Skocia mbetet pa Akademi të Letërsisë
Ministrja e Kulturës e Skocisë, Fiona Hyslop, e ka refuzuar rekomandimin për krijimin e një Akademie të re Skoceze të Letërsisë, për shkrimtarët, poetët dhe romancierët më të mirë të vendit.
Rekomandimi ishte bërë në një raport të vitit të kaluar, nga një grup punues letrarë që kryesohej nga Rosemary Goring, redaktore letrare e gazetës ‘The Herald’.
Shkrimtari Allan Massie, poeti Don Paterson dhe botuesi Hugh Andrew, ishin kontribuues të raportit, nga i cili ishte kërkuar të parashtrojë ‘rekomandime praktike dhe reale, për të siguruar që letërsia në Skoci të aftësohej që të lulëzojë dhe të mbështetet në mënyrën më të duhur’.
Në raport thuhet se Akademia Kombëtare, pjesë e së cilës do të ishin shkrimtarë të njohur si JK Rowling, AL Kennedy dhe Ian Rankin, bashkë me anëtarësinë e një trupi të ngjashëm nga Akademia Franceze, do të ndihmonte në konfirmimin e letërsisë si ‘formë e shquar letrare e Skocisë’.
Kur raporti ishte publikuar për herë të parë, Hyslop kishte thënë ishte ‘e etur për të zhvilluar sugjerimin’, megjithëse kishte shtuar se “burimet janë nën presion të madh, përkundër faktit që sekreti i suksesit do të konsistojë në atë që aktorët kryesorë do të jenë në gjendje të punojnë bashkërisht, për të arritur ambiciet e këtij sektori”.
Mirëpo, në përgjigjen formale të kësaj jave, Hyslop thotë vetëm se, edhe pse e ka pasur idenë e një akademie të tillë, ajo mund të rigjallërohet në të ardhmen, nëse këtë e lejojnë kushtet ekonomikë. Po ashtu, ministrja e Kulturës e ka refuzuar idenë e mbajtjes së Javës Kombëtare Skoceze të Librit në vitin 2012.