nëpërmjet kartave të identitetit apo pasaportave biometrike

1 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›