E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Mediu: Reforma zgjedhore të mundësojë përfaqësim të barabartë

23-03-2012 / Gazeta 55

Pas deklaratës së drejtorit për zgjerimin në KE, Stefano Sanninos për përfundimin e punës për reformën zgjedhore, kreu i republikanëve Fatmir Mediu shton presionin mbi dy forcat e mëdha politike, të cilat po punojnë aktualisht për pikën më të nxehtë të Kodit Elektoral; atë të administrimit të zgjedhjeve. Mediu kërkon që të mos ndërtohen formula brenda një sistemi zgjedhor, të cilat u heqin mundësinë partive të vogla të përfaqësohen në Parlament me deputetë. 

“Nëse do të shmanget një konkurrim i drejtë i subjekteve politike. Në qoftë se do të ndërtohen formulat brenda sistemit zgjedhor për ti rrëmbyer deputetët një partie apo një partie tjetër, kjo pa dyshim jo vetëm do të cënojë atë që quhet kuotë, po do të cënojë dhe përfaqësimin e drejtë të votës së qytetarëve shqiptarë dhe të zonjave që mund të vijnë në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Fatmir Mediu, kryetari i PR.

Mediu theksoi se do t`i propozojë kryesisë së PR-së të amendojë statusin e partisë, në mënyrë që republikanët të përfaqësohen me dy kryetarë. Sipas tij, në këtë post paralel me Mediun do të jetë një femër. 

“Meqënëse jemi republikan dhe eksperiencën e parë republikane e kemi marr me marrëdhënien që kemi krijuar me republikanët në Amerikë. Ata kanë një statut ku përveç kryetarit të partisë, kanë dhe një kryetare partie dhe unë mendoj se ndoshta ka ardhur kohia për të pasur vërtetë zërin e partisë republikane, përfaqësuesve të grave republikane në nivelin që duhet, të ketë dhe një bashkëkryetare grua në strukturat e PR”, tha Mediu.

Partia Republikane bëhet në këtë mënyrë e para parti në Shqipëri, e cila do të ketë dy kryetarë, ku së bashku me Mediun në krye të PR do të jetë edhe një grua.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›